Fjala në Kuvend e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku (Replikë me deputetin e PD-së):
Do verifikojmë dokumentacionin. Si qytetar duhet të jeni të lumtur që do të ndërtohet tuneli i zonës tuaj ku keni dhe konkurruar dhe ndërkohë për shkak të detyrës që keni pasur duhet të jeni edhe pak më i saktë kur akuzoni, në respektin që unë kam, pasi thatë që në tenderin e parë që u anulua u ofertua me një çmim aq e kaq, kush është arsyeja që nuk u morr në tenderin e parë, sepse nuk plotësonte dokumentet zotëri dhe kur keni qenë në detyrën që keni qenë gjëja e parë që bënit kontrollonit dokumentet dhe pastaj shkonit tek oferta. Pra në rast se një ofertë vjen e ulët, por nuk ka asnjë copë letër duhet ta japim sipas jush?! Unë besoj që jo. Megjithatë ka komisione vlerësimi të cilat vlerësojnë. Ka një ligj të prokurimeve që është votuar në mars të 2021 në këtë parlament, por nuk keni qenë prezent dhe ndoshta nuk e keni lexuar ose duhet ta lexoni që vlerësimi tashmë është me pikë dhe vlerësohet pjesa e parë që ka të bëjë me eksperiencat e mëparshme dhe padyshim që një kompani që mund të marri në një lot të unazës, nuk e merr tek tjetra, sepse një lot mund të jetë një rrugë fushore dhe tjetra të jetë viadukt ose urë dhe nëqoftëse ti nuk ke ndërtuar viadukte apo ura s’ke sesi e merr sepse nuk plotëson pikët tek pjesa e eksperiencës megjithatë kjo nuk është diçka që duhet konsumuar këtu, mjafton që ti referoheni ligjit. Tani po ti futemi rrugëve, siç e tha dhe kryeministri, vetëm tuneli i Thirrës që ju e dini shumë mirë ka nisur me një shumë që ishte diku tek 110 milionë dhe ka përfunduar me 280 milionë euro. Pra si është më mirë, është më mirë ky ligj i cili nga fillimi vendos një çmim limit i cili është ai çmim limit me të cilën do të ndërtohet vepra, apo ti lëmë në dorë çdo ministri, çdo drejtori, çdo inxhinieri, çdo supervizori dhe çdo kompanie që ta rrisin çmimin dyfish, trefish, katërfish sipas nevojës që do të lindë rrugës. Sepse s’ka pasur studim, sepse nuk ka pasur një ligj që ta fuste në kornizën që sot është vendosur.
Megjithatë duke përfituar nga rasti dhe duke qenë se më dhatë mundësinë që të flisja këtu për tërë akuzat që bëtë siç ju thashë patjetër, dosjet janë transparente, mund ti merrni ti dërgoni në SPAK dhe të bëni atë që duhet të bëni ju si opozitë dhe përsa kohë ka një diskurs konstruktiv askush nuk ka frikë dhe askush nuk ju ndalon juve që të kontrolloni çdo lloj procesi.
Do kthehesha vetëm pak tek energjia pasi u thanë shumë sot, por që ishin më shumë demagogji dhe nuk dëgjova nga ana juaj një akuzë konkrete për energjinë. Çfarë është më e rrezikshme në këto momente është disinformimi që i bëhet qytetarëve. Unë nuk besoj që ju jeni të paditur, nuk e mendoj këtë fare. Unë mendoj që këtu qytetarët disinformohen me kast. Në rast se këtu ka të paditur në radhët tuaja atëherë unë e kam detyrë që t’ju informoj. Republika e Shqipërisë prodhon vetëm energji hidrike në 100% të saj dhe siç ju e kuptoni hidrocentrali i parë që ka nisur nga operimet në ’71 dhe më pas i dyti në ’78 dhe tjetri në ’85 janë 3 hidrocentralet bazë të kaskadës së Drinit. Dikur u shtua edhe Ashta, por sigurisht është një koncesion të cilin ne e marrim me çmim të paracaktuar. Përveç këtyre 4 hidrocentraleve nuk ka ndryshuar asgjë në sektorin hidroenergjetik të Republikës së Shqipërisë. Hidrocentralet e vogla që janë dhënë më shumicë më shumë e ngarkojnë sistemin tonë, krijojnë probleme sesa ofrojnë prodhim dhe për më tepër siç ju e kuptoni duke qenë se edhe këto ndërmarrje të vogla janë të bazuara mbi ujin çfarë ndodh është që kur ne prodhojmë përmes kaskadës së Drinit prodhojnë dhe hidrocentralet e vogla. Pra me pak fjalë kur ne nuk kemi ujë në Republikën e Shqipërisë dalim dhe importojmë. Këtë e keni bërë ju dhe asnjë nga ju këtu nuk mund të thotë s’kam qenë unë ka qenë ajo qeveria e korruptuar se dhe ne marrim përsipër për ata që kanë qenë para nesh edhe ju do merrni përsipër për ata që kanë qenë para jush.
Ky është prodhimi i KESH në 15 vitet e fundit dhe siç e shikoni këtu është viti 2010 ku në qeveri keni qenë ju. Në vitin 2010 si viti më i mirë hidrik i 15 viteve janë prodhuar 7 terravat nga kaskada e Drinit. E dini sa keni importuar ju zotëri?! Keni importuar 1.9 terravat. Pse?! Pse keni importuar ju në vitin me prodhimin më të lartë. Unë jam shumë e sigurtë që askush nuk do të japë përgjigje këtu dhe ai që do të çohet të japë një përgjigje do të dalë dhe do të thotë që ajo qeveria e korruptuar, kemi pasur edhe ne mbetjet tona, ça dëgjuam sot që thatë domethënë bëtë dalje ish kolegëve tuaj apo kolegëve që i keni sot në grup parlamentar. Në vitin më të mirë hidrik kaskada e Drinit në 2010 në 15 vite ka prodhuar 7 terravat që tejkalon nevojën e tregut shqiptar gjatë një viti, por ju keni blerë në import gati 2 terravat. Pse?! Sepse keni pasur 45% humbje. Pra për çdo terravat që prodhohej ju humbnit 45%. Ndërkohë që humbjet janë ulur me 20% dhe kemi zona të cilat shkojnë edhe me humbje 4%, aty ku janë ndërtuar nënstacionet e reja, aty ku është investuar.
Do ti referohem fjalës së ish ministrit të energjisë Damian Gjiknuri, dikur kur ju thoshte për një kufomë që ju latë. Latë një kufomë energjetike të cilën ne e rikthyem në jetë përmes një strategjie të mirëfilltë për rimëkëmbjen e sektorit. Ju që prodhonit 7 terravat, nga e njëjta kaskadë që prodhojmë dhe ne sot, ju blinit 2 terravat për të plotësuar të gjitha humbjet dhe të gjitha vjedhjet që kishit. Ju arkëtonit 48% të faturimit, ne arkëtojmë mbi 96% të faturimit. Sot në Republikën e Shqipërisë ka 1.1 milion kontrata, abonentë të lidhura nga të cilët aktiv janë 500 mijë. Kontrata aktive janë ato kontrata të cilat prodhojnë, faturohen në dy muajt e fundit të paktën dhe nga këto 500 mijë kontrata, mbi 187 mijë subvencionohen nga shteti. Ky është ndryshimi midis nesh dhe jush.
Mos i thoni qytetarëve që ka shi plot. Kur bie shi tek “Skënderbeu” nuk mbushet kaskada dhe ju e dini këtë. Dhe ju e dini shumë mirë të gjithë këtu sesi funksionon, por vazhdoni dhe keq informoni qytetarët dhe kjo nuk është e drejt. Nuk është e drejt për ata që ju kanë votuar dhe për ata që nuk ju kanë votuar. Nuk mund të konsumojmë kohë as ne e as ju që të themi sesi është e vërteta. Është e pamundur që të vazhdojmë.
Patjetër ju mohuat dhe pandeminë, thatë që nuk ekzistonte, thatë që masat drastike që u morën ishin masa për të mbajtur qeverinë. Dhe ndërkohë deri ditën që pastaj zutë shtratin dolët dhe deklaruat që ekziston dhe pandemia. Kështu ndodhi dhe me vaksinën, por më pas doli që ju nuk jeni kundër vaksinës por ne nuk duhet t’i bëjmë presion njerëzve për t’u vaksinuar. Ju gjithmonë keni diçka për të thënë, siç është dhe çështja e energjisë
Që ka një krizë globale energjetike këtë nuk e mohoni dot, këtë nuk e mjaftoni dot se mjafton dikush të futet në rrjetet sociale, s’ka nevojë të jetë politikan dhe e kupton shumë mirë se çfarë po ndodh me çmimin e qymyrit i cili nga 30 euro ka kërcyer në 68 euro. Nuk ka nevojë fare që të kërkoni shumë thellë sepse ju do shikoni sesi e gjithë politika e dekarbonizimit dhe të gjitha mbylljet e termocentraleve apo reaktorëve nuklearë kanë krijuar një mungesë të produktit në treg.
Ne nuk shpikim dot krizat se krizat janë të vërtetueshme. Shqipëria do t’i drejtohet importit deri në ditën kur ne do të arrijmë të ngremë kapacitete të reja. por ndryshe nga ju që i ngrinit në ëndrrat tuaja Skavicën etj, ne tashmë kemi nisur nga puna dhe çdo projekt ka një fazë maturimi, ka një fazë projektimi, ka një fazë licensimi, por sot ama bashkë me kompanitë amerikane të cilat siç përmendi deputeti parafolës e kanë shumë problem të vijnë në Shqipëri, por faktikisht flasin faktet ndryshe Bechtel sot është në terren dhe po punon për projektin e Skavicës, ashtu siç po punon edhe Excelerate Energy për projektin e TEC-it të Vlorës, ashtu siç po punon Voltalia sot në Karavasta për parkun fotovoltaik dhe siç do punoj për parkun fotovoltaik të Spitallës.
Ju duhet t’i shpjegoni qytetarëve një herë e mirë, pse në 2010-ën dhe në të gjitha vitet e tjera, por mora vetëm 2010 si shembull pasi është tregues i pastër që është viti më i mirë hidrik i 15 viteve të fundit. Ju duhet t’i thoni qytetarëve pse keni blerë energji kur keni prodhuar 7 terra në 2010-ën
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë