Gjiknuri në Moglicë për inaugurimin e rrugës zëvendësuese - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 24/11/2018

Gjiknuri në Moglicë për inaugurimin e rrugës zëvendësuese

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me zv.Presidentin Ekzekutiv të kompanisë Statkraft Jurgen Tzschoppe morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rrugëve zëvendësuese përgjatë bregut verior të rezervuarit të hidrocentralit të Moglicës.

Kompania Statkraft është duke zbatuar në Shqipëri projektin hidroenergjetik të Kaskadës së Devollit me hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës. Aktualisht, HEC Banja ka përfunduar dhe hyrë në prodhim ndërsa vitin e ardhshëm përfundon edhe vepra e HEC Moglicës.

Në kuadër të shtesës së kontratës së nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe Statkraft në vitin 2015, kompania në bashkëpunim me qeverinë morën përsipër të ndërtojnë infrastrukturën e rrugëve zëvendësuese për shkak se rrugët e vjetra përmbyten nga liqenet e hidrocentraleve.

Fillimisht u realizua rruga Banjë-Gramsh dhe Ura e Trashovicës, në total me gjatësi 15.5 kilometra ndërsa tanimë ka përfunduar edhe rruga M03 e bregut verior të rezervuarit të Moglicës me gjatësi 15 kilometra. Një pjesë e konsiderueshme e investimit për rrugët është mbuluar nga qeveria shqiptare.

“Kjo është rruga e fundit që është rruga zëvendësuese e Moglicës e cila do të jetë rrugë nacionale pasi zëvendëson rrugën që do të përmbytet nga mbushja e liqenit dhe fillimi i punimeve të hidrocentralit të Moglicës. Është një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit të partneritetit publik-privat, me një nga kompanitë më të mira në Shqipëri që është Statkraft. Në negociata me qeverinë ata arritën të nënshkruajnë një marrëveshje për ndërtimin e rrugëve zëvendësuese në gjithë këtë zonë ku një pjesë të kontributit e ka dhënë drejtpërdrejtë edhe qeveria nëpërmjet Buxhetit të Shtetit”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Nga ana tjetër, vijoi ai, kompania Statkraft ka treguar edhe një përgjegjësi të madhe sociale pasi për shkak të këtij projekti jo vetëm janë punësuar shumë njerëz të zonës por mbi të gjitha janë ndërtuar edhe shtëpi zëvendësuese dhe ka kontribuar për mjedisin, sidomos në Bashkinë e qytetit të Gramshit.

“Jam i bindur se përfundimi i këtyre rrugëve, ashtu sikurse ndodhi me hidrocentralin e Banjës dhe me gjithë infrastrukturën e krijuar në të, do të fillojë të tërheqë edhe vizitorët në këtë zonë. Jo vetëm Gramshi por besoj se shumë shpejt edhe Moglica do të jetë një nga vendet më të vizituara nga turistë për shkak të rrugës shumë piktoreske dhe liqenit të mrekullueshëm që pritet të krijohet”, theksoi Gjiknuri.

Zëvendëspresidenti ekzekutiv i kompanisë Statkraft Jurgen Tzschoppe vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me qeverinë shqiptare në përmbushjen e këtij projekti me rëndësi.

“Është një kënaqësi e madhe që jemi këtu sot për inaugurimin e rrugëve zëvendësuese të cilat janë shumë afër investimit tonë për hidrocentralin. Ky investim në tërësi do të shërbejë për të ndryshuar gjithë panoramën e zonës. Është një projekt shumë i rëndësishëm energjetik. Ne e vlerësojmë vërtet bashkëpunimin shumë të mirë dhe për një kohë të gjatë me qeverinë shqiptare. Ky investim është më i madhi yni në një vend jashtë Norvegjisë dhe është shumë fantastike që shohim se po ecën shumë mirë”, nënvizoi Tzschoppe.

Për realizimin e investimeve në të dyja segmentet e rrugëve zëvendësuese, atë të Gramshit dhe këtë të Moglicës janë angazhuar më shumë se 800 punëtorë ndërsa pjesa më e madhe e tyre kanë qenë shtetas shqiptarë nga zona ku po zhvillohet projekti.  ​