Qeveria çeli punimet për ndërtimin e rrugës së Arbrit, projekti i parë i rëndësishëm përmes programit të rindërtimit të Shqipërisë. Të pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm, kryeministri Edi Rama, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka, Presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion” z.Rrok Gjoka etj. Në fjalën e tij në çeljen e punimeve për Rrugën e Arbrit, në kantierin pranë tunelit në Klos, kryeministri Rama u shpreh se Rruga e Arbrit do të kishte përfunduar të paktën 10 vjet më parë.
“Për Rrugën e Arbrit, në marrjen e mandatit gjetëm 5 kontrata me vlerë 2.6 miliardë lekë, por i gjetëm faturat në tavolinë. Asnjë kokërr leku të paguar. Rruga nuk diskutohet që nuk dukej asgjëkund. Dukeshin vetëm gjurmët e atyre festave me daulle e me shirita për ato inaugurimet për t’i hedhur hi syve kësaj dynjaje. Ndërsa brenda kësaj periudhe që ne do të ndërtojmë rrugën, ju do të shikoni që do të ketë një urë nga njëra anë e tunelit, 220 metra, 150 metra e lartë dhe një urë tjetër nga ana tjetër e tunelit, matanë, po kaq dhe Klosi do të lidhet me Tiranën për 30 minuta, Bulqiza për 40 minuta, Burreli për 60 minuta dhe Peshkopia që është pak më larg, përsëri do jetë shumë më afër, 80 minuta Distanca që ishin të paimagjinueshme, por që ama do përshkohen si zotëri, jo si shofer ku Benz-i të duket si mushkë kur vjen këtu. Edhe kur zbret nga vetura, të duket sikur ke zbritur nga mushka, – u shpreh kryeministri
Nga ana e tij, Ministri i infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, e konsideroi këtë projekt si një ndër veprat më të mëdha infrastrukturore të vendit, që merret përsipër nga një investitor shqiptar. Në fjalën e tij Gjiknuri premtoi ndërtimin e Rrugës së Arbrit brenda këtij mandati.
“Projekti ka përmirësime të jashtëzakonshme krahasuar me projektin që ka qenë. Dua vërtet të falenderoj kompaninë, stafin e ARRSH, stafin e Ministrisë së Infrastrukturës që në një kohë rekord negociuan kontratën, i dhanë zgjidhje të gjithë problemeve teknike duke përmirësuar këtë projekt në mënyrë të jashtëzakonshme, dhe duke bërë që qarku Dibrës të jetë shumë më afër se çdo qark tjetër i Shqipërisë. Vepra ka shumë vepra arti, ka disa tunele, ka disa ura. Janë nga veprat më të vështira inxhinierike në Shqipëri. Ne si ministri ndërkohë po përzgjedhim edhe supervizorin, inxhinierin e pavarur, i cili do të jetë në mbështetje të projektit, në mënyrë që ky projekt të përfundojë në kohë. Dhe jam i bindur edhe nga diskutimet që kam bërë me kontraktorin, jam shumë i bindur që ky projekt do të përfundojë përpara zgjedhjeve të ardhshme. Jo për arsye se kemi zgjedhjet, nuk dua të ngatërrohet me këtë. Por për të thënë që ne kur i nisim punët nuk i lëmë në mes dhe i çojmë deri në fund”,- theksoi Gjiknuri.
Në fjalën e rastit Presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion” z.Rrok Gjoka, garantoi se janë marrë të gjitha masat për financimit e rrugës dhe theksoi se kompania do të zbatojë me rigorizitet angazhimet e marra përsipër në kontratë.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë