Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ndoqi nga afër menaxhimin e situatës së emergjencës së shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut në qytetin e Vlorës, e rrethinat e saj, si pasojë e reshjeve të jashtëzakonshme të shiut që përfshinë vendin. Ministri Gjiknuri theksoi se është më shumë rëndësi që qytetarët t’i përgjigjen thirrjeve të autoriteteve vendore e qendrore dhe udhëzimeve që jepen në kuadër të kalimit të kësaj situate.
Pas mbledhjes së shtabit të emergjencave, në Novoselë të Vlorës ku u diskutua mbi planin e masave që duhet të merren për orët e ardhshme Ministri Gjiknuri u ndal në portin e këtij qyteti.
“Një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Vlorës, por edhe pjesës tjetër të Shqipërisë që zgjedhin portin e Vlorës. Porti i Vlorës i është kthyer normalitetit. Intensiteti i valëve të detit ka rënë, pra fuqia e dallgëve ka rënë, do të thotë që gjithçka i është kthyer normalitetit. Shpresoj që edhe porti i Durrësit me qetësimin e dallgëve edhe ai do të funksionojë totalisht. Unë përgëzoj të gjithë administratën e portit, por edhe të gjithë personelin mbështetës të cilët po funksionojnë normalisht dhe qytetarët janë të mirëpritur të vazhdojnë shërbimin normal në port, siç kanë bërë gjithmonë,” – u shpreh ministri në një prononcim për mediat.
Në përfundim, ministri Gjiknuri raportoi rreth situatës në mbledhjen e Komitetit të Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile, ku u shpreh se të gjitha strukturat janë në funksion të përballimit të situatës dhe në monitorim të vazhdueshëm, për t’i bërë ballë çdo të papriture.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë