OSHEE prezanton me grupet e interesit platformën online të blerjes së energjisë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 02/02/2017

OSHEE prezanton me grupet e interesit platformën online të blerjes së energjisë

17-02-02-02-14-49big_p1230404

Përfaqësues të Ministrisë së Energjisë e Industrisë dhe drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike zhvilluan sot një takim konsultativ me grupet e interesit në kuadër të prezantimit të draftit të rregullores së re për procedurat e blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetet e shpërndarjes dhe transmetimit. Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i procedurave transparente, eficente dhe praktike për kompanitë e energjisë elektrike për blerjen e energjisë elektrike nga tregtarët; sigurimi i blerjes i blerjes së energjisë elektrike me çmime sa më të ulëta; nxitja e pjesëmarrjes së tregtarëve në procesin e blerjes së energjisë elektrike; nxitja e konkurrencës në procesin e blerjes së energjisë elektrike dhe sigurimi i transparencës e një trajtimi të barabartë për të gjithë tregtarët dhe pjesëmarrësit në procedurat e blerjes së energjisë elektrike.

Paraqitja e ofertave nga tregtarët e Energjisë Elektrike, bëhet online në sistem sipas një hyrje të paracaktuar në ditën e paraqitjes së ofertave. Koha e hapjes dhe e mbylljes duhet të publikohen në Kalendarin e Ofertave. Shqyrtimi i plotësimit të ofertave dhe vlerësimi i tyre, duhet të bëhet në mënyrë automatike përmes sistemit online të IT. Rezultatet e procedurave të tenderimit duhet të paraqiten në mënyrë automatike në ERE për shqyrtim dhe duhet të përmbajnë tregtarët e Energjisë Elektrike të cilët kanë paraqitur ofertat, të gjithë informacionin në dispozicion të ofertave të marra dhe ofertat e përzgjedhura. Blerësi, nëpërmjet Sistemit online të IT duhet të publikojë rezultatet e Blerjes në mënyrë anonime dhe të grumbulluar, me çmime mesatare dhe sasitë e blera për procedurat e Blerjes.

Çdo ofertues mund të kërkojë rishikim e procedurës administrative e cila ndiqet për një blerje, kur gjykon se një vendim i Blerësit është në kundërshtim me këtë Rregullore, duke ndjekur hapat e mëposhtëm. Ofertuesi paraqet një ankesë me shkrim përmes platformës online ose me e-mail Blerësit, brenda 24 orësh nga momenti i njoftimit të ofertuesit të skualifikuar ose duke u ankuar për shkeljen.