Fjala e ministres Balluku për autorizimin e Agjencisë Shtetërore për shpronësimin e pronarëve ku do të ndërtohet spitali i ri i Fierit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 28/01/2021

Fjala e ministres Balluku për autorizimin e Agjencisë Shtetërore për shpronësimin e pronarëve ku do të ndërtohet spitali i ri i Fierit

Fjala e ministres Belinda Balluku, “Për autorizimin e Agjencisë Shtetërore për shpronësimin për negocimin e afatit të shpronësimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të nevojshme për ndërtimin e spitalit të Fierit”

E nderuar drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar kolegë,

Viti që lamë pas ishte një vit sprove për të gjithë globin. Pandemia Covid-19 na përballi të gjithëve me sfida të shumta, pasiguri, ankth, ndërkohë që Qeveria Shqiptare u vendos përpara vendimmarrjeve të vështira në momente kritike. Megjithatë nga kjo periudhë sprove ne kemi nxjerrë dhe mësime.

Pandemia ashtu sikurse dhe tërmeti na vërtetoi dhe një herë se kush janë miqtë tanë dhe kush na ka qëndruar pranë në këto momente kaq të vështira. Gjej rastin të falënderoj të gjithë partnerët tanë që na janë gjendur pranë gjatë gjithë kësaj periudhe të pandemisë me kontribut financiar e material që nga respiratorët, kitet e testimit, maskat e tashmë dhe me vaksinat.

Republika e Turqisë është një prej tyre dhe gjej rastin të falënderoj këta partnerë që përveç kontributit të dhënë deri më tani me materiale spitalore do të financojnë gjithashtu ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit. Një investim i qenësishëm i cili parashikohet të ketë një vlerë rreth 60 milionë euro.

Sikurse dhe kryeministri Rama ka theksuar, spitali rajonal i Fierit do të jetë një spital publik, pjesë e rrjetit të spitaleve të Republikës së Shqipërisë. Republika e Turqisë do të mbështesë spitalin e Fierit me personel mjekësor, ekspertizë dhe teknologji duke kontribuar kështu në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore, si dhe aplikimin e praktikave dhe standardeve më të mira në shëndetësi.

Ndonëse gojët e liga e etiketuan projektin e spitalit rajonal të Fierit si një premtim bosh, ne përsëri provuam me vepra dhe jo me fjalë se spitali po bëhet realitet pasi kantieri në Fier është hapur në datë 23 janar, ndërkohë që e gjithë procedura përgatitore ka nisur prej ditësh.

Ministria e Shëndetësisë, së bashku me partnerët turk, ka përfunduar detajimin teknik në lidhje me pajisjet dhe aparaturat që do të instalohen aty, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Agjencinë Shtetërore për Shpronësim dhe Bashkinë e Fierit ka përmbyllur procedurat paraprake të shpronësimit të 12 familjeve mbi pronat e të cilave po ndërtohet ky spital. Janë nënshkruar të gjitha marrëveshjet me banorët për angazhimin e ndërsjellët në funksion të kryerjes së procedurave ligjore për shpronësimin e tyre.

Kryeministri Rama është kujdesur vetë për këtë proces dhe ka pasur takime të njëpasnjëshme me të gjithë pronarët e truallit për të gjetur bashkëpunim dhe mirëkuptim nga ana e tyre.

Përmes dakortësisë së shprehur, me firmosjen e kësaj marrëveshje, banorët kanë marrë përsipër mos pengimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit mbi tokën e tyre menjëherë dhe përpara përfundimit të procedurës së shpronësimit e cila parashikohet të përmbyllet brenda 90 ditëve. Gjej rastin këtu të falënderoj të gjithë pronarët e truallit për mirëkuptimin që treguan dhe për mënyrën e shpejtë në reagimin e tyre për të mos penguar këtë projekt kaq madhor për të gjithë zonën e Fierit.

Akti normativ që Këshilli i Ministrave sjell sot përpara jush për votim vjen si një domosdoshmëri për mbushjen e kushteve të nevojshme ligjore për realizimin e investimit për ndërtimin e spitalit të Fierit. Akti normativ parashikon autorizimin e menjëhershëm të Agjencisë për Shpronësim për negocimin e afatit të shpronësimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme të cilat preken nga projekti i spitalit rajonal të Fierit dhe lidhjen e marrëveshjeve përkatëse për llogari të shtetit shqiptar. Theksoj se Agjencia autorizohet vetëm për negocimin e afateve dhe skematikës kohore të përfitimit të kompensimit dhe në asnjë rast për vlerën e tij, pasi pronarët do të kompensohen në bazë të çmimit të përcaktuar në legjislacionin aktual. Gjithashtu, më duhet të theksoj se ky akt normativ përforcon të drejtën e këtyre pronarëve për të ndjekur rrugën gjyqësore në rast kundërshtie për vlerën e shpronësimit.

Ky është rasti për të theksuar gjithashtu rëndësinë e Agjencisë të Shpronësimit Publik, mënyrën sesi sot ne, të bazuar mbi këtë Agjenci, mund të kryejmë veprime dhe procedura ligjore në kohë më të shpejtë dhe sigurisht përmes negocimit, fazë e cila ka munguar pavarësisht se legjislacioni e ofronte këtë mënyrë. Përmes negocimit nuk është kryer deri në krijimin e Agjencisë për shkak të pamundësisë duke qenë se e gjithë procedura e shpronësimit kryhej brenda ministrive. Kemi gjetur mirëkuptim dhe bashkëpunim në këtë rast nga pronarët dhe mendoj se kështu do të jetë edhe në të ardhmen, por sidomos në këtë rast, duke u mundësuar ndërtimi i këtij aseti të ri për vendin tonë.

Kantieri tashmë është i hapur, është siguruar furnizimi me energji dhe me ujë i këtij kantieri. Ka nisur puna për rrugët dytësore që do të aksesojnë spitalin, duke pasur parasysh edhe parametrat që kërkon aksesi në një spital siç është edhe hyrja e urgjencës dhe në ndërkohë mjetet e para nga Turqia, trajlerat të cilat po sjellin bazën materiale janë nisur, kanë arritur dy dhe po vijnë edhe shtatë të tjerë. Mbetet vetëm miratimi i këtij akti normativ nga Kuvendi për të vijuar punën për këtë vepër të madhe dhe të domosdoshme.

Ndaj ju ftoj të gjithëve sot që ta votoni.

Faleminderit!