Nis ndërtimin rruga e re kombëtare Delvinë-Kardhiq - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 30/09/2018

Nis ndërtimin rruga e re kombëtare Delvinë-Kardhiq

Kryeministri Rama dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ishin të pranishëm në nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës së re kombëtare Delvinë-Kardhiq. Në fjalën e tij para të pranishmëve, ministri Gjiknuri tha se investimet në infrastrukturë përveçse sjellin zhvillim te zonat që prekin, por nga ana tjetër shkurtojnë kohë. Këtu ministri solli rastin e distancës Tiranë-Sarandë ku theksoi se falë këtij investimi, Tiranë-Sarandë do bëhet për rreth 2 orë e 50 minuta, duke shkurtuar kështu me një orë lidhjen mes dy qyteteve. Nga ana tjetër, kryeministri Rama tha se me fillimin e punimeve në këtë aks, distanca mes Sarandës e Gjirokastrës do jetë më afër, po ashtu edhe me Tiranën. Ndërtimi i rrugëve në këto zona, sjell edhe zhvillim turistik që më pas përkthehet në zhvillim ekonomik, tha ndër të tjera Rama. “Nëse sot, Gjirokastra e Saranda janë pranë, por sidoqoftë janë në një distancë dhe me një lëvizshmëri që nuk e inkurajon fluksin intensiv të lëvizjes së turistëve, nesër Gjirokastra dhe Saranda do të jenë një. E në ndërkohë gjithë lidhja e Sarandës me pjesën sipër,  duke kaluar përmes Kardhiqit do të jetë shumë më e shpejtë dhe do të jetë shumë më turistike. Traseja e rrugës së re dhe projekti i ri nuk është asgjë më shumë se sa rikonceptimi me standardet e kohës së sotme i shtegut rrugor që është përdorur që në prehistori, nga ilirët, nga romakët, nga turqit, nga italianët, nga gjermanët dhe rruga e re Kardhiq – Delvinë është faktikisht një çarje shumë e rëndësishme për të shmangur qafën e vështirë dhe tërësisht të amortizuar të Muzinës dhe për ta shkurtuar me një orë pothuajse lidhjen e Tiranës me Sarandën”, theksoi kryeministri.