Fjala e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:
I nderuar zoti Kastrati,
Të nderuar miq dhe kolegë,
Mirë apo keq, unë këtu jam gjithmonë në shtëpi, pasi kam punuar për vite në aviacion dhe jo vetëm në petkun e Ministrit të Infrastrukturës dhe të Energjisë, por edhe në petkun e një prej profesionistëve të kësaj fushe, me të vërtetë i shijoj shumë arritjet tona. I shijoj shumë pasi këto arritje kanë ardhur në saj të një pune dhe të një angazhimi të përbashkët, i cili ka zgjatur prej vitesh dhe nuk ka qenë aspak e lehtë. Nuk ka qenë e lehtë pasi ta arrish dhe të kremtosh sot pasagjerin e 10 miliontë ka kaluar përmes një rruge të vështirë. Mbi të gjitha një rruge plot me dyshime, jo nga ne që e kemi ndërtuar këtë rrugë, por nga të gjithë të tjerët që e kanë përdorur për narrativë politike apo për narrativë publike, duke na akuzuar që të gjitha këto premtime ishin premtime në letër, ishin premtime 3D dhe që nuk do t’ia arrinim kurrë, madje edhe me një gëzim të madh, të pajustifikueshëm, duke pasur parasysh se edhe ata janë shqiptarë si të gjithë ne.
Ndaj do ta nis fjalën time duke falënderuar zotin Kastratit, jo për çfarë po i ofron aviacionit civil, por për një mision atdhetarizmi, sepse ajo çka ju po bëni sot me aviacionin apo edhe me sektorë të tjerë, me të vërtetë i nderuar, ka të bëjë me misionin që duhet të ketë çdo shqiptar për të kontribuar në vendin e tij, sado pak sipas mundësive apo sado shumë me mundësitë që keni ju. Siç thashë, megjithëse ky është një moment kremtimi për mua dhe për të gjithë ata që kontribuojnë sot në aviacionin civil duhet të jetë një moment reflektimi. Një moment reflektimi sepse ne nuk udhëhiqemi kurrë nga vetëkënaqësia dhe fakti që këtu në këtë aeroport, sot janë tejkaluar të gjitha parashikimet që ne kemi pasur ndër vite në planet tona afatmesme trevjeçare, apo në planet tona pesëvjeçare afatgjata, unë sërish do të thoja që tashmë ne duhet të punojmë fuqishëm, pasi në vitin 2025 kemi marrë një angazhim për të pasur në këtë aeroport mbi 12 milionë pasagjerë, diçka që nuk vjen as nga qielli, as se u poqën kushtet, as se e solli momenti, por vjen për shkak të punës së pandërprerë të secilit prej jush, të secilit prej jush që ndodheni këtu sot apo të gjithë atyre që unë i pashë tek vija këtu, në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, nëpër gate apo në pikat e kontrollit fizik, ku përcjellin pasagjerët dhe përveçse bëhet një mirë e madhe edhe përmes teknologjisë dhe jo vetëm përmes kontributit njerëzor, nga ana tjetër ajo që spikat sot është dhe mënyra profesionale sesi punonjësit e këtij aeroporti sillen me pasagjerët dhe me qytetarët.
Pasi ju nuk do të harroni një fakt shumë të rëndësishëm, ky është vendi ku ne prezantojmë fillimisht Shqipërinë. Para se t’i afrohen plazheve tona, maleve, fushave, kulinarisë shqiptare, porta e parë ku turistët futen dhe prezantohen me Shqipërinë, është Aeroporti i Rinasit. Ashtu siç janë dhe pikat kufitare padyshim, në të cilat ne kemi investuar këtë vit duke i njehsuar ato si nga ana vizuale, ashtu edhe nga ana e ofrimit të shërbimit. Por nga 11 milionë e 40 pasagjerët, turistët që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë dhe janë 11 milionë e 40, sepse po të thoja 11 milionë, do mendoni që kishte rrumbullakuar këtë shifër, po janë 11 milionë e 40 vizitorë të hyrë në vendin tonë deri në 30 nëntor dhe të gjithë këta, imagjinoni 10 milionë kanë hyrë nga Rinasi. Kështu që 90% e prezantimit të Shqipërisë në momentin e parë të hyrjes bëhet nga kjo port.
Gjatë pandemisë padyshim, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën u vu në dyshim një nga industritë më të avancuara, një nga industritë ku zakonisht fillon dhe ngjizet një teknologji e re, një nga industritë ku fillojnë dhe ngjizen procedura të reja, qofshin këto rregullatore apo ligjore, të cilat më pas përdoren si praktika më të mira edhe në sektorë dhe industri të tjera U vu në dyshim sesi do të ishte e ardhmja e aviacionit. Në ndërkohë pak para asaj periudhe, ne këtu në Shqipëri kishim nisur një strategji kombëtare për aviacionin civil, pra në fillim të vitit 2019 kemi shpalosur të gjithë planin tonë, strategjinë tonë për ta zhvilluar aviacionin civil në Shqipëri, duke pasur parasysh që vendi duhet të zhvillohej nga ana e turizmit dhe sigurisht ekonomia duhet të përfitonte një qëndrueshmëri nga ky sektor. Vetëm pak muaj nga shpallja e kësaj strategjie të madhe, ne arritëm që t’i hidhnim disa hapa të rëndësishëm siç ishte projekti i aeroportit të dytë, atij të Kukësit, duke i dhënë Shqipërisë dy aeroporte ndërkombëtare, por nga ana tjetër vetëm në fillim të vitit 2020 ne përballemi me fillimin e një pandemie, e cila ishte totalisht e paparashikuar dhe gjeti të papërgatitur gjithë botën. Sigurisht në ato momente, mbas një vendimmarrjeje të drejtë nga ç’duket sot për shkak të rezultateve, Qeveria Shqiptare vendos që të bëjë kalimin e kuotave nga një shoqëri kineze drejt një konsorciumi shqiptar. Patjetër u anatemua si gjithçka që ne bëjmë në qeverinë tonë, u vu shumë në dyshim kapaciteti i kompanisë dhe konsorciumit shqiptarë. U vu shumë në dyshim eksperienca që ky konsorcium do të kishte, megjithatë që në hapat e parë u duk serioziteti. Përmes ndryshimeve që erdhën në aeroportin e Rinasit, përmes ndryshimeve që pësoi stafi i këtij aeroporti, përmes ndryshimeve që pësoi teknologjia që përdorej në këtë aeroport dhe mbi të gjitha, përmes ndryshimeve apo kërkesave që u përmbushën në bazë të kontratës koncesionare e cila prej kohësh linte shumë për të dëshiruar.
Sigurisht të gjitha këto bënë që përmes një politike shumë agresive, që Qeveria Shqiptare ndoqi gjatë kohës së pandemisë dhe mënyrës më inteligjente, me të cilën ne u përballëm për të mos ndikuar në mënyrë negative sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, ne ia dolëm që nga vjeshta e vitit 2020, aviacioni të fillonte të rikuperonte me hapa të shpejtë për të ardhur pikërisht sot aty ku edhe Drejtori i Përgjithshëm e tha. Kishim planifikuar që të kishim trefishin e numrit të pasagjerëve, krahasuar me 2019, që ishte viti i fundit normal para pandemisë për aviacionin civil, po ndërkohë ne tashmë vetëm në 11 muaj e kemi kaluar atë premtim të dhënë për trefishin e numrit të pasagjerëve.
Nga ana tjetër, liberalizimi i tregut për operimet ajrore mundësoi futje nnë treg të operatorëve me tipologji të ndryshme nga ajo çka ishim mësuar për shumë vite, pra nga operatorët full-cost, kaluam edhe në një grup të madh operatorësh low-cost, të cilët rritën aksesin e popullatës tek aviacioni civil dhe nga ana tjetër ulën ndjeshëm çmimet e biletave që ka qenë një nga elementët më të vështirë me të cilën jemi përballur gjithmonë në këtë sektor. Pa dyshim si rrjedhojë e kësaj vendimmarrje e kësaj pune të mirë, që duhet thënë është bërë padyshim nga aviacioni civil, por është bërë dhe nga aeroporti ndërkombëtar i Tiranës në bashkëpunim, pra të këtyre dy institucioneve, ne kemi arritur sot që të jemi një aeroport që akomodon jo vetëm nevojat e udhëtarëve shqiptarë, jo vetëm nevojat e turistëve që vijnë si destinacion i fundit këtu në Shqipëri, por edhe nevojat e udhëtarëve nga të gjitha vendet e rajonit, të cilët tashmë zgjedhin Tiranën edhe për shkak të çmimeve të ulëta të biletave, por edhe për shkak të numrit shumë të lartë të destinacioneve krahasuar jo vetëm me vendet e rajonit, por dhe me vende të tjera të Bashkimit Evropian, por mbi të gjitha edhe për shkak të shërbimit ekselent që jepet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Një komponent tjetër suksesi padyshim është infrastruktura. Asgjë nuk mund të ndodhë pa infrastrukturën. Me gjithë dëshirën e mirë, me gjithë angazhimin e madh, në rast se nuk investohet ndjeshëm në infrastrukturë qoftë kjo në teknologji apo në infrastrukturë mekanike, padyshim nuk mund të kemi arritjet që patëm. Ndaj duhet njohur këtu e gjithë puna që është bërë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit përsa i përket shtimit të kapaciteteve terminalit, shtimit të kapaciteteve aeroportale, vendqëndrimeve apo dhe akseseve të tjera alternative në pistë dhe mbi të gjitha teknologjisë së re. Ju e dini shumë mirë sesi kanë qenë skanerat në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit dhe se si janë sot. Teknologjia që sot përdoret për skanimin e pasagjerëve në Aeroportin e Rinasit është nga teknologjitë më të larta, e cila gjendet vetëm në disa prej aeroporteve të Bashkimit Evropian dhe jo në secilën prej tyre që ka sjellë si rezultat përpunim më të shpejtë të flukseve të pasagjerëve, duke mos krijuar më rradhët me të cilat përballeshim vite më parë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me I – Gate. I – Gate të cilat tashmë përdoren gjerësisht nga pasagjerët, duke ulur kështu fluksin dhe problematikën në hyrje dhe në dalje të territorit. Duke filluar nga viti 2021, TIA ka kryer një sërë investimesh të mirëplanizuara. Unë e them dhe e përsëris këtë dhe nuk ka të bëjë vetëm me aviacionin, ndryshimi që kemi në pesëvjeçarin e fundit në të gjithë rrafshin e infrastrukturës në Republikën e Shqipërisë, vjen edhe për shkak të mirëplanizimit. Projekte të mirëstudjuara, projekte të ndërlidhura me njëra-tjetrën, të cilat në fund maksimalizojnë rezultatin pozitiv. Kështu që si pasojë e këtyre investimeve, ashtu siç thashë, sot janë në përdorim 70% më shumë vendqëndrime avionësh. Kapaciteti i përdorimit të pistës është rritur me 15%. Është dyfishuar territori i përdorshëm i terminalit dhe janë katërfishuar skanerat e sigurisë.
Do të desha të ndaja vetëm një shifër me ju, që është një tregues i jashtëzakonshëm. Aktualisht numri i pasagjerëve në orën pikë është rritur nga 1844 pasagjerë që kemi pasur në vitin 2019 në 3500 pasagjerë. Pra është dyfishuar për shkak të investimeve dhe të mirëmenaxhimit që kemi sot. Kjo rritje kapacitetesh, padyshim ka mundësuar të gjitha këto rezultate dhe sipas Eurocontrol performanca e aeroportit për sezonin veror 2024 është përmirësuar me 2.3 herë krahasuar me një vit përpara, pra me 2023, diçka që duhet nënvizuar pasi ne nuk jemi këtu në konkurrencë me 2019, apo me kohët më të hershme. Ne këtu kemi një konkurrencë të përvitshme me veten tonë. Ndërkohë, siç u thashë, kemi vënë një target të ri për vitin 2025, 12 milionë pasagjerë të cilën unë jam e sigurt tashmë, që jo vetëm do ta arrini, por edhe do ta tejkaloni sepse kemi filluar që targetet t’i vëmë me 11 mujor apo 10 mujor, jo me të gjithë vitin.
Përgjatë muajit maj të vitit 2025 Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit do të shënojë edhe një hap tjetër përpara, pasi në maj të 2025 Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit Nënë Tereza do të kalojë në kategorinë 4 E, e cila vjen si rezultat i investimeve në lidhjet me pistën, rrugët lidhëse, vendqëndrimet, pajisjet përpunuese dhe padyshim shërbimin zjarrfikës. Këto janë të gjitha kriteret, të cilat të japin mundësinë për të avancuar në një kategori më lartë. Ndërkohë, në vitin e ardhshëm sigurisht ne presim një zhvillim tjetër që ka të bëjë me konkurrencën në këtë vend, hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, por që unë jam e sigurt që do të jetë vetëm një konkurrencë pozitive midis tre njësive operative të aviacionit civilë në Republikën e Shqipërisë dhe që do të jetë në shërbim të plotë të qytetarëve, duke ofruar çmime më të mira për biletat, duke ofruar më shumë destinacione për fluturime dhe më shumë kompani ajrore në vendin tonë.
Nga ana tjetër, ashtu siç e patë edhe bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtar, e vlerësojnë tashmë Shqipërinë si një nga vendet me arritjet më të larta të aviacionit civil. Çdo muaj në tabelën e arritjeve përsa i përket ulje-ngritjeve nga destinacionet e përcaktuara apo edhe kritere të tjera të menaxhimit, Shqipëria vazhdon të vlerësohet ndër vendet e para qoftë nga Eurocontroli, apo qoftë nga entitete të tjera ndërkombëtare që kryejnë monitorimin e aviacionit civil. Kini parasysh që aviacioni do të vazhdojë të jetë sektor i së ardhmes.Airport Council International apo Boeing ka nxjerrë disa të dhëna shumë interesante, ku sipas ACI-së deri në vitin 2042 pritet dyfishimi i pasagjerëve nëpër aeroportet në rang botëror. Ndërkohë që Boeing parashikon deri në vitin 2043 do të duhen 674 mijë pilotë, 716 mijë teknik avioni dhe rreth 980 mijë anëtarë ekuipazhi. Kjo rritje globale, si dhe planifikimi jonë, bazuar në Strategjinë e Aviacionit Civil për shtimin e shërbimeve aeroportale dhe rritjen e numrit të fluturimeve të pasagjerëve, kërkojnë padyshim një staf kompetent edhe të mirë trajtuar dhe kjo është e vlefshme për të gjithë aeroportet, të cilat do të jenë operative nga vera e vitit 2025. Për këtë arsye ne, Aviacioni Civil, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë ndërmarrë një iniciativë shumë të rëndësishme që do të kërkojë edhe mbështetjen e operatorëve të aeroporteve ndërkombëtare, krijimin e një akademie që do të adresojë të gjitha nevojat në kohë, pasi ju e dini shumë mirë sesa e vështirë është që të ndërtosh një profesionist të aviacionit civil dhe shpeshherë ne themi që asetet njerëzore në aviacionin civil janë shumë më të vlefshme se asetet mekanike. Kështu që duke pasur parasysh këtë fakt dhe duke pasur parasysh iniciativën shumë të mirë të aviacionit civil dhe të qeverisë shqiptare kërkohet angazhimi i secilit prej koncesionarëve të aeroporteve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe të gjithë aktorëve të tjerë, për të ndihmuar në këtë aksion që do të japë mundësi të reja punësimi në Republikën e Shqipërisë, do të japë mundësi të reja për drejtimin e karrierës për qindra e mijëra vajza dhe djem të rinj të cilët duan të zgjedhin një profesion jo vetëm të qëndrueshëm, por një profesion ndërkombëtar, me licencën e të cilit mund të punojnë kudo nëpër botë, po pasi të kenë kontribuar në vendin e tyre sigurisht.
Nëpërmjet programit Next Generation of Aviation Professionals të ICAO-s ne jemi në fazën përfundimtare të hartimit të paketës ligjore dhe mënyrës së organizimit të kësaj akademie. Unë jam plotësisht e bindur që të gjithë sëbashku me kontributin dhe pasionin që na karakterizon përsa i përket Aviacionit Civil do t’i japim mundësi Shqipërisë që të vazhdojë të rankohet në lartësitë e listave të kontributit tonë ndërkombëtar, por nga ana tjetër ajo çka është më e rëndësishmja, përmes aviacionit civil, ne do të kontribuojmë akoma më fuqishëm në qëndrueshmërinë dhe rritjen ekonomike të vendit tonë dhe nxitjen e sektorit të turizmit.
Mua më është dhënë nderi dhe mundësia sot që të njoftojë emrin e pasagjerit të 10 miliontë, i cili po të ishte kryeministri këtu, patjetër do të thoshte është normale se holandezët janë gjithmonë me fat. Kështu që ai është Matin Van Der Meij!
Duhet të jetë kënaqësi shumë e madhe të jesh pasagjer, mos të jesh fare i përgatitur dhe të gjendesh përpara të gjithë ajkës së aviacionit shqiptar dhe të të vijë qeveria dhe do të japë këtë çmim, por është çështje fati.
Siç e dëgjuat, Matin ka ardhur këtu për punë, ka ardhur për të kontribuar, ka ardhur për të na mbështetur nga UNDP-ja në një nga proceset e tjera të trajnimit që ne kemi në vendin tonë, por sigurisht do ishte kënaqësi që Matin të kthehej dhe unë jam e sigurt që do kthehet, pasi kjo ndodh me të gjithë ata që vijnë dhe e vizitojnë Shqipërinë qoftë dhe për punë të kthehet me familjen e tij si turist radhës tjetër.
Shumë faleminderit!
Ishte një kënaqësi të isha sot këtu me ju.
Vazhdoni fort, sepse aviacioni civil është një nga sektorët më të bukur që kemi në Shqipëri.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë