Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Ilir Bejtja prezantoi në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin projektligjin “Për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit”. Para deputetëve të pranishëm në komision Zëvendës Ministri Bejtja nënvizoi se miratimi i statusit të punonjësve të naftës dhe të gazit vendos në vend një drejtësi të munguar në këto 25 vjet, por do të bëjë të mundur dhe rregullimet e marrëdhënieve të punës dhe pensionet duke realizuar një mbrojtje shoqërore dinjitoze. Sipas tij ky status përveç të tjerave është një njohje e mundit, djersës dhe kontributit të çmuar që ata kanë dhënë për këtë vend.
“Miratimi i këtij statusi vendos në vend dinjitetin e naftëtarëve dhe ish naftëtarëve. Ky status jep edhe një mbrojtje të mirë shoqërore për të gjithë ish naftëtarët dhe naftëtarët që aktualisht punojnë në këtë industri por edhe për punonjësit e rinj që do të punësohen. Zbulimi i burimeve të reja të naftës dhe të gazit si dhe shfrytëzimi me eficencë i puseve ekzistuese për shkak të teknologjive të reja e bën të domosdoshëm miratimin e këtij statusi. Privatizimi dhe partneriteti publik-privat në këtë fushë nxjerr si domosdoshmëri një garanci dhe mbrojtje më të sigurtë për punonjësit, gjë që ky status e realizon, “ u shpreh z.Bejtja.
Zëvendës Ministri theksoi se një element i rëndësishëm i këtij statusi është edhe trajtimi me pagesë në rast ndërprerje të punës në këtë sektor me qëllim garantimin e një minimumi jetese dhe mos braktisjen e tyre.
“Kjo pagesë do të jepet nga shteti për ata ish naftëtarë që janë nxjerrë të papunë si dhe nga punëdhënësi për naftëtarët që janë në marrëdhënie pune dhe ndërpresin punën për shkak të ristrukturimeve apo shkurtimit të vendit të punës. Është parashikuar edhe mosha e daljes në pension dhe vjetërsia e nevojshme për të përfituar këtë pension. Për meshkujt është parashikuar mosha 60 vjeç me një vjetërsi të përgjithshme prej 30 vjetësh nga të cilat 20 vjet në një profesion si naftëtar sipas përcaktimeve ligjore që janë në fuqi, ndërsa për gratë është parashikuar 55 vjeç”, tha z.Bejtja.
Duke e mbyllur prezantimin e tij, Z.Bejtja tha se numri i përfituesve të këtij statusi llogariten rreth 5 mijë vetë, ndërsa përfitues të pensionit në vitin e parë si rezultat i uljes së moshës së pensionit me pesë vjet llogaritet afërsisht 2 mijë persona. Përsa i përket efekteve financiare të këtij ligji përllogariten afërsisht në 400 milionë lekë në vit.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë