Fjala e Ministres Balluku në Kuvend, programi i qeverisë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 16/09/2021

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend, programi i qeverisë

Fjala në Kuvend e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:

E nderuar kryetare e Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë,

Pyetja që më është drejtuar ka të bëjë me një informacion me të gjitha projektet që ne kemi nisur në infrastrukturë apo që do të nisen në muajt në vazhdim dhe cilat prej tyre do të përfundohen brenda këtij mandati të tretë të Qeverisë Rama.

Siç dhe kryeministri e tha dhe pa dashur që të përsëritem dhe të jap informacione të cilat u dhanë në mënyrë të detajuar, siç jeni dhe në dijeni, pasi ne kemi bërë të gjitha garat publike ashtu siç kemi bërë publike edhe planet për fillimin e garave në të ardhmen, do të ndaloja fillimisht tek portet.

Portet të cilat janë pjesë e paketës së zhvillimit infrastrukturorë, kanë nisur disa prej tyre për të realizuar, siç është në rastin e portit të ri të Durrësit, pra porti i ri tregtar në zonën e Porto Romanos, jemi tashmë në fazën e garës për projektin e detajuar, e cila përmbyllet në fund të muajit tetor për të nisur menjëherë më pas, pasi të marrim projektin e detajuar, për të nisur dhe garën ndërkombëtare për ndërtimin e këtij porti. Gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit do të vendos edhe një kohë limiti për ndërtim të 36 muajve. Kështu që porti i ri, ndërkombëtar i Durrësit i vendosur në zonën e Porto Romanos do të dorëzohet brenda këtij mandati. Gjithashtu, faza e parë dhe e dytë e projektit të Ballinës Ujore të portit ekzistues të Durrësit, i cili do të kthehet në një zonë e cila do të përfshijë edhe ndërtimet me destinacion turistik edhe përdorim për banim, por sigurisht edhe marinën elitare, të cilën bazuar në një marrëveshje qeveritare midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara kemi nisur nga puna për fazën e para negocimit, dhe ky projekt do të avancojë në fazën e parë dhe të dytë të tij brenda mandatit të tretë.

Për të vazhduar me portin e Vlorës. Porti i Vlorës, ashtu siç edhe e kemi thënë gjatë programit elektoral është një port i cili ndryshon destinacionin për tu lidhur kështu edhe me vazhdimin e Lungomares dhe kthehet në një port jahtesh, ndërkohë që porti tregtar zhvendoset në zonën e Triportit, duke krijuar atje një port të integruar për shërbime të cilat do të mbulojnë edhe të gjithë pjesën e lëvizjeve tregtare dhe për më tepër duke integruar këtë edhe me portin e Peshkimit që ndodhet atje. Një nga synimet kryesore për ndërtimin e Triportit është edhe krijimi i një zone ekonomike përreth portit të ri, duhet thënë gjithashtu që si ndërtimi i Triportit, ashtu edhe ndërtimi i portit të ri në Porto Romano, që të dyja këto vepra infrastrukturore do të shoqërohen me një paketë infrastrukturore mbështetëse që ka të bëj si me rrugët që do të ndërtohen në atë zonë, nënstacionet elektrike të cilat do të jenë të nevojshme për të përballuar edhe kapacitetet e shtuara që do të krijohen në të dyja këto pole, por sigurisht ne kemi parashikuar që të kemi mbështetjen edhe të lëvizjeve hekurudhore në paketat të cilat tashmë janë bërë edhe publike.

Pas operimeve që tashmë kanë nisur në mënyrë mëse normale, pa asnjë lloj kufizimi në aeroportin e Kukësit, jemi të përgatitur për të nisur shumë shpejt, brenda muajit nëntor, kantierin në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Po përmbushen hap pas hapi të gjitha paketat të cilat duhet të jenë të gatshme para nisjes së kantierit siç është studimi i ambientit, apo fizibiliteti ekonomik i gjithë këtij projekti dhe menjëherë ngritja e kantierit të tij në zonën e destinuar për tu bërë ky aeroport, i cili siç kemi cilësuar do të jetë aeroporti ndërkombëtar më i madh në vend me një pistë 3.2 kilometra ku një nga bërthamat e biznesit do të jetë edhe mirëmbajtja e avionëve, të cilën deri më sot në Republikën e Shqipërisë nuk e kemi pasur. Pra, përveç shërbimeve për aviacionin civil, ky aeroport parashikon që të ketë edhe shërbime për mirëmbajtjen e avionëve duke hapur një industri të re në këtë fushë, por sigurisht edhe shërbimin kargo, transportin e mallrave nga ajri që sot kapacitetet e Tiranës janë shumë të limituara vetëm në disa lëvizje.

Kemi hapur garën për aeroportin e Sarandës dhe ndërkohë që kantieri i Vlorës parashikohet të nisë në muajin nëntor për t’u përfunduar brenda këtij mandati, aeroporti i Sarandës si një aeroport turistik, sezonal, tek i cili pas studimit të fizibilitetit që kemi bërë na rezulton që do të përpunojë kapacitete të rëndësishme duke filluar nga muaji prill deri në muajin tetor, për t’i dhënë suport të gjithë rivierës jugore, për lëvizjen e charterave kryesisht, por pse jo edhe linjave që do jenë të skeduluara për periudhën e verës, sipas të gjitha studimeve tona, për shkak të kapacitetit të vogël do t’i duhen 24 muaj për ndërtim, kështu që duke marrë parasysh dhe kohën e garës, kohën e lidhjes së kontratës dhe afatet padyshim të përmbushjes së të gjitha studimeve paraprake që kërkohen para se të nisë kantieri, parashikohet që edhe ky aeroport të dorëzohen në pranverën e vitit 2025, pra në përfundim të mandatit të tretë.

Duke vazhduar më pas me infrastrukturën rrugore. Dua të qëndroj tek Korridori Blu, Korridori Adriatiko-Jonian për të cilin ne jemi të përgatitur prej kohësh bazuar në një studim fizibiliteti të financuar nga ËBIF, një garë që e kemi lançuar, por sigurisht për shkak të pandemisë dhe të gjitha problematikave që kompanitë kanë hasur me financimin u shty për një afat tjetër, kështu që me fillimin e punës në muajt në vazhdim do të rihapet gara për këtë Korridor Blu, por që sigurisht nuk pritet që të përfundojë brenda këtij mandati pasi do të ketë disa faza, duke përfunduar pjesën e parë ndoshta atë më të rëndësishme, pra nga rrethrrotullimi i Kasharit, i cili bashkohet edhe me bypassin e Tiranës, një projekt i mbështetur nga fondet e Bashkimit Europian që tashmë ka marrë aprovim dhe ne shpresojmë që të nisim shumë shpejt. Kështu që pjesa e parë nga nyja e Kasharit dhe deri në Fier pretendojmë që ta mbyllim brenda këtij mandati pas të gjitha afateve që do të parashikohen në kontratë. Ndërkohë që edhe pjesa veriore ne do të nisim menjëherë nga puna, por duke pasur parasysh gjatësinë e madhe të këtij korridori sigurisht do të ketë një afat pak më të shtuar në kohë. Për të plotësuar këtë korridor një nga elementët më të rëndësishëm është bypassi i Gjirokastrës për të cilin ne kemi aplikuar për fondet e ËBIF-it për të pasur një studim fizibiliteti të mirëfilltë dhe që shpresojmë që do ta marrim këtë mbështetje duke qenë se është pjesa e fundit e puzzle-it që plotëson të gjithë këtë korridor duke nisur nga Muriqani dhe duke përfunduar në exit point-in tjetër, pra në daljen kufitare të Republikës së Shqipërisë me Greqinë, pra në pikën e Kakavijës.

Projektet e tjera të cilat do të përfundojnë është unaza e madhe e Tiranës. Tashmë ndodhet drejt përfundimit të gjitha lotet edhe ato që kemi trashëguar prej 9 vitesh të papërfunduara, por edhe lotet e reja të cilat u hapën për më pak se 1 vit e gjysmë më përpara dhe janë gati dhe drejt përfundimit. Tashmë gara është e hapur për të vazhduar me pjesën nga lidhja e Shqiponjës dhe deri në zonën e Shkozës, pra tek loti i fundit ku mbaron materniteti, duke mbyllur kështu brenda 24 muajsh të gjithë Unazën e Tiranës, e cila padyshim nuk është një vepër infrastrukturore që i shërben vetëm kryeqytetit, por është një vepër e mirëfilltë që do ti shërbejë të gjithë shqiptarëve duke qenë se bën lidhjet me të gjitha autostradat hyrëse në kryeqytet duke nisur nga rruga e Arbërit, nga autostrada Tiranë-Durrës, autostrada e re e veriut pra ajo që është pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian, autostrada e Elbasanit dhe çdo rrugë tjetër që ekziston apo që do të ekzistojë në të ardhmen.

Do të desha të ndalesha gjithashtu edhe tek një pjesë tjetër shumë e rëndësishme që unë do ta quaja përsa i përket mandatit të tretë qeverisës së qeverisë Rama si një nga komponentët më të rëndësishëm që ka fokusin tonë dhe ne kemi nisur prej kohësh punën përgatitore ndaj tashmë ka ardhur koha për të marrë rezultate përsa i përket këtyre projekteve dhe ky është sektori hekurudhor. Sektori hekurudhor tashmë duke pasur edhe një vëmendje të veçantë nga Komisioni Europian dhe nga të gjithë forumet, ashtu siç është sekretariati i përhershëm i hekurudhave, kemi arritur që të përmbyllim fazën përgatitore të projektit të parë që është hekurudha Tiranë-Durrës duke pasur si pikë aksesi edhe aeroportin si nga Durrës dhe nga Tirana dhe jemi në një fazë përfundimtare dhe kantieri nis në fund të këtij muaji, pra para se të mbarojë shtatori ne do të nisim kantierin për hekurudhën Tiranë-Durrës. Në ndërkohë jemi në një fazë të maturuar dhe shumë të avancuar negociatash përsa i përket hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, duke qenë si një nga hekurudhat që arrin të ketë edhe një pikë interkoneksioni me kufirin malazez, duke na krijuar kështu një akses edhe në vendet e tjera të Ballkanit. Kjo hekurudhë si një paketë dhe më e madhe edhe me komponentë më të rëndësishëm pasi prek një pjesë shumë të mirë të gjithë territorit ka edhe disa elementë të tjerë të cilët do të facilitojnë këtë projekt, duke qenë se hekurudha është ekzistuese dhe nuk kemi një paketë për shpronësime siç kemi në rastin e Tiranë-Durrës, pra në gjurmën e re nga Tirana deri në Rinas apo nga Rinasi deri në Durrës. Pra është vlerësuar pavarësisht se është projekti më i madh që ne kemi në hekurudha pavarësisht se edhe si gjatësi pra është një nga hekurudhat më të mëdha, segmentet më të mëdhenj që ne kemi, sërish përsa i përket kompleksitetit hekurudha Vorë-Han i Hotit klasifikohet si një projekt me kompleksitet të ulët, kështu që ne jemi besimplotë që edhe ky projekt përveçse projektit Tiranë-Durrës do të dorëzohet brenda këtij mandati.

Ndërkohë në javën e ardhshme në Tiranë do të kemi një delegacion të Bankës Europiane të Investimeve që ka marrë përsipër të na mbështesë për projektin tjetër i cili është segmenti i parë i një segmenti ndërkufitar shumë të rëndësishëm, pra i segmentit nga Durrësi deri në Pogradec, më pas Lin dhe Maqedoni e Veriut apo më pas Lin dhe Greqi me dalje në Kristalopigji, por në ndërkohë do të nisim me segmentin e parë nga Durrësi në Rrogozhinë me mbështetjen e Bankës Europiane për Investim. Sigurisht në pyetje kisha edhe një kërkesë, detaj, përsa i përket bypassit të Elbasanit. Praktikisht kjo është një çështje që e kemi diskutuar disa herë dhe ka qenë një kërkesë e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste prej kohësh. E kemi diskutuar dhe bashkia e Elbasanit ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kooperacionin italian për të nisur fazën e parë të studimit të fizibilitetit dhe sigurisht duke parë ngarkesën e trafikut, por duke parë edhe të gjitha ndërlidhjet pra që ka tashmë qyteti i Elbasanit me autostradat e tjera sigurisht do të duhet që të rriten kapacitetet infrastrukturore për të mos kaluar më përmes qytetit dhe për ti dhënë mundësinë, ashtu siç e ka Fieri tashmë me bypassin që ka apo siç pamë dhe gjatë stinës së verës Vlorën sesi u çlirua nga trafiku menjëherë pas hapjes së bypassit dhe bypassi i Elbasanit është në planet e qeverisë  dhe në bashkëpunim me bashkinë e Elbasanit ne do të vazhdojmë punën për ta konkretizuar këtë projekt.

Faleminderit!

 

*****

 

Fjala e dytë në Kuvend e Ministres Balluku:

E nderuar kryetare,

Të nderuar kolegë deputetë,

Përgjegjësia dhe detyrimi ndaj qytetarëve në këtë moment historik është me e madhe se kurdoherë tjetër. Jo vetëm se për herë të parë një parti merr një mandat të tretë qeverisës, por sepse vitet e fundit janë shënuar nga fatkeqësi natyrore dhe sfida të tilla të jashtëzakonshme që në qoftë se nuk do ti kishim jetuar vetë në kurrizin tonë me siguri do mendonim akoma që janë vetëm nëpër filma.

Përballimi i pasojave shkatërrimtare të tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë së Covid nxorën në pah aftësinë dhe vizionin e qeverisë Rama 2 për të bërë të pamundurën për shpëtimin e jetës së qytetarëve nga njëra anë, por edhe për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit në kushtet e krize të rëndë jo thjesht kombëtare, por globale.

Pikërisht vlerësimi i qytetarëve shqiptarë bëri që angazhimi ynë të vlerësohej me rezultatet e votave që ne morëm në zgjedhjet e 25 Prillit. Dëgjova sot që fatkeqësitë na i paska dërguar Zoti për të treguar fytyrën e vërtetë të Edi Ramës, nuk besoj se ndokush e beson këtë se s’ka si të jetë e tillë. Megjithatë ne vazhduam punën dhe nuk e ndalëm për asnjë moment. Vazhduam punën kudo ku ishte e mundur në kantieret e infrastrukturës, në energji dhe më tej. Megjithatë tashmë shpresojmë që të jemi në fund të kësaj pandemie, shtëpitë e rindërtuara janë realitet, i shohim dhe nuk janë 3D, ashtu siç nuk ishte 3D as aeroporti i Kukësit fatmirësisht.

Objektivi strategjik i Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e transportit detar, ka në fokus ridimensionimin e superstrukturës portuale dhe të transportit detar përmes zgjerimit të zonave portuale, kompletimit me zona të zhvillimit ekonomik, zhvillimi dhe specializimit të porteve ekzistuese sipas sektorëve ekonomik primar ku operojnë si dhe përmes shtimit të strukturave të specializuara për akomodimin dhe ofrimin e shërbimeve për mjetet lundruese turistike, transportit të mallrave dhe atyre të pasagjerëve.

Konkretisht gjatë mandatit të kaluar kemi hedhur themelet për zhvillimin e projekteve që do të ndryshojnë rrënjësisht faqen e turizmit detar pasi vendit nuk mund t’i shërbejnë më portet ekzistuese me infrastrukturë të amortizuar e të orientuar vetëm ndaj peshkimit dhe mallrave dhe për më tepër të vendosur në zona kur dikur ishin në zona jo të banuara siç janë sot, apo siç janë kthyer në zemra të qyteteve.

Për të mos i kaluar edhe një herë projektet pasi u bënë gjatë seancës së pyetjeve zë për zë dhe në respekt të të gjithë kolegëve që duhet të flasin, po nënvizoj vetëm ato që janë më të rëndësishme. Si Porti i Durrësit e cila është porta kryesore ndërkombëtare e këtij sektori, pra qoftë tregtar, qoftë atij të pasagjerëve duke pasur parasysh që aty procesohen mbi 95% e materialeve që vijnë qofshin këto që vijnë nga eksportet apo nga importet, me volume dhe kërkesa gjithmonë në rritje dhe sigurisht i pozicionuar në një zonë e cila mund të jetë një zonë brilante turistike dhe jo një zonë ku përpunohen mallra apo ku shpesh herë për shkak të erës apo shiut, banorët e zonave përreth duhet të përballen me të gjithë pluhurin që vjen nga mineralet apo nga gruri.

Kjo qasje, e studiuar përsa i përket zhvillimit të porteve, atyre kryesorëve, Durrësit dhe Vlorës dhe duke u pasuar pastaj edhe nga portet më të vogla të cilat kanë mbetur në harresë, por që mund të kthehen në pika zhvillimore të turizmit, siç është Himara, Saranda apo dhe porti Shëngjinit do të rezultojnë shumë shpejt një nxitje e fortë ekonomike jo vetëm për qytetet ku ato ndodhen, por për gjithë Shqipërinë dhe pse jo dhe për rajonin.

Duhet thënë dhe theksuar gjithashtu që një hap i rëndësishëm është hedhur tashmë edhe në fushën e aviacionit civil. Portat e ajrit janë një tjetër mundësi për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit në përgjithësi dhe të turizmit në veçanti, me të njëjtin ritëm si në transportin detar, edhe në atë ajror vijon implementimi i strategjisë për krijimin e një rrjetit aeroportesh që do të mbulojë operimet e brendshme, ato rajonale dhe ndërkontinentale për t’i dhënë truizmit shqiptar nxitjen e nevojshme për t’u shndërruar në një shtyllë ekonomike të vendit, për të krijuar vende pune për mijëra qytetarë shqiptar dhe për t’i dhënë komuniteteve lokale një bum ekonomik të jashtëzakonshëm.

Aeroporti i Kukësit tashmë është një realitet. Operon pa asnjë lloj problemi, operon me një treg rajonal dhe jo vetëm atë të Republikës së Shqipërisë. E kemi parë gjatë periudhës së verës sesi është frekuentuar edhe nga udhëtarë dhe pasagjerë nga zona e Kosovës apo edhe nga zona e Maqedonisë së Veriut. Kemi parë aeroportin e Tiranës të arrijë shifra të cilat mund të quhen rekord dhe sigurisht me paketën pas negocimit të kontratës për të pasur kushte të reja, si me shtimin e pistës, ashtu dhe me shtimin e kapaciteteve ne jemi besim plotë që në verën e vitit të ardhshëm, kur ky projekt të ketë marrë formë, faza e dytë e koncesionit të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës atëherë ne do shohim kapacitete të rritura, cilësi shërbimi europiane, por padyshim dhe një numër akoma dhe më të madh të vizitorëve.

Aeroporti i Vlorës që nis vetëm pas pak ditësh kantieri i tij tashmë është një realitet. I ndaluar disa herë për shkak të pandemisë procesi i tenderit ndërkombëtar tashmë kemi një konsorcium serioz, i cili po hedh hapat e parë për ndërtimin e kantierit dhe për ta dorëzuar brenda 36 muajsh aeroportin më të madh në vend, atë i cili do të përmbushë edhe një ëndërr tjetër të shqiptarëve, lidhjen me kontinentet e tjera. Pra nga aeroporti i Vlorës shqiptarët do të munden të fluturojnë drejt Amerikës apo drejt Kanadasë pa pasur nevojë për të ndërruar fluturimin e tyre në aeroporte të tjera, duke akomoduar edhe një tjetër sektor të kësaj industrie kaq të rëndësishme që është ai i mirëmbajtjes së avionëve, duke hapur punë të reja për të gjithë shqiptarët dhe duke krijuar profesione të reja në aviacionin civil të cilat nuk ekzistonin deri më sot.

Infrastruktura rrugore vijon implementimin e strategjisë për ndërtimin e një rrjeti efikas dhe eficient të transportit rrugor të disponueshëm dhe të aksesueshëm nga të gjithë qytetarët, të menaxhuar nga autoritete të besueshme transparente me performancën e duhur dhe që siguron ndjeshëm mobilitetin, rritjen e cilësisë së jetës dhe rritjen ekonomike. Mekanizmat përmes të cilave parashikohet realizimi i një sistemi të një rëndësie të veçantë për jetën në vend përfshin investime kapitale të shtrira në kohë që përfshin të gjitha llojet e transportit dhe lidhen midis tyre si në infrastrukturën e transportit dhe në ato paralele, pra rrugët, shinat, aeroportet, portet, rrugët ujore. Transformimin e sistemeve të menaxhimit dhe prezantimin e zgjidhjeve inovative që lehtësojnë funksionimin e kësaj infrastrukture brenda të gjitha mënyrave të të gjithë sistemit të transportit përfshirë dhe dimensionin intermodal.

Për të kaluar tek hekurudhat, të cilat i thamë edhe gjatë seancës së pyetjeve, por dua ta nënvizoj pasi ne kemi një fokus të veçantë tek hekurudhat. Hekurudhat mund të quajmë kali i  betejës infrastrukturore gjatë mandatit të tretë. Objektivi primar në këtë sektor është kapërcimi i situatës ekzistuese dhe përthithja dhe zbatimi investimeve për të ndërtuar një infrastrukturë moderne hekurudhore, me qëllim lehtësimin e lëvizjes për qytetarët dhe mallrat, si në planin kombëtar ashtu edhe në atë rajonal, si dhe ndërlidhjen dhe integrim të tyre nëpërmjet rrjeteve tent të BE-së.

Për të bërë vetëm një ndalesë të vogël dhe për të shpjeguar që në programin qeverisës kemi parashikuar dhe krijimin e nyjeve, nyjeve infrastrukturore të cilat do të jenë të vendosura në pikat kyçe të territorit të Shqipërisë dhe do të kenë një infrastrukturë të integruar të cilat do të jenë të vendosura në Kukës, Milot, Durrës, Tiranë, Rrogozhinë, Pogradec dhe Vlorë dhe do të akomodojnë kështu autostrada, portat, aeroportet, hekurudhat dhe pikat e kalimit kufitar, duke përmirësuar aksesin, kostot dhe gamën e mënyrave të transportit, në funksion të sipërmarrjes, turizmit, sigurisë por edhe jetën së përditshme. Fatkeqësisht sërish ngel energjia por nëse flasim për transparencën e proceseve dhe konkurrencën e drejtë standardet tashmë i kemi vendosur. I kemi vendosur sepse janë fakte që nuk i mohon dot askush dhe unë baltës nuk i përgjigjem me fjalë, por i përgjigjem me punë. Vizioni ynë jo vetëm për këtë mandat, por Shqipëria e meriton që të kthehet në një forcë eksportuese të energjisë sepse i ka dhe fakti që kompani të mëdha si Voltalia apo si Bechtel të cilat tashmë kanë ardhur përmes konkurrimit të hapur dhe kanë investuar në Shqipëri dhe do të vazhdojnë të investojnë tregojnë dhe njëherë seriozitetin dhe vlerësimin për punën që ne kemi bërë dhe që partnerët ndërkombëtarë e kanë treguar dhe zyrtarisht. Me të vërtetë një sektor i cili do të ketë një vëmendje të veçantë është ai, sektori i ujit, i cili është trashëguar në një gjendje të mjerueshme. Kemi investuar dhe kemi bërë punë të ndjeshme në të gjitha zonat urbane, por sigurisht është një nga prioritetet që ne do të  kemi në mandatin e tretë.

Për ti lënë vend kolegëve që të flasim dhe duke kërkuar padyshim që programin të cilin e quajtët me epitete nga më të ndryshmet ta lexoni dhe nëse keni komente ti reflektojmë, do ishte mirë që ta diskutonim me njëri-tjetrin dhe jo ta anatemonim në çdo rast.

Faleminderit!