Fjala e Ministres Balluku në Kuvend, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BERZH, për marrëveshjen e huasë, ndërmjet OSHEE dhe BERZH, për projektin e OSHEE për reagimin ndaj krizës së pandemisë Covid-19” - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 28/10/2021

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BERZH, për marrëveshjen e huasë, ndërmjet OSHEE dhe BERZH, për projektin e OSHEE për reagimin ndaj krizës së pandemisë Covid-19”

Fjala në Kuvend e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në lidhje me projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BERZH, për marrëveshjen e huasë, ndërmjet OSHEE dhe BERZH, për projektin e OSHEE për reagimin ndaj krizës së pandemisë Covid-19”:

Ka pasur një qëndrim të ndryshëm nga grupet e opozitës në disa komisione është votuar pro, në disa është abstenuar dhe në disa kundra. Megjithatë e kemi diskutuar gjerë dhe gjatë dhe kemi kaluar edhe tej shpjegimeve që zakonisht jepen në raste të tilla, duke bërë transparencë si për deputetët edhe për publikun. Sigurisht kjo kredi ka nisur si punë nga OSHEE-ja, sigurisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe padyshim edhe nga Ministria e Financave diku në muajin qershor duke parë të gjithë impaktin financiar që Operatori i Shpërndarjes dhe kompanitë e tij bija kanë pasur gjatë periudhës së pandemisë. Dhe më pas sigurisht duke pasur parasysh edhe ndërprerjen e investimeve që kemi bërë gjatë kohës së pandemisë kemi qenë të detyruar që të kërkojmë një mbështetje financiare përmes kësaj huaje dhe duke e kërkuar këtë hua në një nga institucionet financiare partnere do ti quaja kështu pasi BERZH është një nga institucionet që ka mbështetur në disa projekte të rëndësishme apo reforma të rëndësishme si Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë ashtu edhe qeverinë shqiptare vendosëm ti drejtoheshim kësaj banke përsa i përket huasë.

Ashtu siç e përmenda më parë unë nuk do të dua në këto momente që të futëm dhe tu jap detaje përsa i përket të gjitha operacioneve që do të mbulohen nga kjo hua, duke filluar siç thamë nga nevoja që sot ndërmarrja e Operatorit të Shpërndarjes ka për të mbuluar të gjitha shpenzimet korrente, por padyshim edhe për të vazhduar me investimin shumë të rëndësishëm të nënstacionit të qendrës. Do të kaloja vetëm disa pjesë teknike të rëndësishme. Ky projektligj parashikon ratifikimin e marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe siç thamë Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Marrëveshja e garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BERZH-it përmban tre nene, ku sipas nenit të parë termat dhe kushtet standarde të BERZH-it konsiderohen si pjesë përbërëse e marrëveshjes. Neni dy përmban termat dhe detyrimet që rrjedhin nga garancia dhe neni tre përmban detaje mbi njoftimet dhe lëshimin e opinionit ligjor në përputhje me kushtet dhe termat standarde të BERZH-it.

Do të ndaloja vetëm një moment për mos t’ju marrë më kohë, tek termat e kredisë që do të akordohen nga BERZH për OSHEE sh.a. paraqiten si më poshtë. Shuma e kredisë 70 milionë euro, komision administrimi 1% e shumës së huasë, komision angazhimi 0.5% në vit të shumës së angazhuar dhe të papërdorur. Afati i shlyerjes 5 vite, periudhë e mos shlyerjes së principalit 1 vit. Norma e interesit euribor 6 milionë plus 1%.

Unë ju ftoj që ta votoni këtë projektligj ashtu siç kemi bërë edhe gjatë seancave të komisioneve. Është një moment kritik për sektorin energjetik. Është një moment kritik dhe një krizë globale të cilën pavarësisht se ndonjëherë mundohemi që ta përfshijmë në çështje politike, nuk mund të përfshihet pasi është një krizë e pamohueshme dhe që parashikohet të zgjasë gjatë.

Faleminderit!

 

****

 

Replikë e Ministres Balluku për Unazën e Madhe të Tiranës:

Para së gjithash projekti ka qenë i bërë nga ju në 2009 dhe ju nuk njiheni për projekte të mira. Gjithë projektet që keni bërë na është dashur ti rishikojmë, kështu që besoj që biem dakord në këtë fakt mbas 12 vitesh për shkak të urbanizimit të Tiranës nuk mund të zbatojmë projektin që keni bërë ju siç keni bërë dhe projektet e tjera në 2009. Ka një projekt të rishikuar i cili as nuk fut brenda toka as nuk nxjerr jashtë toka, por mundohet të jetë sa më efiçient pra të kalojë në sipërfaqe të cilat nuk kanë probleme gjeologjike apo të ketë sa më pak vepra arti të cilat rrisin koston. Kur dilni këtu dhe flisni realisht unë e kuptoj që ju bëni politikë dhe bëni shumë mirë dhe narrativën që duhet ta keni për votuesit tuaj, por tani të thuash që janë 3 kilometra kur janë 7.7 sikur nuk shkon. Ju bëni si të doni, por janë 7.7 kilometra nga Shqiponja deri tek Brryli aty ku do të nisin lotet e reja.

E nderuar zonjë, the një segment, por tashti ti do ti referohesh veprës sepse ju referove 700 shtëpive që duhen shpronësuar. 700 shtëpitë nuk ekzistojnë, ekzistojnë 110 shtëpi të legalizuara të cilat preken nga projekti dhe ekzistojnë 540 shtëpi të pa legalizuara që preken nga projekti. Projekti është 7.7 kilometra dhe nuk flasim me segmente dhe pastaj kur dilni bllof filloni dhe justifikoheni. Unë nuk e di ku janë këto banorët në protestë se nuk i kam parë. Me banorët jam ulur vetë nuk i keni informacionet e mira sepse keni vetëm familjen Ndreu nga ç’dëgjova dhe familjen Marku. Nuk besoj që janë ata që jetojnë vetëm në atë zonë. Pra këto 110 dhe 540 familje kanë mbiemra të tjerë të cilët janë njoftuar, janë takuar dhe nuk do të bëhet shpronësimi si e thoni ju se nuk bëhen gjërat siç mendoni ju dhe siç i keni pas bërë, shpronësimi bëhet në bazë të ligjit. Ka një ligj në Republikën e Shqipërisë sesi shpronësohet çdo pronar kur në situatë involvohet interesi publik. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë. Ne sot hapëm lotin e dytë dhe lotin e tretë. Për të shkuar sot nga pallati me shigjeta tek Brryli duhen ekzaktësisht 12 minuta.

Me hapjen e kësaj rruge, që mund të shkoni ta shikoni dhe ju, sot nuk do kalojnë më nga Rruga e Elbasanit dhe të qëndrojnë me orë në pritje sepse çdo qytet i madh, çdo kryeqytet në të gjithë botën ka trafik. Ajo që duhet të bëjë çdo qeveri është të zgjidhë problemet me trafikun, me transportin, me infrastrukturën.

Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë rrugë tani, ju pëlqen apo s’ju pëlqen juve, kur të vini ju mos i ndërtoni, siç nuk i ndërtuat kur ishit. Ne do vazhdojmë do ndërtojmë, do t’i ndërtojmë sipas standardeve europiane. Do shpronësojmë sipas ligjit në fuqi dhe jo siç doni ju, dhe fatkeqësisht duke qenë se edhe unë deputete jam dhe kam shpenzuar kohë në terren, nuk e di si ndodh ky fakt se nuk di të shpjegoj këtë punën tek legalizimet, nuk jam marrë ndonjëherë, por realisht ata që kanë legalizime janë kryesisht votuesit tuaj, se jeni kujdesur në atë kohë, kohën e Shaban Memisë, t’i ndanit ashtu siç duhet dhe t’ja çonit PD-së. Kështu që zakonisht ne përballemi kur shkojmë në terren, na thonë, si ka mundësi që tek ky oborri këtu, ky i PD-së e ka marrë, unë që votoj gjithë jetën juve nuk e kam marrë. Kështu që mos t’i futemi kësaj punës së politikës se kush i ka legalizimet dhe kush nuk i ka, pasi të gjithë trajtohen njësoj. Ata janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë, kush e ka shtëpinë të legalizuar do të shpronësohet sipas ligjit, kush nuk e ka të legalizuar, ndryshe nga ju ne nuk i lëmë në rrugë, por do vazhdojmë të ndërtojmë rrugë dhe kur të përfundojë e gjithë unaza e Tiranës, kur “Shqiponja” të bashkohet me segmentin që sot dorëzuam tek “Brryli” atëherë e gjithë Tirana do të përshkruhet në 20 minuta. Kjo është për t’u krenuar dhe jo për të dalë këtu dhe për të bërë abuzime me fjalë që nuk janë të vërteta duke nisur nga protestat që nuk i kemi parë se ku janë, tek  700 familjet që paskan dashur të na kontaktojnë, por dy emra përmendët, ndërkohë që unë kam takuar më shumë se 100 familje dhe dilkan punonjësit i takojnë, por patjetër punonjësit do dalin, kë prisni ju që të dalin t’i takojnë.

Çoni atje disa punonjës. Ne çojmë atje inxhinierët e ARRSH-së të cilët shpjegojnë se ku është gjurma, ku do kalojë dhe ku duhet të shpronësohen.

E nderuar zonjë, ne bëjmë punën ashtu siç duhet ta bëjmë sipas ligjit në rast se ju kjo nuk ju pëlqen ky nuk është faji jonë.

Faleminderit!