Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri tek Stacioni i Kompresorëve të gazit në Fier
I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar pjesëmarrës,
Kolegë,
Në fakt është kënaqësi që ti drejtohesh në këto lloj evenimentesh kësaj audience të nderuar. Kemi qenë edhe herë të tjera dhe kemi parë që brenda një periudhe shumë të shkurtër çfarë progresi është bërë këtu. Pak më parë po flisja dhe me Ministrin e Financave, i cili edhe ai ka qenë një mbështetës i jashtëzakonshëm i ecurisë së këtij projekti dhe po diskutonim se çfarë mund të bëjë një kompani serioze në një kohë të shkurtër, kur ka vullnetin e qartë, ka objektiva të qarta dhe ajo që na mbetet ne si qeveri është vetëm të mbështesim me të gjithë procedurat tona administrative apo politikat tona në mënyrë që investimi të mos pengohet. Realisht Shqipëria dikur mendohej që ishte vendi më problematik për ecurinë e projektit, sot mund të themi që është vendi avangard dhe këtë nuk e them unë, por përfaqësuesit e TAP-it që gjithçka këtu ka shkuar ashtu siç duhet.
Në këtë stacion kompresori do të jetë edhe pika e daljes për Shqipërinë. Shumë shpejt do të ndërtohet edhe një stacion tjetër i cili do ti transferohet qeverisë shqiptare dhe që do të administrohet nga operatori Albgaz. Dua të deklaroj gjithashtu që së fundmi përfunduam negociatën me SNAM, me kompaninë italiane për të formuar kompaninë e përbashkët e cila do të administrojë të gjithë menaxhimin e TAP-it, pra pjesën e mirëmbajtjes suportin për funksionimin e TAP-it në Shqipëri.
Një element që dua ta theksoj këtu nuk është fakti që TAP-i kreu një nga investimet më të mëdha në Shqipëri dhe që realisht po përfundon, por dy gjëra të mëdha unë i shikoj me efekte pozitive afatgjatë. Së pari, Shqipëria e ka mundësinë të kthehet në një nyje energjetik, jo vetëm në aspektin e furnizimit të vendit me gaz dhe Fieri do të jetë pika qendrore në këtë drejtim sepse këtu do të fillojë gazsjellësi Ionian – Adriatik dhe ne po punojmë në këtë drejtim. Kështu që kjo zonë do të marrë një rëndësi të veçantë. Së dyti elementi tjetër që dua të theksoj është transferimi i dijes. Shumë kompani shqiptare që kanë punuar me TAP kanë fituar dije teknike, njohuri të cilat i kanë bërë ato kompetitive në tregjet ndërkombëtare. Unë di disa raste ku kompani që kanë punuar këtu kanë fituar vepra në vende të tjera apo kanë ndërtuar linja prodhimi që i kanë shërbyer TAP dhe sot po eksportojnë mallra nga Shqipëria. Pra po eksportojnë teknologji nga Shqipëria. Këto janë efekte afatgjata që vijnë për shkak të një projekti të madh.
Nga ana tjetër ne kemi pasur një bashkëpunim të mirë edhe përsa i përket programeve për komunitetin. Edhe rrugët që keni parë këtu duke ardhur qoftë edhe rruga e filluar nga Fieri në drejtim të Semanit është gjithçka investim i TAP dhe së shpejti TAP do të përfundojë edhe paketën tjetër të investimeve qoftë për mbështetjen e rrjetit të energjisë elektrike në këtë zonë apo projekte të tjera të cilat ne i kemi diskutuar së bashku dhe jemi duke i implementuar.
Mua nuk më mbetet gjë tjetër, t’ju falënderoj për punën e bërë, gatishmërinë që kemi si qeveri për të vazhduar bashkëpunimin dhe patjetër e ardhmja energjetike e Shqipërisë me TAP-in dhe me kompletimin e këtij projekti do të jetë akoma më e sigurtë.
Faleminderit shumë!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë