Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri gjatë seancës parlamentare:
I nderuar z. Kryetar,
Të nderuar deputetë dhe qytetarë që na dëgjoni,
Në rendin e ditës është një marrëveshje e rëndësishme që i intereson mbarë publikut shqiptar por gjithësesi është normale që të flasim dhe të shpjegojmë edhe pseudo akuzat e hedhura në publik këto ditë e që vazhdojnë rreth Rrugës së Kombit. Akuza që hidhen nga pseudopatriotë, gjoja në emër të patriotizimit, por në fakt anatemojnë atë çka ka bërë qeveria shqiptare për mirëmbajtjen e një aseti shumë të rëndësishëm siç është Rruga e Kombit. Më kujtohet një shprehje e fashme ‘pseudopatriotizmi është streha e fundit e maskarenjve në politikë’! Realisht, janë njerëz që edhe kanë patur kontribut në këtë politikëbërje në mënyrë të vazhdueshme, fatkeqësisht është shprehja më e qartë e politikës mjerane që nuk merr parasysh interesat e popullit, as interesat ekonomike të këtij vendi por thjesht mundohet të përfitojë nga politika e ditës. Këtu besoj të gjithë na kuptojnë, bëhet fjalë për atë çështjen e fundit, se fatkeqësisht opozita gjithmonë do të kapet nga ngjarja e ditës, pa patur një strategji të qartë se ku do të shkojë. Është gjithë ky debate për tarifën që do të paguhet për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit.
Fatmirësisht, ka një gjë të mire. Duhet të biem të gjithë dakord se kjo rrugë është shumë e shtrenjtë për shqiptarët por e domosdoshme. Asnjë nuk e ka vënë në diskutim këtë. Është një rrugë që i ka kushtuar shqiptarëve 1.3 miliard dollarë, një rrugë që nuk ka përfunduar dhe akoma kërkon rreth 300 milionë dollarë të tjera. Të paktën në filozofi, të gjitha qeveritë në vazhdim kanë qenë dakord dhe mjafton t’i kthehemi kujtesës. Po ju kujtoj një fjalim të Sali Berishës në Gusht të vitit 2010.
“Ne e ndërtuam, për ta mirëmbajtur nuk e mirëmbajmë dot, sepse nuk kemi organizma të fuqishme, sipërmarrje shtetërore për mirëmbajtje kaq të fuqishme. Ne do të detyrohemi që atë t’ia japim një kompanie të madhe, siç bëjnë të gjitha vendet, që siç e keni dëgjuar, ose i japin me koncesion, ose i privatizojnë, sepse mirëmbajtja e tyre është një proces shumë i rëndësishëm”, thotë Sali Berisha në vitin 2010.
Dhe me të drejtë filloi një procedurë e dhënies me koncesion e vitit 2011. Në atë kohë, i ndjeri Olldashi pak a shumë mbante të njëjtin qëndrim edhe këtu në Parlament dhe procedura u fillua me miratimin me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 874, 14.02.2011, ku thotë “për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion për mirëmbajtje, operim, rehabilitim, të autostradës Milot-Morinë”. Pasi publikoi ftesën për ofertë, u bë faza e parë e parakualifikimit dhe në fazën e parë u përzgjodhën një grup kompanish nga ato kompani që morën pjesë në procedurën e organizuar nga qeveria jonë dhe në qershor të vitit 2013. Nuk pati më interes për fazën e dytë për shkak kuptohet edhe të situatës politike të paqartë dhe le të themi siguria e padiskutueshme që Partia Demokratike do dilte në opozitë. Normale edhe investitorët kuptojnë si shkon trendi politik i diçkaje për shkak të sigurisë së investimit të tyre.
Është një proces që e ka filluar opozita e sotme me të drejtë dhe këto janë procese që marrin shumë vite. Realisht, më mirë se sa e perifrazon në fjalën e vet Sali Berisha nuk mund ta thoja. Ndërkohë, dua të përshendes këtu edhe ministrat kolegë të LSI, me të cilët kemi qeverisur së bashku për 4 vjet dhe kanë mbajtur një qëndrim jashtëzakonisht korrekt. Unë i përgëzoj ata për një punë të mirë që kanë bërë në realizimin e këtij koncesioni. Më vjen keq që kolegë të tjerë dalin dhe bëjnë patriotin sa herë janë në opozitë. Kur janë në qeveri e mbrojnë patriotizmin e nevojshëm për ta mirëmbajtur këtë rrugë kombëtare, kur dalin në opozitë harrojnë që kanë qenë po ata njerëz të cilët kanë bërë po ato procedura dhe fillojnë i anatemojnë. Tani sinqerisht kjo më duket qesharake! Një karagjozllëk politik i rastit që nuk na bën dëm ne, i bën qesharak ata që i thonë. Normalisht unë dua të citoj disa ministra të LSI-së që me të drejtë kanë thënë dhe po citoj Edmond Haxhinaston.
“Mendoj se do ndjekim një praktikë që tashmë është botërore. Është e domosdoshme që përdoruesit e rrugës, për të marrë një shërbim me cilësi më të lartë duhet të kontribuojnë për mirëmbajtjen e rrugës. Kjo masë që unë thashë është llogaritur duke patur parasysh edhe mesataret rajonale. Nuk është më e lartë se mesataret rajonale. Ajo masë është relativisht gati sa 3-4 litra naftë dhe besoj që do jetë një kosto e përballueshme nëse do kemi parasysh cilësinë e re që do të ofrohej në rrugë në rastin e realizimit të të gjitha shërbimeve të mirëmbajtjes që ajo rrugë ka nevojë”, shprehej Edmond Haxhinasto.
“Është e rëndësishme që ky koncesion të fillojë të fillojë të operojë sa më parë. Është shumë e rëndësishme që të përfundojë i gjithë projektin, sepse projekti i rrugës ende nuk ka përfunduar i gjithë, dhe është shumë e rëndësishme që rruga të mirëmbahet. Mosmirëmbajtja e rrugës atë investim strategjik e kthen në një investim dramatik më pas, që do të dojë kosto pafund për t’u rivendosur përsëri në parametra normalë. Kështu që besojmë se po ecim në drejtimin dhe në rrugën e duhur”, shprehej Sokol Dervishaj.
Ylli Manjani, prap koleg i nderuar se e kam parë shumë aktiv këto ditë në media. Për çudi, Manjani i vitit 2015 ndryshon nga Manjani i vitit 2018.
“Nevoja për para për ta mirëmbajtur këtë rrugë është e jashtëzakonshme, mund t’iu them vetëm një fakt, që vetëm në tunelin e Thirrës, vetëm energjia elektrike sot paguhet diku te 500 mijë dollarë në vit, vetëm faturë energjie elektrike. Rruga e Kombit nuk ka përfunduar dhe që të përfundojë Rruga e Kombit duhen edhe të paktën 200 milionë euro të tjera, aq sa akuzohet z. Basha sot që i ka zhdukur. Tani në të gjithë botën sistemi rrugor paguhet, ose nga sistemi i taksave, ose nga sistemi i trarëve që vendosen kur njerëzit paguajnë sipas mënyrës së përdorimit, ose në mënyra të kombinuara. Nuk ka sistem tjetër, kjo është e gjithë historia. Dhe kur flasim në qoftë se duam të krahasojmë me perëndimin, në perëndim çdo njeri që punon dhe paguhet, minimumi 40% e pagës i lihet shtetit, në çdo sistem perëndimor”, deklaronte Ylli Manjani.
Pse i thash të gjitha këto? Nuk dua që të nxis debat fals politik, as të përgojoj njerëz, por dua të them që ka një qëndrim konsistent që nga qeverisja e PD, perifrazuar në fjalët e Sali Berishës. Ai tha se është e nevojshme mirëmbajtja sepse ky është një aset shumë i shtrenjtë e deri tek qeverisja jonë, së bashkë me ish-aleatët në 2013-2017, ku përcaktuam dhe morën edhe një konsulentë nga IFC dhe bëmë një studim fizibiliteti. Nxorëm konkluzione që për ta mirëmbajtur këtë rrugë dhe për ta përfunduar atë pjesë që do të mirëmbahet duhen investime të konsiderueshme. Për këto investime patjetër duhet të kontribuojnë përdoruesit e tyre. Unë dua t’i jap disa përgjigje publikut edhe në lidhje me spekulimet që janë hedhur në ditët e fundit në lidhje me këto.
Së pari, çfarë do të bëhet më këtë koncension? Sipas kontratës, koncensionari parashikohet të investojë 262 milion euro gjatë jetës së kontratës, që do të thotë operim, mirëmbajtje rutinë por edhe investime të nevojshme sepse rrugët kanë normë të lartë amortizimi, sidomos ajo lloj rruge. Është rrugë në një terren malor, rrugë që ka një terren të vështirë nga pikëpamja gjeologjike dhe duhen para. Mendoni sikur mos të mirëmbahet ajo rrugë! Ajo rrugë për pak vjet mund të dalë e gjitha jashtëpërdorimit. Pra, do të thotë që ato 1 pikë ca miliardë dollarë që e thyen vendin një herë në mes, ta thyejnë për herë të dytë por duke u zhdukur edhe rruga. Ky është realiteti! Vetëm 4 vitet e para do të investohen 45 milion dollarë ku përfshihet rrethimi, ndriçimi i kryqëzimeve ekzistuese, ura e re mbi Drin, ndërtimi i 7 kryqëzimeve, masa korriguese në urat ekzistuese, ndërtim mbikalimi për këmbësorët në Kukës dhe qendra e kontrollit të sinjalistikës.
Gjithashtu, për rehabilitimin në autostradë dhe në tunel që nga viti i pestë deri në vitin e 30-të janë parashikuar të investohen 54 milion euro. Ka filluar të investohet për mirëmbajtjen dhe operimin e autostradës dhe ku gjatë jetës së kontratës do të ketë 160 milion euro. Nga do të dalin këto? Shqiptarët do të vijojnë të paguajnë me taksat e tyre duke i hequr nga shëndetësia, nga shkollat apo nga sektorë shumë jetikë për vendin dhe të hidhen paratë në një rrugë. Jo! Kjo nuk bëhet. Përdoruesi i rrugës do paguajë. Pse del kaq kjo tarifë? Le të themi se marrë edhe një lloj risku sepse aq është trafiku. Nga pikëpamja e fizibilitetit ekonomik, ata që bëjnë shkenca ekonomike këtu për transportin e dinë se ajo rrugë nuk ta kthen investimin. Një rrugë me 4000 – 4500 makina në ditë nuk ta kthen investimin dhe kjo dihet. U bë si një rrugë patriotike dhe shumë dakord. Ne si Komb paguam një taksë patriotike për ta ndërtuar. Ama përdoruesit e asaj rruge duhet të kontribuojnë që ai aset të mirëmbahet. Është një praktikë e njohur evropiane. E përmendin perëndimin për gjëra të tjera por për këtë nuk duan ta përmendin. Më thoni një vend europian që nuk ka tarifa për mirëmbajtjen e rrugëve. Nuk ka formë tjetër të mirëmbash rrugë, nuk ka buxhet. Nuk ka Shqipëria buxhet, nuk ka perëndimi buxhet për të mirëmbajtur rrugë. Kështuqë kjo është forma e vetme për ta patur atë aset. Është më e dhimbshme që ai aset të humbë dhe keqadministrohet në mënyrë të tillë. Nga ana tjetër, sërish nga pseudopatriotë është hedhur idea e dëmtimit të interesave tregtare. Thonë që do të lëvizë trafiku dhe do të shkojë në Greqi, në Maqedoni duke u shmangur Porti i Durrësit.
Janë disa të dhëna që mund ti nxjerrë kushto për ti kthyer përgjigje këtij spekulimi. Nëpërmjet Autostradës E-75 dhe nga Selaniku të Egnatias, 705 km, 8 orë udhëtim me kosto 10,5 Euro në Serbi dhe 3+6,5+5 Euro në Maqedoni dhe 6,3 (Evzoni)+4,2(Malgara)+8,4 (Polymylos)+7,4 (Malakasi)+4,2 (Pamvotida)+ 7,4 (Tyria) në Greqi (për kategorinë e mjeteve më të rënda). Kosto totale për një rrugë- vetëm vajtje- 62,9 Euro, në Autostradë.
Nëpërmjet Autostradës E-75, rrugës A3 në Maqedoni, E-65 dhe nga Egnatia në Greqi 665 km, 8 orë udhëtim me Kosto 10,5 Euro në Serbi dhe 3+6,5+5 Euro në Maqedoni dhe 7,4 (Malakasi)+4,2 (Pamvotida)+ 7,4 (Tyria) në Greqi (për kategorinë e mjeteve më të rënda). Kosto totale për një rrugë- vetëm vajtje- 44 Euro, me udhëtime edhe në rrugë nacionale jo në autostradë.
Do të thotë se nga të gjitha pikëpamjet nuk ka mundësi dhe të gjithë ata që dalin e spekulojnë këtu le të bëjnë një llogari ekonomike. Nëse flasim më pas për pushimet, nëse një njeri që vjen dhe shpenzon 1 mijë euro për pushime do ngrejë shqetësim të rritjes së kostos shumën 5 euro për të kaluar?! Ku do shkonte për pushime? Do shkonte në Greqi, që do i shkonte 30 euro me makinë, apo do shkonte në Bullgari që edhe aty do të paguante. Pra, të gjitha këto janë spekulime të çastit që mendojnë se kapin vëmendjen për momentin kur i dëgjon por nuk kanë asnjë logjikë prapa.
Nga ana tjetër, ju të PD duhet të na thoni a ka taksë më të çuditshme se sa ajo e skanimit të çdo lloj malli?! E kuptoni që edhe për energjinë elektrike që nuk është mall që shikohet por janë elektrone që kalojnë nëpër tela, paguhen 22 euro për atë skanimin. Është e vërtetë , nuk e sheh dhe ti paguan. Pra këta futën taksën koncensionare për skanimin e mallit përfshirë edhe gjëra që nuk i sheh pasi nuk ke çfarë skanon. Është taksë tamam 22 euro për çdo faturë dhe u merakoskan për mirëmbajtjen e kësaj rrugë?! Ky është realiteti.
Rrugët janë shumë të rëndësishme dhe mirëmbajtja e tyre është një barrë e madhe për qeverinë. Patjetër që këtë barrë do ta ndajmë me të gjithë. Nuk ka pse të paguajë ai që nuk do e përdori dhe paratë e nevojshme të qytetarëve shqiptarë të shkojnë për mirëmbajtje të rrugëve të cilët janë asete. Ka rrugë alternative, janë shumë më të gjata por kemi zgjedhur një transport më të shpejtë dhe patjetër kush fiton në kohë do paguajë një tarifë ekstra. Në përputhje me atë çka ka konstatuar konsulenti, në kontratën koncesionare është parashikuar se për mjetet frekuente, pra ato që udhëtojnë shpesh do të ketë një tarifë më të reduktuar. Do të thotë që brenda 6 muajve, sëbashku me koncensionarin do të bëhet një zgjidhje siç e kanë në vende të tjera të botës, që ke një abone që bën një çmim të reduktuar dhe ke mundësi ta minimizosh këtë kosto. Nga ana tjetër, në tre vitet e para janë parashikuar pagesa në favor te shtetit për të zbutur këtë element social ekonomik. Janë 130 mijë euro çdo vit të cilat do të administrohen me këtë qëllim për të zbutur efektin ekonomik të zonave. Ndërsa tarifa mblidhet në tunel, banorët e zonave nuk ndalohen të lëvizin nga fshati në fshat apo nga qyteza në qytezë përgjatë rrugës së kombit.
Përpara se të dilni këtu, duhet ti bëni thirrje vetes çfarë do të bëja unë po të isha në detyrë. E futët Shqipërinë për arsye patriotike në një ndërrmarje të vështirë dhe ne thash po e përkrahim këtë, normalisht po e vazhdojmë që ti plotësojmë në investimet shtesë të kësaj rruge. Kjo rrugë nuk ka përfunduar ashtu siç nuk mbaroi asnjë rrugë në Shqipëri. Pra, thash gjithmonë keni pas dëshira, i keni lënë në mes dhe gjithmonë i kemi përfunduar ne. Koston e kemi mbajtur ne. Që të gjitha qeveritë kanë qenë dakord dhe pseudopatriotizmi nuk vlen fare për ato elementë që i kushtojnë popullit shqiptar dhe kjo është parimore. Kush përdor makinë dhe kush do ta përdori atë rrugë, do të kontribuojë aq sa janë mundësitë. Nëse do të rritet trafiku në përmasa të tilla që rruga mund të bëhet më vizibël, patjetër shteti përfiton më shumë dhe mund ta kthejë mbrapsht këtë investimqë vjen nga rritja e trafikut.
Sot ajo rrugë nuk ka trafik dhe nuk mund të mirëmbahet me ato pak makina që kalojnë aty. Kjo është qasja e kësaj qeverie, që përdoruesi do të paguajë ndërsa shteti do të marrë përsipër risqet e tij edhe për të përfunduar rrjetet e tjera rrugore. Po ju edhe ato po i anatemoni sepse unë nuk di çfarë forme tjetër të gjejmë për të ndërtuar rrugë. Kur buxhetet janë minimale, as me pagesë nuk doni, as që ne të bëjmë Partneritet Publik Privat duke thithur kapitalin privat dhe duke i shtyrë ato në kohë nuk doni. Atëherë ju thjesht spekuloni gjatë ditës që në Shqipëri mos të bëhen rrugë dhe ju të kënaqeni se gjoja ky popull që vuan, do t’ju vlerësojë ju dhe do të vini si shpëtimtarë për ti nxjerrë nga bataku ku edhe i futët vite më parë.
Me këtë analizë të thjeshtë që bëra për qytetarët e Kosovës dhe për këdo, besoj është e qartë se nuk asnjë impakt ekonomik nga vendosja e kësaj tarife. Të gjitha krahasimet e bëra, qoftë rruga përmes Maqedonisë, qoftë rruga përmes Greqisë janë shumë më të shtrenjta dhe të gjithë i dinë këto. Bizneset shqiptare nuk do të afektohen nga ky proces, përkundrazi po ka një gjë patriotike për të bërë çdo konsumator dhe çdo shqiptar është të kontribuojë në asetet e këtij vendi. Dhe kjo është e vetmja formë për të kontribuar dhe për ta mirëmbajtur asetin kaq të rëndësishëm që filluat ju, po e mbarojmë ne, por mbi të gjitha do ti qëndrojë përtej shumë qeverive.
Faleminderit!
Replika e ministrit Gjiknuri pas fjalës së deputetit Sali Berisha:
Ky është si Zhvejku, thotë “nuk ka ç’më duhet mua se çfarë bëj unë”. Unë pak më parë citova në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe më vjen keq që ta përsëris sepse ia vlen që ti qëndroj debatit çfarë ka thënë ky njeri.
“Ne e ndërtuam, për ta mirëmbajtur nuk e mirëmbajmë dot, sepse nuk kemi organizma të fuqishme, sipërmarrje shtetërore për mirëmbajtje kaq të fuqishme. Ne do të detyrohemi që atë t’ia japim një kompanie të madhe, siç bëjnë të gjitha vendet, që siç e keni dëgjuar, ose i japin me koncesion, ose i privatizojnë, sepse mirëmbajtja e tyre është një proces shumë i rëndësishëm”, thotë Sali Berisha në vitin 2010.
Gënjeshtra e dytë, nuk ka rëndësi se çfarë them unë thotë, nuk më duhet mua se ç’them unë! Unë thotë, pasi bëra studimin e hoqa sepse nuk isha dakord me taksën. Gënjeshtër e madhe. U shpall procedura e koncesionit me VKM Nr. 874, 14.12.2011. Hapja e procedurës së koncesionit pas studimit të bërë të para fizibilitetit, të bërë nga autoritetet shtetërore dhe të miratuar nga Sali Berisha, ku parashikohej tarifa përkatëse për mirëmbajtjen e rrugës. Iku se e di që do të ballafaqohej me të vërteta. Pra, ajo çka ka thënë në Parlament në 2010 e ka bërë realitet në 2011 me vendim qeverie dhe me procedura koncesionare.
Nuk është fare e vërtetë që u pendua rrugës, përkundrazi nuk pati asnjë ofertë serioze pasi koncesioni u shty deri afër zgjedhjeve dhe kompanitë nuk u paraqitën për oferta. Për mungesë konkurencë u detyruat ta anulonit atë procedurë për ta lënë pas zgjedhjeve. Ky është realiteti dhe këtë duhet ta dinë qytetarët e Kukësit, edhe qytetarët e Kosovës për ata që spekulojnë këtu. Ky është realiteti, qeveria e ka pasur në plan, ka bërë studim, ka llogaritur tarifa dhe e fundit fare asnjëherë nuk ka parashikuar fonde të mjaftueshme për mirëmbajtjen. Nga ana tjetër, kur thua që aseti duhet mirëmbajtur nga fonde shtetërore, a e dini ju se nuk janë dhënë fonde për rrugën Durrës-Kukës prej vitesh?! Po të shikoni fondin e mirëmbajtjes sivjet, pa këtë rrugë, fondi sivjet i të gjitha rrugëve të Shqipërisë është 32 milion euro. Kurse zotëria pasi e bëri rrugën nuk pagoi fare për mirëmbajtjen. Kaloni në atë rrugë, aty ka rrëshqitje të strukturave gjeologjike, ka degradim të gjithë asaj rruge dhe po ju them një gjë e cila nuk është populizëm por njerëzit e gjykojnë. Pyetjen shtrojani vetes, a janë të gatshëm shqiptarët të paguajnë edhe 200-300 milionë të tjera nga taksat e tyre për ta sjellë në gjendje normale atë rrugë?! Apo përdoruesit e asaj rruge do paguajnë?! Kjo është dilema. Për këtë duhet të përgjigjet ai dhe jo të thotë broçkulla këtu. Se nesër do vini në qeveri, kur t’ju vijë dita dhe para këtyre dilemave do të ndodheni.
Bëhuni seriozë dhe të paktën qëndrojini veprimeve tuaja. Edhe ky Shvejku që foli këtu, ti qëndrojë deklaratës që ka dhënë dhe vendimmarrjes përkatëse me procedurat e koncesionit që hapët. Siç kolegët e LSI dolën këtu dhe zoti Haxhinasto tha të vërtetën. Po kemi qenë tha, është një projekt i nisur nga ne, pra nga qeveria jonë kur ata ishin ministra. Kjo është e vërteta. Këto janë dilemat e vazhdueshme të mirëmbajtjes së infrastrukturës, jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë. Nuk mund të bëhen me llafe, as me dëshira. As me ato teoritë tuaja, hajde ta fillojmë rrugën se ka 5 lekë dhe lekët si shohim kur të hapim rrugën.
Faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë