Bazuar në Kodin Ajror të RSH, Ligji Nr.96, datë 23.07.2020 “Aerodrom” është një zonë e përcaktuar (përfshirë çdo ndërtesë, instalim, dhe pajisje), në tokë, mbi ujë, mbi një strukturë fikse në tokë, apo në det, ose mbi një strukturë lundruese, që do të përdoret tërësisht ose pjesërisht për mbërritjen, nisjen dhe lëvizjen e avionëve mbi sipërfaqe.
Në Republikën e Shqipërisë, Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) është përgjegjës për certifikim, aprovim dhe regjistrim të aerodromeve në dispozicion për shfrytëzim civil, përfshirë edhe heliportet. Për të verifikuar dhe siguruar zbatimin e plotë të legjislacionit të aplikueshëm vendor dhe ndërkombëtar, inspektorët e aerodromeve bëjnë mbikëqyrje të vazhdueshme të sigurisë së aerodromeve përmes auditimeve, inspektimeve dhe monitorimit të aktiviteteve të tyre.
Varësisht nga natyra e operimeve dhe shkalla e shfrytëzimit, aerodromet civile kategorizohen në aerodrome të certifikuara, aerodrome të aprovuara dhe aerodrome të regjistruara.