Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ndoqi nga afër në terren situatën e krijuar përgjatë natës si pasojë e reshjeve intensive të shiut. Ministri Gjiknuri u ndal në zonën e Kasharit, i shoqëruar edhe nga kreu i ARRSH-së, Afrim Qendro, ku ndoqi punën për zhbllokimin e segmentit të përmbytur nga reshjet e shiut. Ministri e cilësoi situatën e krijuar si të rëndë ndërsa theksoi se institucionet shtetërore janë në krye të detyrës dhe po punojnë për normalizimin sa më të shpejtë të situatës.
“Këtu është një situatë e jashtëzakonshme, e vështirë, pasi përmbytjet janë të mëdha për shkak të reshjeve të shumta dhe përqendrimit të ujit nga ana tjetër e rrugës. Janë marrë të gjitha masat, evakuimi është bërë, nuk ka rreziqe direkt për jetë njerëzish. Policia, Autoriteti Rrugor, kompanitë e mirëmbajtjes janë të gjitha në krye të detyrës.” – u shpreh Gjiknuri, ndërsa theksoi se një situatë e tillë kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve.
Në vijim të inspektimeve, i shoqëruar edhe nga administratori i OSHEE-së, Ardian Cela, Ministri Gjiknuri u ndal në nënstacionin e Kasharit, i cili për shkak të reshjeve dhe përmbytjeve të shkaktuara është stakuar për masë sigurie, dhe do të rikthehet në punë sapo të ulet niveli i ujit për të mos vënë në rrezik jetën e punonjësve dhe sigurinë e sistemit elektroenergjetik.
“Situata patjetër është e vështirë, por ajo çka është për t’u theksuar është që i gjithë personeli i Operatorit të Shpërndarjes është në krye të detyrës, duke adresuar situatën siç duhet. Qytetarët duhet të na mirëkuptojnë. Ndërprerja e energjisë elektrike bëhet pikërisht për të ruajtur sigurinë e rrjetit dhe sigurinë e jetës së njerëzve.” – u shpreh ministri Gjiknuri.
Më tej i shoqëruar edhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu si edhe administratori i OSHEE-së, Ardian Cela, Ministri Gjiknuri vizitoi në QSUT elektriçistët që u lënduan në incidentin e së enjtes në Shkodër duke pësuar djegie në trup.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë