Gjiknuri: Projektet për zhvillimin e rajonit të Beratit - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 23/02/2018

Gjiknuri: Projektet për zhvillimin e rajonit të Beratit

Mirëmbrëma të gjithëve!

Është kënaqësi që t’i drejtohem kësaj audience të nderuar këtu në Berat. Nuk do të gjeja kombinim më të mirë edhe si radhë folësish, entuziazmi dhe dashuria e Klosit për mjedisin dhe promovimi që ai i bën turizmit. Patjetër edhe fjala poetike e Mirelës për atë çka përfaqëson kultura dhe historia në Berat. Normal që gjithë këto xhevahire që i ka dhënë natyra dhe historia Beratit do të duan që të dalin në pah nëpërmjet zhvillimit të infrastrukturës. Do të bëjmë rolin tonë modest që gjithçka të bëhet e mundur dhe Berati të meritojë infrastrukturën që i duhet. Praktikisht, dua të ndalem në disa investime të rëndësishme që po ndodhin ose do të ndodhin në disa fusha të rëndësishme të infrastrukturës në Berat. Së pari në investimet në energjitikë. Nënstacioni elektrik i Çorovodës me një vlerë investimi prej 260 mln lekësh, e pasuar edhe nga linja 110 kilovoltëshe e cila lidhet me linjën 6 dhe 10 kilovolt, me një vlerë dhe kjo 410 mln lekë të reja. Këto bëjnë që e gjithë zona e Çorovodës, zona e Skraparit pra, të kenë një furnizim shumë më të mirë me energji elektrike. Përtej nënstacionit të Çorovodës, OSHEE në këtë rajon ka investuar dhe 360 milion lekë për të përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike në Berat dhe Kucovë. Në tre vitet e ardhshme dua t’ju garantoj se kemi planifikuar investimin e linjës së tensionit të ulët me kabëll ABC, për fiderat në Kuçovë si edhe linjën e tensionit të mesëm dhe tensionit të ulët në Berat bashkë me ndërtimin e dy fiderave 20 kilovolt. Edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit ka planifikuar një investim prej 300 milionë lekësh që do të fillojë në mesin e këtij viti dhe përfundon në vitin 2019 duke rritur cilësinë e furnizimit për Kuçovën duke rikonstruktuar nënstacionin elektrik.

Një tjetër projekt u përmend nga Klosi dhe realisht është një projekt shumë i rëndësishëm. Personalisht, edhe unë kam dhënë kontributin tim së fundi, është projekti që sapo miratuam dhe që është futur në rrugën e planifikimit të qëndrueshëm, pra menaxhimi i mbetjeve të ngurta për gjithë qarkun e Beratit. Për këtë dua të falenderoj qeverinë zviceriane e cila ka vënë në dispozicion 2.2 milion franga zviceriane, për ta bërë të mundur që ne të kemi një projekt të plotë, që adreson nevojat kryesore që ka gjithë qarku i Beratit. Realisht do të kontribuojë direkt në mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e atyre xhevahireve, bukurinë e natyrës dhe trashëgiminë që ka ky qark.

Një projekt tjetër i rëndësishëm dhe që besoj do të përmendet nga z.Beci këtu ka të bëjë me projektin e Bankës Botërore prej 71 milion USD. Një pjesë të mirë e këtyre parave ka të bëjë me zhvillimin e infrastrukturës rurale dhe kryesisht në zonat me përparësi turizmin. Është zgjedhur edhe Berati dhe jam i bindur që drejtori do të bëjë një prezantim lidhur me ato se çka do të shikohen në Berat në këtë drejtim.

Përsa i përket infrastrukturës rrugore, janë investuar 838 mln lekë për masa inxhinierike në segmentin rrugor Buzuq-Çorovodë. Gjithashtu, janë investuar 212 milion lekë për riveshje dhe sistemim asfaltim në aksin rrugor Berat – Buzuq. Ka filluar ndërtimi dhe është zbatuar pjesa më e madhe e lotit të parë që lidh Çorovodën me Përmetin. Nga ana tjetër është bërë edhe studimi i plotë për rehabilitimin e plotë të rrugës Berat-Çorovodë, por që për këto do të mbetet të shikohet për financimin.

Nga ana tjetër, Parlamenti së fundmi miratoi edhe fondet për studimin e fizibilitetit për unazën e Beratit dhe pas kësaj jam i bindur që do të gjejmë dhe financimin për ta bërë të mundur edhe këtë vepër.

Në Berat kemi zbatuar për herë të parë me standardet më të larta që kërkojnë investimet e mëdha serioze projektin TAP. Pjesën e madhe të fondit social komunitar të këtij projekti e kemi investuar në qarkun e Beratit, duke ndërtuar rrugë, ura, shkolla dhe qendra kulturore. Mjafton t’ju përmend që TAP ka rikonstruktuar 6 ura në bashkinë Berat dhe Urën Vajgurore. Gjithashtu janë duke u ndërtuar apo do të ndërtohen një sërë shkollash dhe qendrash kulturore që prekin të gjitha bashkitë ku kalon gazsjellësi TAP.

Dikush do ta shohë që është çështje e një investimi të kompanisë private. Përkundrazi, ka qenë këmbëngulja, rinegocimi që i bëri qeveria shqiptare një pakete më të madhe investimesh për komunitetin, ku Berati patjetër e meriton. Berati është segmenti ku kalon një pjesë e rëndësishme e këtij gazsjellësi dhe punimet që po zhvillohen janë me standardet më të larta mjedisore, duke u kthyer një kontribues për zhvillimin ekonomik dhe pse jo mjedisor të Beratit.

Nga ana tjetër, përsa i përket fushës së ujësjellës-kanalizimeve, ju jeni dëshmitarë të programit intensiv të rikonstruksionit të rrjetit në Berat. Dua t’ju jap lajmin e mirë që ne do të vazhdojmë me paketën e dytë prej 9 mln euro të financimeve që janë siguruar nga KfW dhe nga qeveria zviceriane, që qyteti i Beratit por dhe disa zona të tjera të kenë ujsësjellësa siç duhet. Jam i bindur se qytetarët e Beratit, si qytetarë shëmbullorë, siç e kanë traditën janë njerëzit që do të kontribuojnë edhe për shëndoshjen financiare të ujësjellës-kanalizimeve duke qenë pagues të rregullt, qytetarë të rregullt.

Faleminderit shumë dhe ju uroj suksese,