Fjala e Ministres Balluku pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 27/10/2021

Fjala e Ministres Balluku pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave

Fjala e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë ka pasur një sërë projektvendimesh sot për të kaluar të ndara sigurisht në dy grupe ato të energjisë dhe ato të infrastrukturës. Do ndalesha fillimisht tek projektvendimet që prekin fushën energjetike duke qenë një nga fushat më sensitive  në këto momente e prekur nga kriza globale, kështu që ne na duhet çdo ditë të punojmë për mitigimin e kësaj krize dhe për të krijuar të gjitha mundësitë e mbrojtjes së abonentëve tanë. Kështu që sot është marrë vendimi për ofrimin e garancisë sovrane për të vënë në dispozicion të sektorit energjetik 10 miliardë lekë të cilat do të na krijojnë kushtet për të mbrojtur të gjithë fashën e abonentëve familjarë dhe ato të biznesit të vogël. Kjo është një strategji që ne e kemi shpallur që në fillim të muajit tetor sëbashku me shpalljen e emergjencës për krizën energjetike. Duhet të kemi parasysh që padyshim çmimet e larta globalisht sot janë një problem mjaft i madh, por nga ana tjetër ajo që na shqetëson sot më shumë është mungesa e sasive energjetike në treg të cilat janë të konsiderueshme në mungesat e tyre në të gjithë zonën e Ballkanit, por sigurisht në Europë dhe kështu ajo çka ne po bëjmë përmes të gjitha akteve ligjore po krijojmë një mundësi për të arritur dhe për të siguruar këto sasi dhe sigurisht me kontrata të gjata të cilat do të na japim mundësi për të pasur edhe çmime më të mira sesa ato që sot tregtohen në treg përmes bursave.

Dy projektvendime të tjera të rëndësishme që kalojnë sot janë shpronësimet që i hapin rrugë ndërtimit të dy linjave asaj 110 kilovolt dhe asaj 220 kilovolt. Që të dyja linjat janë linja të rëndësishme të cilat ne i konsiderojmë investime kritike, pasi siç e dini për shkak të emergjencës energjetike të gjitha investimet e tjera në të tre kompanitë si për KESH, si për OSHEE Grup dhe si për OST janë tashmë të stopuara, të ndaluara deri në një moment të dytë. Vetëm investimet kritike të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me rrjetin e shpërndarjes, me rrjetin e transmetimit apo me prodhimin do të vazhdojnë të funksionojnë. Kështu që dy projektligjet sot për shpronësimet edhe njëherë i japin një mbështetje fushës energjetike dhe le të themi funksionit të mirëfilltë të të gjithë sektorëve të kësaj fushe. Siç e thashë edhe më parë prioriteti ynë padyshim është krijimi i mburojës për abonentët familjarë dhe për abonentët e bizneseve të vogla, por sigurisht duke u kujdesur edhe për të gjithë ata abonentë të mëdhenj  të cilët kërkojnë që të blejnë nga operatori i tregut të lirë i cili është një nga kompanitë bija të OSHEE-së, por edhe të abonentëve të tensionit të mesëm, pavarësisht se reforma parashikon që ata të dalin gjithashtu në treg të lirë.

Dua të përmend gjithashtu dy ndryshime që kemi bërë sot në VKM-në 822, VKM-ja që parashikon të gjithë rregullimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, që të dyja ndryshimet në pikën ‘ç’ dhe në pikën ‘ë’ janë bërë për të facilituar investimet vendas në energjinë e rinovueshme, duke pasur transparencë padyshim, por duke i dhënë mundësi investitorëve shqiptarë sigurisht pa ndaluar edhe ata të huaj, që të bëhen pjesë e të gjitha garave që ne kemi hapur gjer më sot pa i vënë detyrime të cilat pengojnë një pjesë të këtyre investitorëve siç është eksperienca apo siç është sasia e parave që ata duhet të kenë në dispozicion para nisjes së projektit. Ky është një moment kur diversifikimi i burimeve të energjisë pavarësisht se ka nisur prej kohësh është më i rëndësishëm se kurrë. Ne padyshim kemi strategji afatgjatë të diversifikimit të burimeve prodhuese vendase sigurisht mbështetur mbi energjinë e rinovueshme, por sot më shumë se kurrë kërkohet nxitje dhe përshpejtim i këtyre proceseve.

Do të vazhdoja më poshtë me pjesën e infrastrukturës. Projekt aktet për shpronësimet që ne kemi kaluar sot janë dy projekt akte të rëndësishme që i referohen qytetit të Patosit dhe qytetit të Vlorës dhe që padyshim i hapin rrugë vazhdimësisë së projekteve përsa i përket rilindjes urbane të nisura prej kohës në këto qytete.

Pyetje: Ka parashikuar qeveria shqiptare një fond për shpronësimet sa i takon unazës së madhe të Tiranës, por edhe për projekte të tjera të rëndësishme në infrastrukturë në të gjithë vendin?

Ministrja Balluku: Fondi i shpronësimeve është një zë i buxhetit, të cilin ne e kemi çdo vit, por duhet theksuar që edhe këtë vit ndodhet ai zi i alokuar në buxhet. Tashmë projektligji është i miratuar, por unë dua të nënvizoj vetëm një fakt shumë të rëndësishëm. Sot duke qenë se të gjitha projektet e infrastrukturës bazohen në studime të mirëfillta, duke qenë se ne kemi një numër të saktë çdo herë të numrit të shpronësimeve, biles të ndarë dhe të analizuar nëse janë shpronësime të banesave të legalizuara apo të pa legalizuara, kjo bën që të themi parashikimi të jetë i saktë dhe të mos hasim probleme nëpër kantiere siç ka ndodhur më parë. Kështu që të gjitha projektet si ato të unazës, si projekti i tunelit të Llogarasë apo Skavica dhe çdo projekt tjetër që zëvendës kryeministri përmendi janë projekte që do të nisin gjatë vitit ‘20, ’22 padyshim kanë të parashikuar në buxhetin e shtetit shumën e shpronësimit që është një nga elementët kryesorë për nisjen e këtyre projekteve.

Shumë faleminderit.