Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri gjatë interpelancës së thirrur nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike
Të nderuar deputetë,
I nderuar z.Kryetar,
Në fakt, unë mendoj se kjo interpelancë nuk ishte aq e nevojshme. Siç u citua nga parafolësja, këtu informacioni nuk ka munguar nga ministria. Nga kjo pikëpamje, së pari duhet të sqarojmë publikun shqiptar sepse në fund të fundit unë jam këtu për të sqaruar publikun. Nuk ka munguar transparenca për të vënë në dispozicion çdo lloj dokumenti që lidhet me këto kontrata publike dhe ky është parim kushtetues. Çdo kontratë publike, çdo autoritet që do të njihet me kontratat publike, ato janë dokumentacione zyrtare të cilat palëve iu vihet në dispozicion për aq kohë sa nuk mbrohet nga klauzola konfidencialitetit.
Por, natyrshëm çështja e trajtimit të mbetjeve meriton disa pyetje dhe përgjigje se përse u zgjodh kjo rrugë dhe përse kjo çështje ka një interes publik. Kjo, përpara se të shkojmë tek procedurat konkrete apo akuzat që hidhen rëndom në Shqipëri dhe nuk po i dëgjojmë për herë të parë. Trajtimi i mbetjeve në Shqipëri është një sektor shumë delikat. Çështja e mbetjeve është esenciale për shëndetin publik dhe është një nga sfidat që ka jo vetëm Shqipëria por mbarë bota. Trajtimi i mbetjeve është një nga pjesët bazë të infrastrukturës së çdo vendi, pra një nga sfidat bazë, siç janë sfidat e infrastrukturës rrugore, uji, kanalizimet mbetjet dhe energjetika këto janë sfidat bazë që ka çdo shoqëri.
Menaxhimi i mbetjeve urbane është një përgjegjësi edhe lokale por fatkeqësisht në Shqipëri, autoritetet lokale nuk i kanë as kapacitetet, as buxhetet, kështu që roli i qeverisë është i pandashëm në këtë drejtim. Pikërisht, nisur nga roli dhe mbështetja e qeverisë, iniciativa e partneritetit publik-privat, mbetet e vetmja formë që është e provuar, jo në Shqipëri sepse ne tani e kemi filluar por në gjithë botën e zhvilluar. Partneriteti publik-privat në trajtimin e mbetjeve urbane, mbetet e vetmja zgjidhje.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në qoftë se në vitin 2006 kishim 722 mijë ton mbetje urbane të gjeneruara, në vitin 2016 shifra vajti në 1.3 milion ton. Qarku Kukës dhe Gjirokastër gjeneron 4 herë më shumë se sa mbetjet e 10 viteve më parë, Berati, Durrësi, Fieri, Tirana dyfishin e mbetjeve të gjeneruara më parë. Pra, ka një tendencë gjithmonë në rritje të gjenerimit të mbetjeve që vjen si rezultat i rritjes së mirëqenies, i rritjes së konsumit, rritjes ekonomike. Pra, mbetja është pjesë integrale e gjithë shoqërisë njerëzore dhe është një sfidë e përhershme që do zgjidhje.
Shqipëria arrin sot të riciklojë vetëm 15 % të mbetjeve ndërsa pjesa tjetër, fatkeqësisht jemi dëshmitarë që trajtohet në mënyrën më primitive, për të mos thënë që në shumë pjesë të Shqipërisë, ajo hidhet nëpër lumenj, hidhet në rrugë. Mbetjet janë kthyer në një problem serioz jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera. Atëherë pse u zgjodh alternativa e djegies? U pa si një nga mënyrat më eficente, e cila për një periudhë afatshkurtër i jep zgjidhje problematikës së mbetjeve duke dhënë një alternativë shumë efikase për trajtimin e tyre. Mjafton të shohim vendet si Danimarka, një nga vendet më ekologjike sot në botë, e cila ka 26 inceneratorë dhe po synon që gjithë pjesët që nuk riciklohen duhet të shkojnë drejt incenerimit. Po të shikojmë Gjermaninë, 121 inceneratorë dhe për ironi se këtu përmenden edhe disa studime. Është e vërtetë që KFW dhe GTZ kanë bërë studime dhe me ndihmën e qeverisë gjermane ne kemi ndërtuar edhe landfille por, po të shikoni kostot e landfilleve edhe një që bëtë ju, një gjë që bëtë Bushatin, fatkeqësisht nuk u vu as në përdorim. Po të shikoni kostot e operimit të atij landfilli janë marramendëse dhe ku e ku shumë më të shtrenjta se trajtimi me incenerim.
Dy javë më parë pata një delegacion biznesi gjerman, të shoqëruar nga ambasadori gjerman, dhe kompania me e madhe gjermane kërkoi që edhe ajo të kishte interes për incenerimin e pjesës tjetër të mbetjeve. Duhet thënë se incenerimi është forma më moderne, më e pranueshme, që në fund të fundit sjell edhe një produkt dytësor, që është prodhimi i energjisë elektrike. Kjo është tendenca dhe unë ju thashë, jemi duke punuar me këtë kompani që të krijojmë edhe një mundësi tjetër aty ku ka fizibilitet ekonomik, në mënyrë që Shqipëria të shkojë drejt këtij trendi, që është trend ndërkombëtar i pranueshëm me të gjitha standardet e BE-së.
Ndërkohë, kapacitetet e landfilleve në Shqipëri, ju e dini si janë. Landfilldi është një formë primitive e trajtimit të mbetjeve. Po të shikoni edhe strategjinë tonë të mbetjeve, edhe strategjinë e BE-së, kërkon që të ndalojë dhe sot që flasim në Europë nuk trajtohen më mbetje me landfille, pasi landfilldi është thjesht mbush hidh plehra dhe ato mbeten aty, pasojat janë shumë të rënda për mjedisin. Prandaj, strategjia e BE-së e ka ndaluar përdorimin dhe ndërtimin e landfilleve. Format që mbeten janë ose format totale të parandalimit, që për Shqipërinë është akoma luks, por dhe do ta donim që çdo gjë të ishte e riciklueshme. Forma të tjera në hierarki mbetet incenerimi për prodhimin e energjisë elektrike. Dhe ky është një prodhim shtesë i energjisë që përfitohet nga plehrat. Nisur edhe nga këto parime të vendosura në strategjinë e BE-së, edhe strategjia e qeverisë shqiptare për trajtimin e plehrave parashikon hallkat, ku përfshihet edhe incenerimi si një prej tyre.
Ju e keni parë që kostot e landfilleve janë shumë të larta dhe eksperienca shqiptare e landfilleve ka qenë e dështuar. Kryesisht, u zgjodh për shkak të emergjencës dhe interesit publik të madh, u zgjodh të kalohet në një formë më të avancuar, që është një formë e pranueshme. Dhe po të mos ishte e tillë nuk do të ishte që edhe qeveria juaj në 6/03/2012 ka miratuar një vendim qeverie ku ka përcaktuar edhe kriteret dhe parametrat për incenerimin e mbetjeve. Pra, do të thotë që qeveria juaj në 2012, qeveria e Sali Berishës, e ka parashikuar si një nga format edhe pse nuk e realizoi dot. Pra, qëllimi ka qenë aty, strategjia ka qenë aty dhe qeveria e sotme, e zgjodhi si një nga format për të trajtuar një nga problemet më imediate, sidomos në qytetin e Elbasanit, ku ishte shpallur një emergjencë mjedisore.
Cilat janë avantazhet? Avantazhet janë jo vetëm që prodhohet energji ekstra, jo vetëm që është një variant shumë i pranueshëm pasi absorbon pjesën e degradueshme të mbetjeve, por që njëkohësisht arrin që të bëjë edhe ndarjen në vend të mbetjeve që mund të shkojnë për riciklim dhe pjesën tjetër e cila do të trajtohet me djegie dhe do të prodhojë energji.
Energji e cila i shërben rrjetit dhe konsumit të energjisë elektrike por mbi të gjitha është një nga variantet më të pastra, që lëshon më pak CO2 dhe në fund të fundit është teknologji jashtëzakonisht e pranueshme. Çfarë sugjerohet në raportet ndërkombëtare për trajtimin e mbetjeve, dhe a bie ndesh zgjedhja e inceneratorëve me strategjinë e vitit 2011? Menaxhimi i mbetjeve është element kyç në sigurimin e efikasitetit dhe rritjes së qëndrueshme të ekonomisë europiane. Këto janë parimet!
Referuar trajtimit të mbetjeve, numërohen rreth 2 mijë impiante në rang global, pra kjo është strategjia ndërkombëtare dhe mbi 20% e tyre janë të instaluara në Europë. Siç thashë, Gjermania, Danimarka dhe shumë vende të tjera nordike mbajnë vendin e parë për këtë trajtim. Landfilli i mbetjeve sot në BE konsiderohet si forma e papranueshme dhe këto parime janë reflektuar edhe në strategjinë e qeverisë shqiptare. Strategjia e mbetjeve 2011 në Shqipëri, ashtu si edhe strategjia e BE parashikon edhe për vendin tonë, që baza e kësaj strategjie do të jetë hierarkia e mbetjeve. Strategjia kombëtare e menaxhimit të mbetjeve e miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave 175, 19/01/2011, për miratimin e strategjisë kombëtare, ka vlerësuar midis të tjerave si detyrë kryesore reduktimin nëpërmjet parandalimit dhe shfrytëzimin e energjisë.
Të dashur qytetarë dhe të nderuar deputetë opozitarë, në strategjinë e miratuar nga qeveria juaj ka qenë e parashikuar prodhimi i energjisë nga mbetjet e biodegradueshme. Ajo ç’ka po bëjmë, që idetë tuaja fatmirësisht po i realizojmë ne, nuk i realizuat ju, por po i bëjmë ne në realitet.
Po cila është praktika e ndjekur për inceratorët në fjalë. Të flasim së pari për impiantin e Elbasanit, meqenëse këtu u hodhën disa akuza dhe e mira është që qytetarët të sqarohen. E para, thoni pse është zgjedhur një procedurë e shpejtë, pa publikim dhe e menjëhershme. Duhet të sqaroj se qyteti i Elbasanit, Këshilli Bashkiak kishte shpallur emergjencë, emergjencë lokale përsa i përket mbetjeve të Elbasanit. Qyteti i Elbasanit ishte bërë realisht një krematorium ku digjeshin plehra dhe përpos metalurgjikut shtohej edhe problem i plehrave, intoksimi i gjithë qytetit, pra një emergjencë. Çfarë zgjodhëm? U zgjodh me procedurë të përshpejtuar, një procedurë që e parashikon ligji. Pyetja e parë duhet ti shtroni vetes, a e parashikon ligji lidhjen e kontratës pa publikim paraprak në një situatë emergjente? Ligji e parashikon. Po qeveria prandaj është sovrane, qeveria vlerëson, ajo që është bërë është gjithçka e ligjshme.
Nëse do të ishte e paligjshme ju do të kishit të gjitha instrumentet që ajo të goditej juridikisht por nuk i keni këto. Dhe niseni nga konsiderata politike kur thoni a është kjo e drejtë?! Pra, zgjedhja është bërë brenda legjislacionit shqiptar për një emergjencë. Çfarë u bë? Pasi u zgjodh procedura u bë investimi i impiantit me 21 mln $ dhe sot ky impiant po funksionon brenda të gjitha parametrave ashtu siç ishte parashikuar në kontratë. Çfarë do të thotë kjo? Zgjodhëm partneritet publik-privat. Kush ishte forma? Paratë nuk i kishim, u zgjodh propozimi i një kompanie, u bë ndërtimi i veprës dhe Buxheti i shtetit do t’i lajë ato për një periudhë disa vjeçare. Në fund të kësaj periudhe kjo vepër kalon në pronësinë e shtetit. Pra, vepra nuk zotërohet nga një privat, për ta kuptuar, vepra do të kalojë në pronësi të shtetit, pra të bashkisë së Elbasanit, mbase nesër të një agjencie tjetër qeveritare në varësi të trajtimit të strategjisë.
Pra, bëhet fjalë për një impiant që do të punojë sipas parametrave të Bashkimit Europian dhe i jep zgjidhje të gjithë problematikës së mbetjeve në Elbasan. Po flasim për projekt duke funksionuar sot, janë duke punuar. I lutem këtij Kuvendi, i bëj thirrje të ngrini një komision parlamentar, të shkoni ta shikoni në vend, le ti nënshtrohet më pas prape debatit. Por një komision parlamentar ta shikojë në vend si funksionon ky impiant, merrni edhe ekspertë ndërkombëtar dhe shikoni a është ky impiant brenda parametrave të pranueshëm të BE apo ajo? Pra, këtë përgjigje shqiptarët e meritojnë.
Së dyti, nisur nga një model i ngritur, iu dha përgjigje një situate tjetër në Bashkinë e Fierit. Në Bashkinë e Fierit, ishte një situatë e rënduar me mbetjet. Ka patur një propozim të pakërkuar gjë që e parashikon prap legjislacioni në fuqi, dhe për aq kohë sa e parashikon ligji nuk mund të thuash që ligji është i keq apo i mirë se ligji është i përgjithshëm. Ligji nuk bëhet për individin, ligji bëhet për situata të përgjithshme! Pra, ligji e parashikon këtë si procedurë, dhe ju asnjëri nuk ka thënë këtu që është në kundërshtim me ligjin, por ka thënë që prapa kësaj ka interesa të mëdha, por asnjëri nuk e ka cituar, baza është ligji gjithmonë.
Kur flet këtu kështu thuhet, është një gjë e ligjshme apo jo? Pastaj fillon a është e moralshme, a është ajo më e mira! Ligjërisht asgjë s’keni gjetur dhe u zgjodh i njëjti model. Kush ishte modeli? I njëjti parim me Partneritet Publik-Privat, u paraqit një propozim, u zhvillua një garë, pra thirrje e hapur edhe për investitorë të tjerë, u shpall një fitues dhe fituesit iu lidh një kontratë. Ka patur një problem për ndërtimin e veprës. Bashkia e Fierit ndryshoi vendin për shkak të sensibilitetit lokal. Ndryshoi vendin nga njëri fshat në fshat tjetër ku e pa më të përshtatshme dhe kjo ka qenë arsyeja që u vonua edhe nxjerrja e lejes së ndërtimit, sepse kompania nuk mund të fillojë pa patur leje ndërtimi.
Kontrata ka qenë e tillë që të bëheshin disa parapagesa. Pse? Sepse në impiantet teknologjike janë specifike dhe ata që janë marrë me biznes e kuptojnë. Mua më është dhënë rasti duke qenë edhe jurist edhe konsulent privat ligjor më përpara se ti hyja politikës, është procedurë e veçantë porositja e linjave teknologjike. Nuk janë linjat ato që shkon në pazar dhe e merr e fut në punë, ato duhen porositur një vit më parë.
Do të thotë duhet të bësh parapagim, duhet të hapësh garanci financiare sepse linjat që e prodhojnë duhet ti parashikojnë një vit përpara. Dhe pikërisht për këto, po të shikoni të gjitha kontratat model që bëhet fjalë për linja teknologjike, parashikohen një vit me parë, jepet pagesë, pronotohet një pjesë, bëhet një krahasim pagese për të ndërtuar linjën e cila do montohet në Shqipëri.
Kështuqë asgjë nuk ka të çuditshme këtu, nuk është se iu dhanë lekë dikujt para për ti futur në xhep dhe për ti marrë ato lekë. Pra, duhet të kuptoni që investitorët privatë marrin një lloj risku këtu. E para, parashikojnë gjithë investimin përpara dhe shteti e lan në krye të 5 apo 7 vjetëve. Këto impiante, në momentin që lahet investimi, i kthehen bashkive si pronare të fundit të këtyre impianteve.
Keni ngritur pretendimin se përse është dhënë incentivim për energjinë? Ju e dini, në strategjinë tuaj të energjisë, po edhe tonën apo të BE, po edhe ligjin tonë për energjitë e rinovueshme, parashikohet një kapacitet i caktuar i energjive të rinovueshme që duhet të vijë nga mbetjet. Dhe normalisht këto janë incentiva që nëpërmjet çmimit të energjisë blihet kjo energji, që mbulon kostot operative të impiantit. Bashkia e Elbasanit do ta marrë këtë impiant, po si do e mbajë këtë impiant, se ja u shlyen kostot e investimit? Do të mbahet pikërisht nga prodhimi i energjisë elektrike. Kështu që realisht ajo ç’ka ndodh është brenda ligjit, brenda strategjisë. Fatmirësisht, strategjitë i kemi të hartuara edhe nga ju, e vazhduar edhe nga ne, sepse në fund të fundit strategjitë për këto janë. Strategjitë i vlejnë disa qeverive, jo një qeverie.
Impianti i Fierit kushton 28 mln euro, impianti i Elbasanit 21 mln euro. Projekti është në progres duke u ndërtuar. Edhe këtu mund të verifikoni me një komision parlamentar, jeni të ftuar të shkoni në vend, të shikoni a po zhvillohen punime apo jo.
Nga ana tjetër, çështja tjetër është Tirana, natyrë tjetër koncesioni. Këtu nuk kemi pagesa nga Buxheti i Shtetit për ndërtimin e impiantit. Këtu ka një kompani të huaj, dhe nuk është e vërtetë që është e njëjta kompani, është një kompani e huaj, e regjistruar në Holandë me një nga emrat e mëdhenj
Paul Wurth, që është një kompani gjermane e njohur për teknologjinë, e cila do të marrë përsipër sistemin tolling, pra Bashkia e Tiranës do të paguaj për plehrat. Ka një kosto prej 29 euro/ ton dhe plehrat përpunohen. Kostot operative të impiantit dalin nga kostot që paguhet për metër kub të plehrave dhe pjesa tjetër nga shitja e energjisë në tregun e lirë. Quhet shitje energjie në tregun e lirë, që të jemi të qartë. Ky investim 128 mln euro është tërësisht privat dhe gjithë skema do të rikuperohet nga operimi i këtij impianti. Çfarë garanton Buxheti i Shtetit? Në momentin që bashkia nuk i ka mundësitë financiare, se prandaj thash shteti merr ca përgjegjësi, se ju e dini të gjithë tashmë, mos bëjmë teatër politik këtu, bashkitë tona kanë të ardhura të ulëta.
Shqiptarët akoma nuk janë mësuar të paguajnë taksa të larta për mbetjet. Pyesni pak në Europë sa paguajnë për mbetjet dhe pikërisht duke qenë një problem i madh kombëtar, qeveria del garante që nëqoftëse bashkia nuk i mbulon këto shpenzime, Buxheti i Shtetit del garant. Kjo është një formë, siç bëhet edhe për investimet në energji, ujësjellës, për kanalizimet, të gjitha shteti i ka mbajtur në kurriz se bashkitë si kanë dalë për zot. Pra, te infrastruktura publike, buxheti publik ka marrë këtë lloj risku. Shikoni sa janë kostot në Europë të ngjashme, për përpunim për ton plehra: Austria 67 euro/ton, Belgjika 47 euro/ ton, Greqia 35 euro/ ton, po marr një vend që është shumë afër nesh nga pikëpamja edhe ekonomike edhe pozicioni. Estonia 50 euro / ton, Çekia 60 euro/ ton, Maqedonia 36 euro / ton. Shqipëria ka më të lirën, impianti i Tiranës. Pra, edhe këtu po ta vëmë me një tabelë krahasimi jemi brenda parametrave që ka BE, mos themi më lirë.
Nga ana tjetër, teknologjia. Unë e thash për teknologjinë, ju lutem, jam i gatshëm dhe po e përsëris edhe një herë ngrini një komision. Edhe unë vetë do të isha shumë mbështetës i kësaj, me gjithçka që kam në dispozicion. Nëse mendoni, që kjo teknologji dëmton shëndetin, apo këto impiante nuk punojnë ashtu siç duhet, le të ngremë një panel parlamentar, le të bëjmë një verifikim në terren, të marrim edhe ekspertë ndërkombëtarë, ta shikojmë në vend, dhe ti nënshtrohet parlamenti dhe një debati të tillë nëse gjetja do të thotë që ky impiant është jashtë parametrave që parashikon ligji apo që parashikojnë standardet më të larta të BE.
Së fundi, dua të them që ky proces i zgjedhur, të dashur qytetarë shqiptarë është i ligjshëm. Ka ardhur si rezultat i nevojave të kohës, në përputhje me një strategji të miratuar nga qeveria Berisha, e vazhduar nga qeveria Rama sepse në fund të fundit, strategjitë janë strategji të mbështetura në parimet e BE. Janë impiante që sot po funksionojnë, janë vepra të realizuara dhe është një partneritet publik-privat, ku qeveria adreson nevoja të mëdha publike, duke iu ardhur në ndihmë Bashkive për një problem që është shumë emergjent. Gjithçka e bërë është në përputhje me ligjin dhe në dijeninë time procedura e Elbasanit, i është nënshtruar edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, kontroll që ju i referoheni kur doni sa herë, por disa herë të tjera nuk i referoheni. I është nënshtruar hetimit të thellë administrativ që e ka nxjerrë në përputhje me ligjin.
Replika në vijim të fjalës së deputetes së PD, Jorida Tabaku
Në fakt, qëkur përzieve interpelancën me çështje të tjera pranove dështimin e iniciativës. Radhën e parë mund të ishte gabim, por kur vazhdove dhe përsërite të njëjtën gjë edhe pas sqarimeve të mia, mendoj që është fatkeqësi. Këtu u thanë disa të vërteta që ti duhet ti hiqje nga kërkesa që bëre në fillim. Nuk mund të mbulohen ato që janë evidente. Impianti nuk u bë nga njerëz me duar në xhepa, se impianti po funksionon sot. Cilësinë e impiantit nuk mund ta caktojë nuhatja e deputetit të Elbasanit, pavarësisht se ai e do aq shumë qytetin dhe unë e vlerësoj atë. Ju thashë merrni ekspertë dhe nuk mund të cilësohet një vepër e dështuar se thotë një deputet i zonës i Partisë Demokratike se kjo ka ndotje. Pra, merrni ekspertë, unë jua thashë ngrini një panel parlamentar me ekspertët më të mirë dhe shkoni të shikoni atje sesi funksionon ky impiant.
Erdhët dhe nuk cituat një shkelje ligji. Nuk keni të drejtë ju të vini në pikëpyetje racionalitetin e qeverisë shqiptare. Qeveritë janë sovrane në vendimet e tyre dhe për aq kohë sa veprojnë brenda kufijve të ligjit, kanë gjithë të drejtën ligjore që të bëjmë atë që duhet të bëjnë. Nëse shkelet ligji, qeveria mban përgjegjësi. Përgjegjësia është politike nëse dështon. Nëse ajo vepër do të dështonte, përgjegjësia do të ishte politike, pse jo edhe penale. Por se ne kemi zgjedhur për një situatë emergjente një nga procedurat që parashikon ligji dhe nëqoftëse nuk është e tillë siç akuzoni, dil këtu e thuaj, ‘po, ligji nuk e parashikon procedurën pa shpallje paraprake për situata emergjente’. Në qoftë se është kështu, po! Po ti nuk e ke guximin sepse nuk e lexon ligjin. Pra, ligji është shumë i qartë. Qeveria shqiptare zgjodhi të adresojë një situatë emergjente.
Impianti është aty, vepra po bëhet. Po e përsëris, parapagimi në kontrata për linja teknologjike është standard. Keni shumë biznesmenë këtu. Biznesmenët e dinë shumë mirë, kur porosit linja teknologjike paratë duhet ti kesh se nuk mund të prodhojë njeri një linjë teknologjike 20 milion euro, në momentin që ti i thua do ti kem lekët pas dy vjetësh. Nuk funksionon kështu. Gjeni një rast të ngjashëm, merrni një kontratë qeveritare tjetër, ku ka linjë teknologjike në qoftë se nuk janë dhënë paraprakisht. Pra, ky është parimi bazë. Qëndrojini parimit. Argumentet tuaja të kenë të kenë vlerë kur parimet ligjore dhe të kontraktorit të qëndrojnë. Nëse vini re shkelje të qeverisë keni të drejtë ti denonconi. Por mbi të gjitha shkoni e shikojeni njëherë vetë atë, binduni funksionon siç duhet dhe pastaj hajde na kërkoni llogari.
Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë