Marrëveshja e Qeverisë me SECO për energjinë inteligjente – 20 TETOR 2021
Fjala e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:
Përshëndetje!
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave sot kemi kaluar projektvendimin për miratimin në parim të marrëveshjes midis SECO-s zvicerane dhe Këshillit të Ministrave për mbështetjen e bashkive në energjinë inteligjente. Ky është një projekt i cili lidhet ngushtësisht me eficencën energjetike, padyshim edhe me kursimin që duhet treguar në fushën energjetike sidomos kur sot merr kuptim më shumë se kurrë për shkak të krizës globale energjetike me të cilën edhe Shqipëria po përballet.
Ashtu siç ju jeni në dijeni, ne, Këshillimi i Ministrave kemi deklaruar nga fillimi i muajit tetor që kriza energjetike, pasi ka prekur edhe vendin tonë, po përballemi me të dhe po gjejmë të gjithë mënyrat, instrumentet për ta zbatuar një politikë për mbrojtjen e konsumatorit familjar dhe për mbrojtjen e bizneseve të vogla nga çdolloj ndikimi që mund të ketë tregu energjetik në këto momente.
Sigurisht ju kemi informuar që sot përveç problematikave të çmimit, kryesisht vështirësia më e madhe që ne hasim është gjetja e sasive energjetike që t’i ofruar të gjithë tregut, pa dallim, qoftë edhe konsumatorëve të tensionit të mesëm, apo dhe atyre konsumatorëve të tensionit të lartë të cilët preferojnë të shërbehen nga OSHEE-ja akoma dhe sot, pavarësisht se ata kanë dalë prej disa kohësh në tregun e lirë dhe ne kemi deklaruar dhe kemi marrë përgjegjësinë që të vazhdojmë dhe të ofrojmë në çdo orë të ditës, 24 orë në ditë dhe në 7 ditët e javës energji elektrike pa shkëputje në të gjitha zonat e Shqipërisë, duke qenë se sot rrjeti i shpërndarjes për shkak të të gjitha investimeve që janë bërë e ofron këtë, por ne po bëjmë çdo përpjekje që mos të kemi mungesa të sasive energjetike pasi dhe moti në këto kohë nuk po ndihmon.
Sot më shumë se kurrë, kursimi i energjisë elektrike, përdorimi me eficentë i saj, siç është rasti i këtij projektvendimi që ne kemi kaluar sot dhe me asistencën e SECO-s, pra përmes një granti ne do të kemi mundësi që të pilotojmë në 4 bashki të vendit, në 4 nga bashkitë më të mëdha, këtë lloj projekti i cili synon eficencën energjetike edhe nga pushteti lokal duke filluar nga ndriçimi rrugëve, nga mënyra sesi mund të ushqehen makinat hibride të cilat sot furnizohen me energji elektrike apo edhe në përdorim tjetër siç janë tek ujësjellësit apo zyrat dhe institucionet e pushtetit vendor dhe më pas tek shkollat, spitalet e kudo tjetër.
Dua ta theksoj dhe një herë pasi shpesh herë është pjesë e debatit publik dhe politik që Qeveria Shqiptare, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po punon çdo ditë për të siguruar të gjitha sasitë e nevojshme për të mbuluar nevojat e tregut energjetik dhe gjithashtu ne kemi marrë me përgjegjësi të plot publike, parasysh faktin që të dyja fashat, edhe ajo e familjarëve edhe gjithë grupi i biznesit të vogël do të qëndrojnë nën mbrojtjen sociale pavarësisht luhatjeve të çmimit në tregun energjetik të cilin ne sot flasim. Ndërkohë që konsumatori i madh, bizneset e mëdha prej kohësh furnizohen nga tregu i lirë, megjithatë të gjithë ata që kanë dëshiruar të kthehen dhe të marrin furnizim nga OSHEE për shkak se janë të ekspozuar ndaj çmimeve shumë të larta në tregun e lirë dyert kanë qenë të hapura dhe vazhdojnë të jenë pasi ne e kuptojmë që ky është një moment ku qeveria duhet të mbështesë të gjithë konsumatorët.
Shumë faleminderit!
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë