Gjiknuri në Gjakovë, takon Haradinajn dhe ministrat Leka e Lluka - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 09/10/2018

Gjiknuri në Gjakovë, takon Haradinajn dhe ministrat Leka e Lluka

Gjatë vizitës së zhvilluar në komunën e Gjakovës ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Impiantit të Trajtimit të Ujit të Pijshëm, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri takoi Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, Ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj dhe atë të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.

Në këto takime, u diskutua mbi bashkëpunimin mes dy vendeve, projektet e përbashkëta rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit dhe axhendës së interkonektivitetit në infrastrukturën rrugore dhe atë hekurudhore.

“Gëzohem njësoj si ju për këto vepra investimesh ndaj jam këtu dhe këtë e them në emër të qeverisë. Dua të falenderoj dhe dy kolegët e mi me të cilën kam bashkëpunim shumë të ngushtë, Palin dhe Valdrinin me të cilët bashkëpunojmë në fushat që mbulojmë dhe patëm rastin të diskutojmë edhe për projekte të përbashkëta. Sfida e ujit është sfida më e madhe që kanë shoqëritë tona. Edhe Kosova edhe Shqipëria janë vende të pasura me ujë por kemi vuajtur nga mungesa e investimeve dhe menaxhimi. Edhe ne kemi sfidat tona ndaj gëzohemi kur bëhen vepra të mira në Kosovë. Ne mund të mësojmë shumë nga njëri-tjetri. Gjithashtu, gëzohem që këtë investim e ka bërë një kompani nga Shqipëria dhe realisht më vjen mirë që ka kompani që vijnë nga Shqipëria e veprojnë këtu në Kosovë”, theksoi Gjiknuri.

Në përfundim të fjalës së tij, ministri Gjiknuri tha se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të intensifikohet në të gjitha fushat, si në atë të energjisë, infrastrukturës apo edhe menaxhimit të ujit.