Projektligjit “Për hidrokarburet”, Bejtja: Parashikohet krijimi i Institutit shkencor të hidrokarbureve - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 30/01/2017

Projektligjit “Për hidrokarburet”, Bejtja: Parashikohet krijimi i Institutit shkencor të hidrokarbureve

big_30_janar-bejtja

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet (Kërkimi dhe Prodhimi)”, të ndryshuar” u prezantua sot para deputetëve të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Ilir Bejtja tha se ky projektligj ka objekt të bëjë disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ekzistues me qëllim përmirësimin e tij në drejtim të reflektimit të zhvillimeve të fundit të aktivitetit të kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve.

Zëvendës Ministri u shpreh se miratimi i këtij projektligji do të përbëjë një kontribut konkret të Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e një politike kombëtare më nxitëse dhe pjesëmarrës në sektorin Hidrokarbur.

“Sigurisht me rritjen e stabilitetit të Republikës së Shqipërisë kalohet nga përfshirja në Marrëveshjet Hidrokarbure të klauzolave të hapura dhe të pakufizuara në kohë lidhur me stabilitetin e regjimit fiskal në aplikimin e tyre në një afat kohor të kufizuar, 12 vjet nga data e fillimit te prodhimit te hidrokarbureve, dhe përjashtimi nga këto klauzola të çështjeve që lidhen me sigurinë kombëtare, marrëdhëniet e punës, mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit, mbrojtjen e shëndetit të njeriut, detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë etj,” nënvizoi Bejtja.

Me anë të këtë projektligji, shtoi z.Bejtja, parashikohet krijimi i Institutit shkencor të hidrokarbureve, i cili do të mundësojë rritjen e kompetencës teknike dhe shkencore të palës shqiptare në industrinë hidrokarbure dhe sidomos në aktivitetin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve.

“Rikrijimi i Institutit është domosdoshmëri pasi është ndjerë në mënyrë thelbësore mungesa e tij nga momenti kur ish-Qendra Kombëtare Shkencore e Hidrokarbureve u shkri. Nisur nga aktiviteti shumë intensiv në vendin tonë për kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe të gazit, mungesa e një institucioni shkencor ka shkaktuar një boshllëk të karakterit të pjesëmarrjes të palës shqiptare veçanërisht në procesin e trajtimit të propozimeve dhe me tej implementimit të tyre nga shoqëritë që kryejnë aktivitet në industrinë e naftës, sepse realizimi i skenarëve të ndryshëm zhvillues por edhe kryerja e vlerësimeve oponente kërkon mbi të gjitha njohuri shkencore për sektorin,” u shpreh z.Bejtja.

Duke e mbyllur fjalën Zëvendës Ministri theksoi se një objektiv i projektligjit të propozuar është edhe trajtimi i marrëdhënieve të pronësisë në të njëjtën mënyrë si dhe është trajtuar në ligjin për Partneritetin Publik dhe Privat, duke ndryshuar nenin 10 të ligjit ekzistues. “Janë bërë edhe disa saktësime të tjera që lidhen me nenin 12 të ligjit ekzistues për të reflektuar situatën aktuale të aktivitetit të shoqërisë Albpetrol Sh.A.”