Zëvendës/ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Dorina Çinari paraqiti para deputetëve të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin si dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e dytë të financimit për projektin e sigurisë së digave”. Çinari shpjegoi se qëllimi i projektligjit është ratifikimi i marrëveshjes për shtesën e dytë të financimit për projektin e sigurisë së digave, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për akordimin e një financimi shtesë në vlerën 12 milionë euro për projektin e sigurisë së digave. Duke vazhduar më tej zëvendës/ministrja tha se shtesa e dytë e financimit për projektin e sigurisë së digave, e cila përbën fazën e pestë të programit, konsiston në rehabilitimin e agregatit/turbinës nr.4 dhe nr.1 në HEC Koman, rehabilitimin e portave të shkarkimit dhe remontit të HEC-ve Fierzë dhe Koman, si dhe ndjekja (supervizioni) i aktiviteteve, të cituara nga konsulenti i implementimit dhe paneli i ekspertëve të projektit të sigurisë së digave.
“Financimi shtesë për projektin e sigurisë së digave do të garantojë kompletimin e të gjithë furnizimeve dhe instalimeve dhe kryerjen e të gjitha provave, vënien në punë dhe dorëzimin agregatëve/turbinave nr.1 dhe nr.4 në HEC Koman, si dhe kryerjen e të gjitha pagesave për furnizimin dhe punimet që do të kryhen nga kontraktori; financimin e gjithë aktivitetit të konsulentit të implementimit dhe panelit të ekspertëve të projektit në rolin e asistencës për PMU dhe supervizorit të kontraktorit; financimin e gjithë aktivitetit të rehabilitimit të portave të shkarkimit dhe të remontit të HEC Fierzë dhe Koman,” vuri në dukje Çinari.
Në mbyllje të fjalës së saj para deputetëve të pranishëm zëvendës/ministrja theksoi se objektivat e projektit janë rritja e sigurisë së digave të hidrocentraleve më të mëdha të sistemit elektroenergjetik shqiptar në kaskadën e lumit Drin, si dhe rritja e sigurisë dhe e cilësisë së furnizimit me energji elektrike, nëpërmjet rritjes dhe përmirësimit të efiçencës së prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në rritjen e qëndrueshme të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në tregun rajonal të energjisë.
© Ministria e Infrastruktures dhe Energjise 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Politikat e Privatësisë