Fjala e Ministres Balluku në Kuvend - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 14/09/2023

Fjala e Ministres Balluku në Kuvend

Fjala në Kuvend e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku:

 

E dashur kolege,

Të flasësh sot për furnizimin me energji elektrike, sidomos në Lezhë ku ne të dyja kemi bashkëpunuar për ta bërë të mundur atë edhe aty ku nuk ka pasur. Tani duhet të themi disa gjëra që i kemi bërë në të mirë të komunitetit, edhe ti ke meritën tënde që vazhdon të kujdesesh për komunitetin, unë që adresoj problematikat, por edhe të gjithë punonjësit e OSHEE-së. Të listosh ndonjë ndërprerje 5 minutëshe, 20 minutëshe, sikur ka ndenjur Lezha pa drita. E dashur sot ikin dritat 10 minuta në Pukë mua më vjen mesazh dhe për 10 minuta kthehen dritat kudo që ka shkëputje. Për këtë ka matshmëri me instrumente teknologjike, që nuk i vë dot ti në dyshim, por as unë nuk gënjej dot. Mund të shkoni në OSHEE, ku të merrni të gjitha të dhënat, të shikoni si funksion rrjeti i shpërndarjes në Republikën e Shqipërisë dhe si e kemi menaxhuar ne të gjithë situatën gjatë periudhës turistike.

Nuk mendoj se si deputete duhet të flasësh me kaq dëshirë dhe pasion për sa më pak nxënës ka pasur ky vit, sepse në të gjithë botën ka lëvizje demografike. Lexo çfarë materiali të duash. Lexo çfarë po ndodh në Ballkan, se si po mbyllen qytete të tëra industriale në Bullgari.

Lëvizja demografike është diçka normale, e dashur kolege, por pasioni dhe kënaqësia me të cilën ti e thua për mua është me të vërtetë shqetësuese, sepse nuk duhet të gëzohet askush për këtë gjë. Ne duhet të ulemi në tryeza të përbashkëta, të gjejmë mundësi për të hapur shkolla profesionale, për të kthyer të rinjtë në vendet e tyre të lindjes. Kjo nuk është një sfidë midis nesh dhe jush, sepse ka studime të tëra që flasin për lëvizjet demografike post-COVID. Kjo situatë nuk duhet të gëzojë askënd. Ne duhet të ulemi bashkë për të diskutuar për zgjidhje dhe incentiva, të cilat do të bënin të mundur kthimin e të rinjve, si në vend, ashtu edhe në qytetet e tyre të lindjes. Kjo nuk është një situatë për të cilën mund të dilni këtu dhe të fajësoni qeverinë apo Edi Ramën.

Ashtu siç ti flet me një mllef të jashtëzakonshëm për mosarritjet tona, ashtu mund të flas edhe unë për orë të tëra për arritjet tona, por unë nuk do ta bëj pasi flet puna dhe nuk ka nevojë për fjalë, flasin kilometrat e tëra të rrugëve të shtruara dhe të aksesuara nga të gjithë qytetarët apo vizitorët gjatë kësaj vere, flet mënyra si është përballuar pastrimi i qyteteve, si është përballuar fluksi i miliona vizitorëve që ka pasur Shqipëria, duke e kaluar me disafish numrin e qytetarëve të këtij vendi.

Nuk mund të dilni ju në shtator dhe të flisni për dështimin tonë pas një sezoni të jashtëzakonshëm dhe të suksesshëm turistik. Nuk e bëni dot se dukeni keq. Më vjen keq për ty kur flet në atë mënyrë, sepse dukesh sikur je jashtë realitetit. Nuk mund të flasësh për humbjet tona të këtyre 10 vjetëve, ndërkohë që ne kemi vetëm arritje për t’u shënuar. Edhe ajo që përsërisni vazhdimisht për ish-ministrat që janë në burg, tregon vetëm implementimin e reformës në drejtësi në Republikën e Shqipërisë. Keni një pasion për negativitetin dhe të ligën, por jeni duke folur për vendin tuaj, nuk po flisni për vendin tonë. Unë nuk di që ne jemi qytetarë të dy vendeve të ndryshme. Ne jetojmë në Shqipëri dhe rezultatet janë të prekshme, e dashur kolege.

Pavarësisht çfarë do të thuash ti dhe pavarësisht çfarë do të thonë të tjerët, sepse kështu është ndarë, ju duhet të flisni vetëm keq, unë mendoj se është në nderin tuaj dhe të secilit prej nesh këtu që t’i themi gjërat ashtu siç janë. Po, ka vend pafund për t’u përmirësuar, sepse e mira nuk ka fund. Ka për t’u bërë më shumë në fushën e energjisë, në infrastrukturë, në fushën e pastrimit, kudo. Edhe për turizmin do të bëjmë më shumë vitin tjetër, sepse mësuam ku i kishim pikat e dobëta. Do ta përmirësojmë infrastrukturën në Ksamil, sepse nuk e prisnim që në Ksamil do të vinte e gjithë Europa, do të zgjerojmë rrugët, do të rritim kapacitetet energjetike, do të bëjmë disa parkingje të reja. Edhe në Lezhë do të përmirësojmë shumë gjëra që duhen përmirësuar. Ka gjithmonë vend për të bërë më shumë punë, por ama nuk është kështu siç thua ti, gjithçka e zezë, që nuk është bërë asgjë, që gjithçka është bërë gabim, sepse nuk ngjit asgjë nga ato që thua.

Po të jap një këshillë miqësore: thuaji gjërat siç janë. Nxiji pak se je në opozitë, por ama nxiji me karar, që të të zërë fjala vend, se nuk të zë po gënjeve nga fillimi deri në fund. Pranoji disa gjëra që janë bërë. Prano që Lezha nuk ka asnjë krahasim me Lezhën në kohën e Sali Berishës. Është diçka që duhet ta thuash. Krahasohen sot Lezha qytet dhe Shëngjini me atë që kanë qenë më parë? Krahasohen sot Shkodra dhe Velipoja, me tre muaj punë të Benetit, me atë që ishte? Nuk krahasohen.

E ke seriozisht kur del këtu dhe u thua shqiptarëve që nuk ka ndryshuar asgjë, që është skandal, që nuk ekziston asgjë, që nuk kemi energji në Lezhë, që jetojmë me qiri? Po nuk të ngjit. Bëje pak më ndryshe, bëje me pak elegancë, sepse unë e kuptoj që ti nuk mund të flasësh mirë për qeverinë, por jo në këtë pikë! Realisht, po të përgjigjem, se kam shumë respekt.

Faleminderit!

 

***

 

Fjala e dytë e Ministres Balluku:

 

Një gjë që duhet thënë, të cilën ju e dini shumë mirë, por që unë duhet ta përsëris, sepse ju bëni sikur e keni harruar, është ndërtimi i Korridorit Blu, i cili ka nisur, kontratat janë firmosur, disa prej akseve janë në procese kantieri, siç është Thumanë – Kashar, ndërkohë edhe në Lezhë është një pjesë që preket nga Korridori Blu. Patjetër që ka pasur trafik të shtuar gjatë verës, siç ka trafik të shtuar edhe në autostradat e tjera kudo në botë, por kjo nuk është një vuajtje për qytetarët. Unë jam shumë e sigurt që qytetarët e Lezhës e kanë shijuar shumë sezonin turistik. Po, do ketë pasur shumë trafik, të them të drejtën, por të vish të më tregosh mua rrugët e Shqipërisë, që i shkel përditë me këmbë, nuk shkon!

Për të thënë të drejtën, unë nuk kam sirena në makinë dhe nuk qarkulloj e shoqëruar, që ta kesh të qartë. Unë ec njësoj si ty, pa sirena, pa drita, pa makina shoqëruese, madje e shkel Shqipërinë nga Vermoshi deri në Konispol. Mos e hap këtë garë me mua, sepse nuk e fiton dot. Nuk ka rrugë fshati, nuk ka aks kombëtar që nuk e njoh, nuk ka problematikë që nuk e njoh, por ndryshe nga ju, unë i adresoj problematikat. Kështu, meqenëse donit të informoheshit, po jua them edhe njëherë se çdo rast është i mirë për t’u përsëritur, përsëritja është mëma e dijes: këtu po ndërtohet Korridori Blu, jo me fjalë, jo me ato thoshit ju dikur, 3D-të, se tani nuk ma thoni më “3D”.  Domethënë, qëkur filluat të shikonit si dorëzohen veprat, një e nga një, e keni lënë atë narrativën e 3D-së.

Këtu ka projekte strategjike, të cilat po zhvillohen, disa janë në kantier, disa janë në negocim dhe kontratat po firmosen. Siç kemi dorëzuar gjithçka tjetër para afatit këta 5 vjet, ashtu do të dorëzohet edhe Korridori Blu, me anë të të cilit do të shpëtojnë edhe Lezha, edhe Kruja, edhe Fushë-Kruja, edhe Rinasi, madje deri në Gjirokastër, pra të gjitha këto akse që kanë trafik të rënduar, gjë që ndodh kudo në botë në sezonin veror. Ikni, shikoni se çfarë ndodh në Itali, çfarë ndodh në Greqi, por nuk dalin duke ulëritur: “Po vuajnë njerëzit”, sepse nuk është kështu.

Unë them se qytetarët shqiptarët kanë përfituar, madje kanë përfituar në mënyrë të ndjeshme nga ky sezon turistik. Ju vazhdoni, hajdeni këtu dhe bëni këto kuisjet! Por nuk ka problem, sepse, siç jua thashë: “Ne flasim me punë, ju flisni me fjalë, pastaj qytetarët vendosin si zakonisht gjithmonë me votë”.

Faleminderit!