“Turizmi me Kroçera dhe ndikimet e tij në mjedisin urban”
Takimi i parë përurues i projektit LOCATIONS, 13-15 Dhjetor 2016, Trieste, Itali
Shtatë qytetet port të Evropës dhe partnerë të tjerë të projektit – ndër të cilat Instituti i Transportit në Shqipëri dhe Porti i Durrësit – kanë bashkuar forcat për të përmirësuar logjistikat në lidhje me lundrimin me Kroçera dhe planifikimin e transportit.
Turizmi me Kroçera është një sektor në zhvillim e sipër në Shqipëri. Portet më të zhvilluara për Kroçerat ose anijet turistike janë porti i Durrësit, porti i Vlorës dhe Porti i Sarandës. Porti i Durrësit është porti më i rëndësishëm i Shqipërisë dhe përfaqëson për këtë arsye portën kryesore për hyrje-daljen nga Shqipëria, dhe volumi i trafikut të mallrave dhe pasagjerëve, është kryesisht me vendet Mesdhetare. Saranda është një qytet-port turistik në jug të Shqipërisë: që nga viti 2012, është aprovuar Master Plani për zhvillimin e Portit të Sarandës me zgjerimin dhe ndërtimin e infrastrukturave të reja për terminalin e linjave të anijeve-Kroçere. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe nga baza e të dhënave në Institutin e Transportit, për vitin 2015, numri i Jahteve dhe anijeve turistike që kanë hyrë dhe kanë dalë nga porti i Durrësit ishte 260 ndërsa nga Porti i Sarandës ishte afërsisht 480 nga vende dhe destinacione të ndryshme.
Nga njëra anë, ky lloj turizmi u ofron ekonomive lokale mundësi të mëdha, duke rritur imazherine dhe reputacionin e destinacioneve ndërkombëtare. Nga ana tjetër ai gjithashtu sjell një sërë çështjesh në lidhje me rrjetet e transportit, si dhe transportin lokal urban dhe periferik, sidomos gjatë operacioneve për hipjen dhe zbritjen e pasagjereve nga anijet, ngarkimin dhe shkarkimin e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve për anijet turistike.
Projekti LOCATIONS (Low-carbon Transport in Cruise Destination Cities) trajton këto probleme të turizmit me kroçere duke mbështetur autoritetet lokale në zhvillimin e planeve të mobilitisë me karbon-të ulët si dhe adresimin e masave të veçanta në optimizimin e lundrimit me Kroçere të udhëtarëve, mallrave dhe flukseve të shërbimeve.
Një metodologji e dedikuar do të zhvillohet dhe testohet për t’iu përgjigjur nevojave individuale të identifikuara në qytet-portet e përfshira. Ideja është të përcaktohen paketa modulare të masave që do të kontribuojnë në çbllokimet e trafikut në zonat urbane dhe reduktimin e ndotjes në mjedis, i projektuar për tu transferuar lehtë në qytetet porte të tjera të zonës së Mesdheut. Fushata specifike sensibilizuese janë parashikuar, për të inkurajuar përfshirjen e udhëtarëve dhe qytetarëve për të marrë përgjegjësi dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytete.
Projekti LOCATIONS, financuar përmes Fondit Evropian të Zhvillimit Rajonal, është koordinuar nga AREA Science Park of Trieste, dhe zhvilluar në Rajonin e Friuli-Venezia-Giulia në bashkëpunim me Autoritetin Portual Trieste si dhe me mbështetjen e qytetit të Triestes dhe Autoritetit Rajonal Friuli Venezia Giulia. Partneriteti numëron mbi 20 organizata dhe institucione nga Italia, Kroacia, Spanja, Portugalia, dhe Shqipëria. Instituti i Transportit dhe Autoriteti Portual Durrës janë dy partnerët shqiptarë të projektit dhe me mbështetjen e Bashkisë së qytetit të Durrësit, si partner mbështetës i projektit. Shtatë qytete port evropiane janë të përfshira: Lisbona, Malaga, Zadari, Rijeka, Ravenna, Durrësi dhe Trieste.
“Sfida – thonë perfaqesues të Institutit te Transportit – është planifikimi i zgjidhjeve për lundrimet me Kroçere të pasagjerëve dhe flukset e mallrave në mënyrë që të ruhen burimet natyrore dhe kulturore në qytetet destinacione, në mënyrë që të mbrohet atraktiviteti i tyre me kalimin e kohës.
LOCATIONS synon të kontribuojë në përcaktimin e planeve për menaxhimin e qëndrueshëm të flukseve te trafikut të gjeneruara nga turizmi detar me Kroçere në kuadër të planeve më të gjera strategjike të qyteteve port, si Planet e Qëndrueshme të Lëvizshmërisë Urbane (SUMPS) dhe Planet e Qëndrueshme të Zhvillimit të Energjisë (SEAPs). Në këtë mënyrë, Instituti i Transportit, forcon më tej rolin e tij si një partner teknik mbi temat strategjike, si mobiliteti i qëndrueshëm. “