Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Sekretariatin Kombëtar të Transparencës për Industrinë Nxjerrëse Alb EITI, organizoi në datë 28 Shkurt 2018, Konferencën me temë “Prezantim i Raportit EITI 2016 dhe promovimi i Transparencës në aktivitetin e shfrytëzimit të Burimeve Natyrore në Shqipëri ”
Në këtë Konferencë ishin të pranishëm Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enis Aliko, Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë z. Gentian Keri, Drejtori i Sekretariatit Kombëtar të Iniciativës Globale për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse z. Ardit Kamberi, Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin NE Kuvendin e Shqiperise, z. Eduart Shalsi, si dhe Përfaqësues nga institucionet shtetërore, Perfaqesues të Trupit Diplomatik, Perfaqesues të Donatorëve dhe Partnerëve Ndërkombëtarë, Përfaqësues nga Shoqëria Civile si dhe Përfaqësues të Bisnesit të Industrive Nxjerrëse.
Publikimi i të dhënave të Raportit Zyrtar Vjetor EITI 2016, finalizon aktivitetin vjetor të Sekretariatit Kombëtar EITI, me fokus në promovimin e Transparencës dhe Mirëadministrimin e Burimeve natyrore të vendit, fryt edhe i bashkëpunimit me Grupet e Interesit të përbërë nga trekëndëshi: Instituconet Shteterore, Biznesi dhe Përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enis Aliko në fjalën tij duke përgëzuar Sekretariatin EITI-n për rezultatet, u shpreh se është e rëndësishme edhe angazhimi më i madh i shoqërisë civile.
“Shqipëria siç e dini, është bërë anëtare e EITI nga vitit 2009. Synimi është që të rritet transparenca, për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur përfitimin e popullsisë nga vendburimet natyrore që në fund të fundit janë pronë e shtetit, pra pronë e gjithë qytetarëve.” – u shpreh Zv. Ministri Aliko.
Drejtori i Sekretariatit Kombëtar të Iniciativës Globale për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse z. Ardit Kamberi, theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në Rajon anëtar i Insiativës globale për Transparencë dhe se avantazhet që vinë nga zbatimi i Standartit EITI janë polivalente, duke ndihmuar drejtëpërdrejt në përmirësimin e imunitetit te sistemeve qeveritare, Bisnesi përfiton një klimë të qëndrueshme dhe rrit konkurrencën e drejtë, si dhe Qytetarët përfitojnë në marrjen e një informacioni të besueshëm dhe koherent në lidhje me shfrytëzimin dhe mirëadministrimin e burimet natyrore të vendit.
Gjithashtu, Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, z. Eduart Shalsi vleresoi progresin e bërë nga Sekretariati EITI në proçesin disavjeçar të promovimit të Transparencës në Shqipëri.
Deri në momentin aktual, Sekretariati AlbEITI ka prodhuar Raporte për 8 vite fiskale 2009-2016, duke bërë progres kaulitativ, pasi në Raportet që nga viti 2013 janë përfshirë, përveç naftës, gazit dhe mineraleve, të dhëna të sektorit të Hidroenergjisë.
Referuar të dhënave të Raportit EITI 2016, prodhimi i gjeneruar nga të 3 sektorët në vitin 2016 u vlerësua në 834 milione USD, të detajuar në: Prodhimin e Naftës bruto në 179.2 milione USD, Mineraret: 214 milione USD dhe Energjia elektrike në 441 milionë USD, e cila ka bërë një progres sinjifikativ me një rritje mbi 315 % në raport me vitin 2013.
Në mesin e muajit Shkurt 2018 Bordi Ndërkombëtar EITI, me qëndër në Oslo, pas proçesit të Validimit shpalli zyrtarisht rezultatin që Shqipëria ka bërë Progres Domethënës në zbatimin e standardit EITI.
Bordi EITI Ndërkombëtar përgëzoi Qeverinë Shqiptare dhe Grupin Ndër-Institucional të Punës (MSG), për progresin e bërë në ‘Përmirësimin e Transparencës dhe llogaridhënies në industritë nxjerrëse, duke e përdorur proçesin për të adresuar çështje lokale, jo vetëm nëpërmjet shpërndarjes aktive të informacionit, por edhe nëpërmjet përpjekjeve për të mbërritur në terren, si dhe duke e shtrirë raportimin në sektorin e Hidro-energjisë.
Në Prioritetet kryesore të veprimtarise se Sekretariatit Kombëtar EITI per vitin 2018 perfshihet Transparenca e Përfituesve dhe Pronarëve Reale, si një nga objektivat më të Rinj të EITI Ndërkombëtar. Deri në vitin 2020, çdo kompani me aktivitet në industrinë nxjerrëse, synohet të publikojë identitetin e plotë të Pronarëve dhe Përfituesve reale, si element esencial për adresimin e problematikave si korrupsioni, konflikti i interesit dhe evazioni fiskal. Në këtë kontekst, është iniciuar edhe një draft i ri Ligjor për Transparencën në Industrinë Nxjerrëse, shoqëruar edhe me krijimin e një Regjistri Publik që përmban informacion të detajuar për Pronarët Realë.
Prioritete të tjerë të rëndësishëm ku do të fokusohet aktiviteti i Sekretariatit Kombëtar EITI janë: Transparenca e të Ardhurave Lokale nga shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe përfitimet reale në kohë dhe sasi të komuniteteve të cilat jetojnë në zonat ku ushtrohen këto aktivitete; Vlerësimin në impaktin Mjedisor të aktiviteteve dhe projekteve në sektorët e Hidrokarbureve, Minierave dhe Elektro–Energjisë; Transparenca në transaksionet dhe shitjet e produkteve të naftes; Krijimi i Kadastre Minerare; Rritja e rolit të Shoqërisë Civile në proçesin e Transparencës etj.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë