Font Resize
 Fjala e ministres Balluku gjatë prezantimit të projektit të portit të Durrësit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 16/04/2021

Fjala e ministres Balluku gjatë prezantimit të projektit të portit të Durrësit

Fjala e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë prezantimit të projektit të portit të Durrësit:

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar të ftuar sot këtu,

Të nderuar qytetarë të Durrësit,

Është kënaqësi e madhe për mua pas disa muajsh të gjatë për të cilin kam punuar për këtë projekt së bashku me të gjithë grupin këtu që dua ta falënderoj, që të arrijmë sot dhe të bëjmë këtë prezantim kaq të rëndësishëm. Turizmi padyshim është një nga shtyllat më të forta të zhvillimit ekonomik dhe qyteti i Durrësit i ka të gjitha potencialet për të qenë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit mesdhetar, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Por, padyshim porti i Durrësit është një nga polet ekonomike më të rëndësishme të Shqipërisë dhe gjithçka e ka bazuar tek deti. Për këtë arsye ky projekt që prezantohet sot ka dy kolona shumë të rëndësishme. Kolona e parë të cilën unë dua ta prezantoj pasi është dhe pjesa që mbulohet nga gjithë skuadra jonë dhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, por sigurisht në një bashkëpunim të shkëlqyer me Autoritetin Portual këtu në Durrës, është ndërtimi i portit të ri të mallrave të Durrësit, i cili do të jetë vetëm 9 kilometra larg portit ekzistues në zonën e Porto Romanos dhe parashikohet që të jetë një port modern, ku të mbulohen jo vetëm kapacitetet përpunuese që ne sot kemi dhe përpunojmë në këtë port dhe kanë arritur deri në 90% të volumeve të mbulohen, pra jemi shumë afër një volumi që nuk do të përpunojmë dot më në të ardhmen, por përveç kësaj do të jetë një port i ri që do të përmbushë të gjitha parametrat e kërkuara nga Bashkimi Europian qofshin këto përsa i përket teknologjisë qofshin këto përsa i përket të gjitha parametrave mjedisore që për të thënë të drejtën këtu ku jemi sot në portin e Durrësit kishin kohë që kishin humbur. Të gjithë ju e dini shumë mirë ndotjen që ndodh këtu sa herë frynë erë. Të gjitha mineralet si qymyri apo kromi apo edhe pjesët e skrabit të cilat ndodhen atje në fund të portit mbulonin qytetin, ose në ditët me shi kur bregu i detit merr ngjyrën e errët të qymyrit. Kishte arritur një pikë që u desh një zgjidhje. Nuk mund të qëndrojë më një port i tillë tregtar i bazuar në një teknologji të vjetër të përpunimit të mallrave, nuk mund ti qëndrojë afër mureve romake dhe sajteve të tjera antike që ka ky qytet. Ky qytet që për shumë vizitorë të botës është një ëndërr, por që nuk e ka pasur deri më sot infrastrukturën e duhur për tu kthyer pikërisht në një pikë të turizmit elitar. Porti i ri që do të ndërtohet në zonën e Porto Romanos, siç thashë vetëm 9 kilometra që këtu, nuk do të rëndojë mbi taksapaguesit shqiptarë pasi Autoriteti Portual i Durrësit e ka kapacitetin për të investuar për këtë port sigurisht në partneritet të plotë me të gjithë partnerët tanë strategjikë. E kemi studiuar, kemi studim shumë të mirë fizibiliteti, kemi kohë që punojmë për këtë projekt dhe shumë shpejt ne do të nisim nga puna për ti dhënë Durrësit, por edhe gjithë Shqipërisë edhe të gjithë trevave shqiptare, sepse ju e dini shumë mirë që Kosova e përdor sot portin e Durrësit dhe portin e ri do ta përdor edhe më shumë dhe më pas me përfundimin e rrugës së Arbrit do jetë shumë e lehtë për tu përdorur edhe nga Maqedonia e Veriut. Kështu që me ndërtimin e portit të ri do të nisë një epokë e re për Durrësin dhe për të gjithë rajonin përsa i përket tregtisë detare. Por në ndërkohë projekti që ne sot prezantojmë është një projekt i cili do të ndryshojë qytetin, do ta kthejë këtë qytet, ashtu siç thashë në krye të fjalës time, në pikën më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe.

Një nga kompanitë më prestigjioze, një nga kompanitë e cila ka bërë ndryshimin në konceptin e turizmit, një nga kompanitë që ka arritur të kthejë një pikë në shkretëtirë në pikën më të rëndësishme të turizmit botëror, Emaar Group së bashku me kompanitë e tjera si bija që ajo ka, ka vendosur që të ketë një vëmendje të veçantë në Durrës duke nisur prej disa kohësh dhe më pas me marrëveshjen ekonomike që u firmos midis shtetit shqiptar dhe atij të Emirateve të Bashkuara arritëm në një rezultat të mirëfilltë që sot zyrtarizohet. Interesin e këtij grupi i cili njihet për ndërtimet e jashtëzakonshme dhe për konceptin e ri të turizmit që ka futur në mbarë botën këtu në qytetin e Durrësit. Një projekt i cili pas pak do të prezantohet në tërësinë e tij që është pjesë edhe e masterplanit të përgjithshëm të zhvillimit të qytetit, por që mbi të gjitha konsiston me një investim gjigand, 2 miliard euro investim të cilat do të shtrihen në një periudhë 5 vjeçare dhe do ti japin jo vetëm Durrësit, por të gjithë Shqipërisë një injektim financiar të rritjes së ekonomisë së shkallës të jashtëzakonshme.

Duhet thënë që qeveria Rama gjithçka e ka bërë me punë deri më sot, por ajo që është më e rëndësishme e ka bërë me partnerë seriozë, me partner cilësorë të cilët nuk vijnë në Shqipëri për të përfituar, por vijnë për ti shtuar vlera dhe sigurisht vlerësojmë atë që ne jemi, atë që Zoti na ka dhënë përsa i përket relievit, përsa i përket kohës, motit dhe gjithçka, por edhe përsa janë shqiptarët. Mohamed Alabbar në këto kohë është bërë një person të cilin unë e takoj shpesh dhe mund ta konsideroj edhe mik dhe çfarë më thotë gjithmonë është që ju jeni njerëz të jashtëzakonshëm. Shqiptarët janë njerëz të jashtëzakonshëm të cilët vështirësitë nuk i gjunjëzojnë dhe nga çdo vështirësi ata dalin edhe më të fortë.

Kështu që unë do ti lija radhën një prezantimi të shkurtër dhe më pas fjalën z. Alabbar i cili do të bëjë prezantimin e projektit të ballinës së Durrësit, këtij projekti që krahasimisht do jetë një nga marinat më të rëndësishme jo vetëm në Mesdhe, por dhe në Europë me një kapacitet dyfish më të madh ndoshta edhe se porti i Montenegro që është një nga projektet më të njohura turistike në zonën e Mesdheut.