Trageti i ri “Michela”, zv.ministrja Çinari: Udhëtim më komod drejt veriut të Italisë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 30/10/2017

Trageti i ri “Michela”, zv.ministrja Çinari: Udhëtim më komod drejt veriut të Italisë

Zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Dorina Çinari mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të tragetit të ri “Michela” të kompanisë “Adria Ferries SPA”. Mjeti do të shërbejë në linjën Durrës-Ancona-Trieste dhe anasjelltas ndërsa ka një kapacitet prej 120 kamionësh, 100 autoveturash dhe deri 1000 pasagjerë. Me këtë traget grafiku i lëvizjes së mjeteve dhe qytetarëve drejt Italisë së veriut do jetë një herë në dy ditë, më e shpejtë dhe shumë më cilësore.

“Në këtë mënyrë, realizohet një prej prioriteteve të një prej tre kolonave ku mbështetet edhe Procesi i Berlinit, kosto e ulët e lëvizjes dhe transportit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të tyre me vendet e BE-së”, u shpreh znj.Çinari.

Ajo insistoi se që prej muajit Mars të këtij viti, pas një sërë përpjekjesh dhe takimesh të nivelit të lartë të qeverisë tonë dhe asaj italiane u arrit që nga kjo e fundit të hiqej “taksa e ngarkesës’. Kjo shtoi në mënyrë të ndjeshme fluksin dhe volumet e lëvizjes së kamionave në drejtim të Porteve të Italisë, Bari-Ancona dhe Trieste. Kjo taksë prej 9,2 €/ton (rreth 230 Euro për çdo kamion) rëndonte ndjeshëm prej më shumë se 25 vitesh në koston e përgjithshme, jo vetëm të transportuesve, por edhe të konsumatotëve.