Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sëbashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar organizuan sot një takim me kompanitë e mirëmbajtjes së akseve rrugore. Në takim ishin të pranishëm kryeministri Rama, ministri Gjiknuri si dhe kreu i ARRSH Afrim Qëndro. Gjatë takimit u prezantua dhe risia e krijimit të Flotës së Solidaritetit, që nënkupton vënien në dispozicion të Autoritetit Rrugor Shqiptar të mjeteve nga kompanitë e mirëmbajtjes dhe përdorimin e tyre në situatat e emergjencës së theksuar të motit në një zonë të caktuar ku gjendja mund të paraqitet më problematike. Krijimi i kësaj Flote Solidariteti do të ndikojë drejtpërdrejt në shtimin e forcave për ndërhyrjen në terren në kohën e duhur, duke garantuar mbajtjen hapur të akseve më problematike rrugore dhe kalueshmërinë pa problem për drejtuesit e mjeteve.
Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri:
Së pari më lejoni të theksoj se është kënaqësi që bëjmë këtë komunikim. Kjo është edhe për ti treguar publikut që kontraktorët e mirëmbajtjes dhe autoritetet shtetërore punojnë dorë për dore për interesin e përbashkët. Kemi të bëjmë me një marrëveshje solidariteti, pra një kontribut të kompanive private të mirëmbajtjes për të vënë në dispozicion sa herë është nevoja mjetet e tyre. Sëbashku me Autoritetin Rrugor dhe me Prefekturën do të menaxhohen situata të vështira që eventualisht mund të ndodhin, sidomos në sezonin e dimrit apo kur kemi emergjenca civile. U dha edhe një shembull pak kohë më parë. Edhe gjatë kohës së emergjencave të fundit civile, kompanitë u përgjigjën, por ne duam ta strukturojmë shumë më mirë këtë proces, ku do të përcaktojmë një numër mjetesh që patjetër do të jenë në pronësi të kompanisë, por sa herë të jetë nevoja, dhe me një koordinim qendror ato do të drejtohen në qarqe të ndryshme të Shqipërisë, për tu vënë në dispozicion të nevojave të emergjencës. Ne duam t’ju falenderojmë për këtë gatishmëri. Sëbashku me prefekturën, me rolin që ata kanë si struktura të koordinimit të emergjencave civile dhe me Autoritetin Rrugor do ta mirëmenaxhojmë këtë proces për të adresuar krizat e mundshme.
Nga ana tjetër, sektori i mirëmbajtjes së rrugëve është një nga elementët jashtëzakonisht të domosdoshëm, shpeshherë i neglizhuar në Shqipëri dhe kjo duhet thënë. Shqipëria, pak nga pak do ta rrisë stokun e saj rrugor, do të thotë që edhe me investimet e pritshme, sidomos me partneritetin publik-privat, stoku i rrugëve në Shqipëri patjetër do të rritet. Kjo do të kërkojë volume të tjera të mirëmbajtjes së rrugëve. Duhet një proces shumë i kujdesshëm, jo më i fragmentuar siç ka qenë më parë. Shpeshherë i keqpërdorur në rajone të ndryshme ku janë hedhur para dhe nuk është parë ndonjëherë rezultat. Ne duam që ky proces të strukturohet sipas modelit të ngritur me Bankën Botërore, që është një model që pavarësisht vështirësive që pati të fillim, mendoj se do të ecë në kahun e duhur. Ka edhe një element tjetër që e kemi diskutuar. Supervizimi nuk duhet të jetë një supervizor për të gjithë Shqipërinë për pjesën e mirëmbajtjes, por duhet të ndahet sipas rajoneve të ndryshme, siç janë ndarë edhe kontratat e mirëmbajtjes së rrugës me Bankën Botërore. Kjo do ti shërbejë më shumë edhe mirëmenaxhimit së kontratës. Unë kam dhënë instruksionet e nevojshme për Autoritetin Rrugor Shqiptar në mënyrë që ky proces të shkojë ashtu siç duhet, deri në fund.
Që këtë vit fillon rehabilitimi i pjesës më të madhe të rrugëve të cilat janë dhënë me mirëmbajtje. Flas rrugët kryesore, akset kryesore, siç është edhe aksi Tiranë-Durrës që ka nevojë për ndërhyrje emergjente për mbushje, për pjesë të cilat janë dëmtuar nga amortizimi i viteve. Shqiptarët do ta shikojnë që duke filluar nga muaji Prill do të kemi ndërhyrje masive për ti sjellë rrugët në parametrat që kërkohen sëbashku me elementët e sigurisë. Një punë e mirë u bë dhe për këtë dua t’ju falenderoj sepse na u vutë në dispozicion me të gjithë mjetet që kishit mundësi për pastrimin e të gjithë objekteve të paligjshme, tabelave apo të gjithë objekteve që prishin sinjalistikën e rrugës. Ky qe një proces që mund të them doli me shumë sukses dhe njerëzit e shikojnë. Nuk është aspekti vizual, është aspekti i sigurisë rrugore që është shumë i rëndësishëm dhe që realisht pa kontributin tuaj kjo gjë nuk do të realizohej.
Mirëmbajtja do të jetë një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm sëbashku me investimet për sinjalistikën, për ndriçimin, sidomos na akset kryesore, aty ku ka kryqëzime me qendra të banuara. Për këtë vit i kemi vënë vetes synimin që këto akse kryesore dhe këto nyje ku ka zona të banuara e që kryqëzohen me rrugët kryesore kombëtare të jenë të ndriçuara. Po bëjmë zgjidhje inovative edhe duke përdorur sistemet e energjive të rinovueshme. Patjetër, këto do të kërkojnë një kosto, po unë mendoj që normalisht këto janë kosto që do të përfshihen në mirëmbajtje. Po u mirëadministruan dhe po u përdorën teknologjitë e reja të energjive të rinovueshme, janë kosto të përballueshme dhe jashtëzakonisht të nevojshme për procesin e sigurisë në rrugë.
Po bëjmë sëbashku me Autoritetin Rrugor një reformim edhe të mënyrës sesi janë të shpërndara drejtoritë në territorin e Shqipërisë përsa i përket administrimit të rrugëve. Fatkeqësisht është një ndarje që ka vetëm 3 drejtori dhe ka një mbulim jo të duhur përsa i përket territorit të Shqipërisë. Ne do mundohemi të krijojmë disa agjenci të cilat ti përputhen tamam edhe strukturës së lidhjes së rrugëve me qarqet që kanë komunikim me njëra-tjetrën. Jo duke shtuar personel, se këtu nuk bëhet fjalë për të shtuar barrë burokratike, por në mënyrë që të kemi ndarje të qartë se cila është harta e mbikëqyrjes së rrugëve dhe ku prefektët do të marrin një rol deçiziv për të parë sesi po funksionon procesi i mirëmbajtjes. Pra, përveç pjesës së drejtorisë e cila e ka detyrë funksionale, edhe prefektët do të jenë sinjalizues shumë të mirë për gjërat që nuk shkojnë mirë në terren.
Dua të them edhe një gjë që është konstatuar vitet e fundit. Ka shumë rrugë të cilat vërtet mund të jenë në administrim të bashkive, por që kanë një rëndësi kombëtare siç janë rrugë që shkojnë drejt pikave të caktuara turistike në zona malore. Këto rrugë fatkeqësisht abandonohen, nuk mirëmbahen fare, nuk parashikohet asgjë nga bashkitë, madje megjithëse e kanë detyrë edhe se mund të kenë të ardhura për këtë gjë ato nuk i vënë në zbatim. Çfarë do të bëjmë ne? Ne do të ndryshojmë edhe ligjin, që disa nga këto akse mund ti marrë në dorë për mirëmbajtje edhe qeveria qendrore, pra Autoriteti Rrugor Shqiptar. Patjetër, bashkive u duhet parë edhe pjesa buxhetore se nuk mundet që të kenë para për mirëmbajtje dhe të mos ti përdorin dhe fatkeqësisht njerëzit ankohen për qeverinë. Nuk po flas për të gjithë rrugët rurale apo bashkiake, por flas për ato rrugë që vërtet mund të jenë jo rrugë nacionale, por që kanë shumë rëndësi nga pikëpamja kombëtare. Janë shumë zona turistike të cilat kanë një rëndësi kombëtare dhe që patjetër shteti do të bëjë ndërhyrje. Ne kemi përgatitur edhe ndryshimet ligjore përkatëse, por unë po e them këtë, dua mirëkuptimin e të gjithëve në këtë drejtim. Është tepër e nevojshme sepse njerëzit nuk munden që të ankohen për qeverinë për gjëra që normalisht i ka në dorë pushteti vendor.
Së fundi, dua t’ju them se duam të krijojmë një klimë shumë të mirë bashkëpunimi dhe ky është një hap i parë shumë i rëndësishëm, krijimi i kësaj flote solidariteti. Patjetër kërkohet llogari e përbashkët. Edhe ne duhet të respektojmë pjesën tonë të marrëveshjes, duke bërë pagesa në kohë dhe jo shpeshherë siç ka ndodhur edhe më përpara që mund të ketë krijuar një deficit financiar. Shpesh janë lidhur kontrata edhe pa pasur para, janë futur në vështirësi firmat për mirëmbajtjen. Nga ana tjetër edhe ne do të kërkojmë llogarinë e mirëmbajtjes deri në fund. Sepse mirëmbajtja për mua, pas ndërtimit është procesi më i rëndësishëm. Nëse ne hedhim para sot për ndërtimin e rrugëve, ato rrugë do të kenë dukje në terma afatgjatë vetëm po u mirëmbajtën siç duhet. Këtu patjetër kërkojmë bashkëpunimin tuaj. Kryeministri i ka kushtuar që në fillim vëmendje këtij procesi pse jo edhe shpesh kritik se procesi i mirëmbajtjes së rrugëve është një nga elementët më të rëndësishëm që kanë rrugët në Shqipëri dhe gjithë sistemi rrugor në vendin tonë.
Ju falenderoj për këtë pjesëmarrje!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë