Zëvendës ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Dorina Çinari ishte e pranishme në forumin e biznesit Shqipëri-Itali, i cili çeli sot punimet në Tiranë. Në fjalën e saj në panelin me temë, ‘Energy&Green Tech” Çinari prezantoi politikat e qeverisë shqiptare sa i përket zhvillimit të sektorit elektro-energjitik. Me qëllimin që të plotësohet kërkesa me energji brenda vendit, Çinari tha se synim i ministrisë është zhvillimi i burimeve të reja energjitike. Zv/ministrja Çinari u shpreh se pavarësisht me mbështetjen që qeveria i jep veprave të reja energjitike, Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë nënvizon se projektet duhet të jenë në përputhje të plotë me kërkesat teknike dhe në harmoni me mjedisin.
“Fokusi ynë do të jetë rritja e kapaciteteve gjeneruese. Ne presim të kemi një investim prej 170 mln euro në forcimin e kapaciteteve gjeneruese të sektorit publik. Gjithashtu synohet edhe simulimi i investimeve te huaja përsa i përket burimeve të reja ujore, qeveria do të ruajë, ritmin e rritjes së këtyre burimeve duke krijuar një klimë të favorshme investimi për ta. Me një pritshmëri për investime të ardhshme private rreth 400 milion euro, kapacitete 300 megavat instaluar”, – u shpreh Çinari.
Një tjetër synim që zv/ministrja veçoi në fjalën e saj është edhe rritja e kapaciteteve transmetuese kufitare brenda vendit, ku theksoi se në këtë drejtim pritet të realizohen 160 mln euro investime, ndër më kryesorit linja 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
“Qeveria synon nxitjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm me qëllim rritjen e burimit të diversifikimit nga energjitë alternative si edhe implemtimin e skemave të reja të matjes neto të energjisë, nga impiantet e prodhimit të energjisë diellore, me erë për të gjithë prodhuesit konsumatorë familjarë apo bizneset”, – u shpreh Çinari.
Një tjetër fokus, ku u ndal zv/ministrja Çinari në fjalën e saj është edhe shpërndarja e energjisë.
“Do të vazhdojë procesi i ndarjes së OSHEE, sipas ligjit të sektorit të energjisë elektrike. Në këtë sektor pritet të realizohet një total investimesh prej 520 mln euro, pjesa dërrmuese e së cilës do të bëhet me fondet e vetë kompanisë. Pjesë e kësaj pakete do të jenë edhe projektet me Bankën Botërore, KFË, dhe leximin e matësave smart, të cilët synojnë uljen e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, garantimin e aksesit për burimet e reja dhe zhvillimin e tyre”, – u shpreh Çinari.
Një tjetër ambicie është krijimi i bursës dhe tregut të organizuar të energjisë, ku zv/ministrja Çinari përmendi ligjin i miratuar pak ditë më parë në parlament për sektorin e energjisë elektrike, që do të mundësojë krijimin e bursës së energjisë shqiptare.
Zv/ministrja Çinari veçoi edhe planin kombëtar për eficensën e energjisë si një tjetër ambicie të ministrisë së infrastrukturës dhe energjisë, ku theksoi se deri në vitin 2021 investimet e pritshme në sektorin publik dhe privat në drejtim të eficensës së energjisë, pritet të jenë rreth 80 mln euro.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë