Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ishte në Novoselë ku mori pjesë në inaugurimin e një fabrike të prodhimit të metaleve. Investimi i një konsorciumi me sipërmarrës italian dhe shqiptar ka kapur shifrën e 3.3 milion euro ndërsa metalet e prodhuara kryesisht shkojnë në tregun e huaj.
“Jemi këtu në Novoselë, ku pavarësisht se Novosela ditët e fundit ka dominuar lajmet e fatkeqësive natyrore, ka edhe një dimension tjetër, që duhet ta njohë publiku. Në Novoselë po investohet nga kompani të huaja në sektorin e prodhimit. Këtu jemi tek investimi më i fundit, nga një kompani italiane dhe investitorë shqiptarë, të cilët po prodhojnë për tregun, për eksportin, pjesë metalike. Ky është një investim i ri, modern, me teknologjinë më të fundit dhe që është për t’u përgëzuar. Investimet po shtohen, interesi për Vlorën është rritur”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Ndërkaq, ai tha se u njoh edhe me shqetësimet që ekzistojnë në zonë për qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike.
“Janë probleme të trashëguara ndër vite por gjë që do të zgjidhet shumë shpejt me investimin i cili sapo ka filluar në të gjithë këtë zonë të Novoselës. Pak nga pak kjo zonë po kthehet në një zonë industriale. Investimi i ri i Operatorit të Sdpërndarjes do të bëjë të mundur që energjia këtu të vijë pa ndërprerje dhe vitin tjetër do të planifikojmë edhe investim për ta kthyer këtë zonë në 20 kilovolt. Do të thotë që energjia do të jetë me parametrat më të mirë dhe që do të ndihmojë të gjitha bizneset e kësaj zone për të patur energji të pandërprerë”, premtoi ministri.
Ndërkaq, kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli tha se investimi i kryer është në një vlerë të konsiderueshme ndërsa ka punësuar disa prej banorëve të zonës.
“Unë do t’i përgëzoja të gjithë për punën që kanë bërë, do të doja t’i mbështes, siç i mbështeta që në momentin e parë që erdhën në zyrën time dhe t’ju uroj suksese. Suksese për produkte që ashtu siç ambicja e tyre është, që do të kalojnë kufijtë e Europës”, theksoi Leli.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë