Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri u paraqit sot përpara Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ku u shqyrtua projektligji “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive ‘Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction’, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës”.
“Bëhet fjalë për ndërtimin e një aeroporti të ri në Shqipëri, aeroporti i Vlorës, por që normalisht nuk i shërben vetëm qytetit të Vlorës. Është një aeroport që do ti shërbejë të gjithë Shqipërisë, një aeroport ndërkombëtar, nuk është një aeroport thjesht turistik. Synon të marrë një pjesë të madhe të tregut në Shqipëri, por të shërbejë edhe si një portë e rëndësishme hyrëse për numrin e vazhdueshëm në rritje të turistëve të cilët po e vizitojnë Shqipërinë”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Duke iu referuar rritjes së numrit të pasagjerëve që përdorin trafikun ajror, ministri Gjiknuri tha se kemi një mesatare rritjeje me 10.5% çdo vit të numrit të pasagjerëve që lëvizin nga aeroporti i Rinasit, si aeroporti i vetëm ndërkombëtar në Shqipëri.
“Aeroporti i Rinasit ka vajtur në një vlerë gati 2.7 milion pasagjerë dhe normalisht po arrin limitet e tij. Kështu që e parë edhe nga domosdoshmëria apo nevojat e tregut, racionaliteti tregtar, nevoja është aty. Së dyti, po të shikoni numrin e chartereve që kanë filluar të përdorin aeroportin e Rinasit, kemi një rritje jashtëzakonisht të madhe. Mjafton t’ju them një shifër që nga viti 2013, kemi një rritje prej 62% të uljeve të chartereve sidomos në sezonin turistik. Kërkesa është vazhdimisht në rritje dhe nga të gjitha kontaktet dhe informacionet që kemi ka kërkesa të vazhdueshme, duke futur edhe linja të reja apo kërkesa nga vende të ndryshme të origjinës për të ardhur në Shqipëri, pasi gama e turizmit po rritet”, sqaroi Gjiknuri.
Në këndvështrimin e ministrit Gjiknuri, qasja e qeverisë është përmirësimi i infrastrukturës, do të thotë kompletimi i të gjithë rrjeteve rrugore të cilat çojnë në zonat më të vizituara të Shqipërisë dhe praktikisht, vuri ne dukje ai, fokusi edhe i investimeve ka qenë në këtë drejtim.
“Investime në infrastrukturë qoftë energjetike, qoftë në ujësjellës-kanalizime prapë për zonat turistike, duke i dhënë përparësi atyre. Shqipëria ka shumë nevoja por ne do të vendosim një prioritet aty ku hidhet paraja dhe të kthehet në mënyrë të shpejtë. Ky aeroport është pjesa tjetër e munguar e panoramës së konektivitetit dhe infrastrukturës. Aeroporti i Vlorës do të jetë një aeroport që do ti shërbejë jo vetëm turizmit, siç e thashë, por do ti shërbejë edhe lëvizshmërisë së qytetarëve përgjatë gjithë vitit”, nënvizoi Gjiknuri.
Studimi i fizibilitetit për këtë projekt është bërë nga një prej kompanive më serioze ndërkombëtare amerikane, e cila ka dhënë shifra konkrete edhe për mundësinë se ku ky aeroport do të marrë pasagjerë, plus edhe potencialin që ka me rritjen e vazhdueshme që do të ketë turizmi në Shqipëri.
“Aeroporti është i identifikuar të ndërtohet në zonën e Akërnisë, pra në zonën e Novoselës të Bashkisë Vlorë. Është një zonë që ka patur dikur një aeroport ushtarak, pra një aeroport që përdorej nga forcat e armatosura më parë. Ky aeroport nuk ka më qëllime mbrojtjeje dhe ka dalë jashtë interesit të Forcave të Armatosura, nuk ka probleme kryesore infrastrukturore, do të thotë nuk ka probleme sociale të karakterit të shpronësimeve të cilat mund të jenë gjëra minimale por që do të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi. Është një zonë, kryesisht e pabanuar, por njëkohësisht aeroporti do të sjellë një potencial shumë të madh zhvillimi jo vetëm për zonën e Novoselës por për bashkinë e Vlorës, për bashkinë e Fierit”, sqaroi Gjiknuri.
Ky projekt do të krijojë një zinxhir vlere ekonomike, duke krijuar të paktën 1000 vende të reja pune, si në fazën ndërtimore, por edhe shërbime nga më të ndryshmet që do të jenë të lidhura me funksionet e aeroportit.
Ministri Gjiknuri shprehu bindjen se kemi të bëjmë me një projekt serioz dhe se shoqëritë që e kanë propozuar janë shoqëri shumë serioze me kapacitete financiare dhe teknike.
“Dua të them që nga ana jonë, menjëherë, me autorizimin që do të na japë Kuvendi do të fillojë punën grupi negociator ku do të marrë në shqyrtim dhe do të negociohen disa terma financiarë dhe angazhimet që do të marrë qeveria shqiptare. Njëkohësisht edhe detajimi i mëtejshëm i gjithë elementëve për funksionalitetin e këtij aeroporti. Kështu që mbase disa detaje mungojë në relacion, por kjo është e natyrshme sepse duhet të kuptoni, është një procedurë normale ku paraqitet një ofertë. Oferta ka karakter konfidencial tregtar dhe deri sa ajo të përfundojë negocimin final me autoritetet shqiptare ato nuk mund të bëhen publike, pasi dëmtojnë thellësisht mënyrën dhe seriozitetin e negociatës në një marrëveshje tregtare. Ky është një parim ndërkombëtar, pra ka një balancë mes transparencës dhe interesit publik, për të përfunduar një nga veprat më të rëndësishme që po ndërtohet në vend”, tha Gjiknuri.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë