Gjiknuri: Projektet e investimeve në infrastrukturë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 25/10/2017

Gjiknuri: Projektet e investimeve në infrastrukturë

Intervista e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhënë gazetarit Donald Jorgoni për televizionin Top Channel.

Z.Ministër, po kalon projektbuxheti për vitin 2018, çfarë ka parashikuar qeveria për pjesën e infrastrukturës rrugore?

Ka tre forma financimi të cilat qeveria do ti aplikojë përsa i takon çështjes së infrastrukturës rrugore. Forma e parë janë investimet direkte nga Buxheti i Shtetit dhe mund të themi se për vitin e ardhshëm ato kanë pësuar një rritje. Me mbështetjen direkte buxhetore do mund të hapim disa projekte prioritare që janë pjesë e akseve kryesore kombëtare. Do të vazhdojë pjesa e Unazës së Tiranës, nga zona që njihet si rrethrrotullimi i shqiponjës deri tek bulevardi i ri. Do të hapet bypass i Tepelenës duke kompletuar përfundimisht rrugën nga Levani në Gjirokastër dhe Kakavijë, për tu lidhur më tej me rrugën e Kardhiqit. Do të krijohet mundësia për të hapur edhe projektin tjetër të lotit të dytë të segmentit Korçë-Ersekë, ndërsa loti i parë ka përfunduar. Gjithashtu, buxheti na ndihmon që të kompletojmë edhe rrugët e mbetura në mes. Siç dihet, kanë qenë një pjesë e projekteve të cilat janë ende të papërfunduara për shkak mungese fondi apo vonesa në kryerjen e punimeve. Buxheti i këtij viti, pra qoftë rialokimet e fundvitit 2017 apo ai për vitin 2018, do të na bëjnë të mundur që të mbyllim pjesën më të madhe të të gjitha rrugëve të filluara. Patjetër, edhe rrugën Tiranë-Elbasan e cila financohet me borxhe të huaja. Shpresojmë të bëjmë të mundur që të kemi një përzgjedhje të fituesve për bypass-et e Fierit dhe të Vlorës, projekte shumë të rëndësishme që kanë mbetur pa kompletuar. Mendojmë që vitin e ardhshëm të kemi fillimin e punimeve edhe për këto bypass-e, ai i Fierit padiskutim që do të përfundojë por ndoshta do të kërkojë pak më shumë kohë bypass i Vlorës. E rëndësishme është që më në fund të kemi një kontraktor serioz, një ofertë serioze dhe të fillojë puna.

Z.Ministër po përsa i takon projektit “1 miliard euro”, a do të fillojë ndonjë projekt rrugor me partneritetin publik-privat?

Siç e thashë më përpara, një nga format e tjera të financimit të rrugëve do të jetë kapitali privat dhe bashkëpunimi me shtetin. Ne jemi duke studiuar disa propozime të pakërkuara për projektet PPP në rrugë. Do të përcaktojmë disa projekte prioritare, ku mund të them se do jenë akse kryesore kombëtare siç mund të jetë Thumanë-Kashar, aks jashtëzakonisht i rëndësishëm. Apo aksi tjetër Milot-Balldren, rruga e Kardhiqit që lidh pjesën pas Tepelenës me Sarandën. Mendojmë që katër vitet e ardhshme të kemi hapur të gjitha këto projekte, duke mos harruar edhe Rrugën e Arbrit që këto ditë kemi shpallur fituesin e shumë shpejt do të bëhet publike. Do të fillojë më tej faza e negocimit të kontratës. Dua të them se të gjitha këto akse kryesore kombëtare nga veriu në jug do të kompletohen me skemën e partneritetit publik-privat ku qeveria do të garantojë të gjitha investimet e mundshme në 10 vitet e ardhshme. Do të jenë si pagesë e garantuar për të gjithë këta investitorë që do të përfundojnë rrugët brenda një periudhe 3 vjeçare sepse kjo është edhe pritshmëria jonë për vitet e ardhshme. Nga ana tjetër ka dhe projekte të tjera të cilat mund të zbatohen me skemën “Project Financing”, pra me pagesë e që do të jenë rrugë krejtësisht të reja. Përdoruesi i rrugës mund të ketë avantazhe për përdorimin e rrugëve përmes pagesës së tarifës.

A ka shpresa për projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës?

Ka patur vonesa nga administrata e kaluar për ngritjen e disa strukturave të specializuara për menaxhimin e projektit. Këto unë do ti kompletoj shumë shpejt, jam në bisedime me BERZH-in dhe institucionet financuese. Jam i bindur se vitin tjetër do të kemi çeljen e tenderit dhe gjetjen e një kontraktori për fillimin e punimeve të këtij segmenti të rëndësishëm hekurudhor.

A do të ketë mbështetje financiare nga Buxheti për sektorin energjetik duke marrë për baza thatësirën që po vazhdon?

Ne nuk presim dhe nuk kërkojmë mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit. Për ta kuptuar edhe qytetarët, duhet sqaruar se çdo mbështetje që mund ti jepet sektorit, vjen në çdo rast në formë kredie të butë të cilën operatorët ja kthejnë mbrapsht qeverisë. Pra, nuk janë subvencione që shpenzohen dhe nuk kthehen më mbrapsht. Nëse do të kemi një përmirësim të kushteve hidrike dhe tejkalim të krizës së prodhimit të energjisë elektrike, besoj nuk do të kemi asnjë nevojë për mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit. Nëse flasim pastaj për situatë krizash dy mënyra ka për ta financuar: ose do të rritësh tarifat e energjisë ose do ti kërkosh ndihmë me kredi qeverisë. Kjo e fundit mund ta bëjë të mundur duke mos u ngarkuar barrën direkt konsumatorëve të energjisë por ta zgjidhë në këtë formë tjetër.