Marrëveshja e grantit, BE jep 35.4 mln euro për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 09/05/2018

Marrëveshja e grantit, BE jep 35.4 mln euro për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit Christian Danielson, ai i BERZH-it në Tiranë Matteo Colangeli dhe zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë Erion Luçi firmosën marrëveshjen e grantit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe degëzimin me Rinasin.

Kosto totale e projektit vlerësohet në shumën prej 90.45  milionë EUR. Granti i akorduar nga Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor, marrëveshje e cila edhe u firmos nga autoritetet është në shumën prej 35,435,000 Euro. Pjesa tjetër e financimit është përmes një kredie nga BERZH në shumën 36.8 milion euro dhe 16 milion euro financohen nga qeveria shqiptare.

“Sot është dita e Evropës dhe në këtë ditë Bashkimi Evropian mbështet një prej projekteve më të rëndësishme, të parin pas dhjetëra vitesh në sektorin e hekurudhave në Shqipëri. Ky projekt do të ndikojë në cilësinë e lëvizjes së qytetarëve midis dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Koha që do të nevojitet për të udhëtuar nga qendra e Tiranës drejt Aeroportit Nënë Tereza do të jetë rreth 12 minuta me tren ekspres ndërsa nga qendra e Tiranës deri në qendër të Durrësit do të duhen afro 22 minuta. Projekti pritet të ndikojë gjithashtu në hapjen e shumë fronteve të reja të punës, si gjatë realizimit të punimeve ndërtimore, ashtu edhe gjatë periudhës së operimit të kësaj linje hekurudhore”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Drejtori për zgjerimin në Komisionin Evropian Christian Danielson u shpreh i kënaqur që tanimë me ndihmën e Bashkimit Evropian ky projekt po avancon.

“Është shumë e rëndësishme që në ditën e Evropës ne kemi ardhur sot këtu, kemi nënshkruar një marrëveshje granti dhe i kemi dhënë dorën njëri tjetrit. Ky sektor dhe këto lidhje që do të krijohen do të ndihmojnë që të afrojnë Shqipërinë jo vetëm me vendet fqinje por edhe me pjesët e tjera të rajonit dhe natyrisht edhe me BE. Projekti gjithashtu do të ketë një impakt të madh në ekonomi dhe këtë do ta arrijë me anë të përmirësimit të flukseve në tregti. Do të përmirësojë po ashtu edhe treguesin e vendeve të reja të punës, jo vetëm në periudhën e ndërtimit por edhe gjatë funksionimit dhe mirëmbajtjes së linjës”, theksoi Danielson.

Ministri Gjiknuri tha se po punohet edhe për projekte të tjera në infrastrukturën hekurudhore, si ai për lidhjen e Vorës me Shkodrën dhe Hanin e Hotit drejt Malit të Zi. Ky projekt përveçse rehabiliton linjën e amortizuar nga Vora në Shkodër, do të mundësojë dhe standardizimin e hekurudhës me Malin e Zi, si dhe fokusohet në krijimin e lidhjeve hekurudhore efikase midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Projekt tjetër hekurudhor që është aktualisht në fazën e studimit të fizibilitetit, është Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Pogradec – Lin dhe ndërtimi i linjës së re Lin – kufiri me Maqedoninë (korridori i VIII-të hekurudhor). Qeveria shqiptare po shikon sot mundësinë e lidhjes se rrjetit tonë hekurudhor, me korridorin hekurudhor TEN-T Orient/East Med ne Greqi nëpërmjet Kapshticës dhe Follorinës përkatësisht ne linjën hekurudhore Durrës – Elbasan – Pogradec – Kapshtice – Follorinë Selanik /Athine (Pireu) që lidh portin e Durrësit në Detin Adriatik me portin e Selanikut dhe të Pireut në Athinë, të cilat janë nga portet më të mëdhenj të mallrave në Mesdhe.

Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Durrësi në Tiranë dhe lidhja hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës është një nga projektet më strategjike dhe të rëndësishme të Qeverisë Shqiptare. Segmenti hekurudhor Tiranë – Durrës dhe lidhja me aeroportin e Rinasit është tashme pjesë e Zgjatimit të Rrjetit Indikativ TEN – T për hekurudhat në Ballkanin Perëndimor: Route 2 – Podgoricë – Durrës / Tiranë. Ky projekt ishte një nga tre projektet fituese në Samitin e Parisit, të mbajtur në korrik 2016, ku konkurronin për fonde të BE/WBIF (Fondi i Investimit për Ballkanin Perëndimor) projekte nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky projekt paraqet edhe një risi në lëvizjen e pasagjerëve drejt Aeroportit Nënë Tereza nëpërmjet përdorimit të trenit që do konkurrojë drejtpërsëdrejti me përdorimin e makinave private, duke ndikuar edhe në  përmirësimin e  qarkullimit të makinave në oraret e pikut të lëvizjes. Projekti realizon me efektivitet të plotë multi-modalitetin e sistemit te transportit ne zonën metropolitane te DURRANA-s. Do të krijohet një sistem transporti i integruar, efikas e funksional ne rrjetin e  infrastrukturës rrugore, Aeroportit Ndërkombëtar te Tiranës dhe Portit i Durrësit si porti më i madh në vend dhe nga më të rëndësishmit në Ballkanin Perëndimor.

Objektivat kryesore në drejtim të rezultateve lidhen me rehabilitimin e linjës ekzistuese hekurudhore nga stacioni qendror hekurudhor Durrës deri në vendndodhjen e ardhshme të Terminalit të Transportit Publik të Tiranës (PTT) për një gjatësi 34.2 km dhe gjithashtu për të ndërtuar një linjë të re hekurudhore që lidh linjën kryesore me aeroportin e Rinasit (gjatësi 5.7 km). Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një terminali te ri hekurudhor intermodal në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), si dhe instalimin e një sistemi të ri sinjalizues dhe telekomunikacioni, të integruar në sistemin e linjës hekurudhore Durrës – Tiranë – Rinas.

Gjatë tre mujorit të parë të këtij viti janë studiuar nga Konsulenti disa parametra teknike shtesë për modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturës hekurudhore (elektrifikimi i linjës hekurudhore; inkorporimi i sistemit “light rail” brenda në qytetin të Tiranës; rritja e numrit të stacioneve për t’i shërbyer zonës industriale, etj) që do të konkretizohen në kontratën e ardhshme me BERZH, atë të zgjatimit të linjës hekurudhore (4 Km) nga Terminali Transportit Publik (PTT tek kthesa Kamzës) deri në Stacionin Historik te Trenit për udhëtarët në fillim te Bulevardit te Ri të Tiranës me një Terminal të ri hekurudhor në zemër të kryeqytetit. Ky projekt ka përfunduar si Projekt Preliminar i Detajuar dhe është pranë finalizimit financimi për Projektin e Zbatimit te tij nëpërmjet BERZH-it.