Buxheti 2019, rritje të investimeve në infrastrukturë - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Postuar më: 22/11/2018

Buxheti 2019, rritje të investimeve në infrastrukturë

Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri në seancën e Kuvendit

Ky është një diskutim në parim për projektbuxhetin dhe në vazhdën e asaj që tha Ministri i Financave, unë dua të theksoj dy-tre pika. Më pas, dua të ndalem në disa tema të veçanta që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe që natyrisht meritojnë shpjegim nga ana e qeverisë.

Përsa i përket Buxhetit, mund të themi që kemi një rritje në të gjithë sektorët që mbulojnë infrastrukturën dhe kjo është një shenjë e mirë. Pra, krahas prioriteteve që ka kjo qeveri, infrastruktura mbetet një nga themelet e zhvillimit ekonomik dhe një domosdoshmëri për zinxhirin ekonomik të së ardhmes në Shqipëri. Do të thotë se ne po investojmë aty ku krijojmë një zinxhir ekonomik rritje dhe praktikisht mbështetja është e dukshme për rrjetin infrastrukturor rrugor, aty ku kemi një rritje prej 10% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo masë buxheti bën të mundur financimin e të gjithë projekteve të hapura, përfshirë edhe kontratave me partneritet publik-privat, brenda një kuadri fiskal të qëndrueshëm, që nuk vë aspak në rrezik atë që pretendojnë të tjerët, që këto procese dhe këto investime kaq të nevojshme mund të vënë në pikëpyetje borxhin e ardhshëm të Shqipërisë.

Së dyti, mbështetje ka për infrastrukturën hekurudhore. Për herë të parë do të bëhen investime të reja në hekurudhë pas 30 vjetësh, ku përfshihet ndërtimi i hekurudhës së re Tiranë – Durrës me devijim Aeroportin e Rinasit. Kjo do të jetë një vepër tjetër e rëndësishme infrastrukturore që do të realizohet në këtë mandat. Mbështetje ka edhe për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, qoftë nga fondet e brendshme, qoftë nga fondet e huaja. Natyrshëm mundësitë nuk janë të pakufizuara, nevojat janë shumë të mëdha por tendenca e qeverisë është e qartë, do të investohet në ato zona ku ka prioritetet të zhvillimit ekonomik, ku ka nevoja më të mëdha dhe kryesisht të lidhura me turizmin.

Buxheti mundëson përfundimin në kohë të të gjithë veprave të mëdha të nisura, qoftë ato të infrastrukturës rrugore, rrugët e reja të hapura dhe të partneritetit publik-privat. Të gjitha investimet shkojnë në ato rrjete kryesore kombëtare, pa u bërë si në të kaluarën, shpesh investime të karakterit elektoral. Megjithatë, unë dua ta shfrytëzoj këtë platformë edhe për të adresuar disa çështje që me të drejtë janë ngritur qoftë në opinionin publik, qoftë nga dashakeqësit nga opozita që thjesht i kanë për qëllimet e tyre politike. Gjithsesi ka edhe deputetë të mazhorancës që me të drejtë mund të duan të sqarohen dhe që kërkojnë që në emër të publikut të dinë lidhjen me disa elementë që kanë të bëjnë me infrastrukturën kombëtare.

Së pari, e preku edhe Ministri i Financave, Partneriteti Publik-Privat është instrument i qeverisë për të marrë infrastrukturën në kohë. Do të thotë, ne për rrugë kemi nevojë tani, patjetër që kemi nevojë edhe mbas 20 vjetësh, por pyetja shtrohet e do tani rrugën apo e do pas 10-15 vjetësh. Normalisht, një vend që pret të rrisë veten ekonomikisht, që pret të zhvillojë turizmin, patjetër që duhet të fokusohet tani tek infrastruktura kombëtare. Pikërisht, ky instrument i Partneritetit Publik-Privat bëhet brenda një kuadri ligjor të konsoliduar dhe është një proces krejt i ligjshëm, përtej akuzave që ngrihen pasi është një proces i bazuar me ligjin për Partneritet Publike-Private sot në Shqipëri. Është një proces i kontrollueshëm nga pikëpamja financiare dhe që nuk vë aspak në rrezik të ardhmen financiare të vendit.

E ka shpjeguar edhe Ministri i Financave, po them diçka dhe unë. E di kur vihet në rrezik ky proces?! Nëse ne, krahas angazhimeve të marra për projektet e hapura me Prokurim Publik, pra me fondet publike të Buxhetit, me kreditë e huaja, apo me Partneritet Publik-Privat që kemi filluar tashmë, do të hapnim edhe nja 10 apo 15 projekte të reja, siç bënte ish qeveria dhe që pastaj rrugët mbeteshin rrugëve dhe pa financim. Ne kemi vendosur mos ta bëjmë këtë, pavarësisht që ka joshje, pavarësisht që ka presion, pavarësisht që ka kërkesë për rrugë në të gjithë Shqipërinë. Jo! Këto rrjete kryesore kombëtare do të përfundojnë dhe kjo nuk sjell asnjë rrezik për përballimin e financimit të të gjithë këtyre projekteve që do të vijnë në vitet e ardhshme.

Mjafton t’ju them një fakt, edhe në kushtet më konservatore, Shqipëria nuk do të ketë më pak rritje ekonomike seç ka tani. Do të thotë, edhe Buxheti i Shtetit do të ketë minimalisht po këto të ardhura dhe brenda një kufiri që është 5% e të ardhurave që këto projekte të financohen. Brenda një angazhimi minimal për infrastrukturën e rrugëve ka gati 20 miliard lekë çdo vit. Do të thotë që në 13 vitet e ardhshme angazhimi me para konkrete do të jetë i barabartë në një rang prej 2.5 miliard dollarësh. Çfarë po bëjmë ne? Ne po kontraktojmë gjysmën e këtyre. Do të thotë që ky Buxhet është i garantuar dhe nëse Shqipëria do të mbajë këtë tendencë nga ana fiskale dhe ekonomike. Edhe në variantin më konservator, patjetër të gjitha këto rrugë janë të financueshme dhe as ka asnjë rrezik aty.

Së dyti me të drejtë është ngritur pyetja sesi kontrollohen kostot e këtyre projekteve, sepse ka spekulime me kostot. Kryeministri përdori me të drejtë një alegori shumë të bukur, rrugët nuk janë metrazh, që i vë metrin dhe qenkan njësoj, apo mall që e gjen në bursë sa kushton karburanti apo sa kushton 1 ton miell. Rruga është vepër arti, rruga ka karakteristikat e saj dhe veprat për të cilat flasim janë vepra të kategorisë A, aty ku janë autostradë. Do të thotë që ne nuk kemi të tilla sot që flasim asnjë që mund ti referohemi në Shqipëri. Rruga ka volume dhe ka çmime reference për të kuptuar si funksionon ky proces. Vërtet kompania private sjell projektin, pra është ajo që me iniciativën e  saj ka marrë përsipër dizenjimin e veprës. Faza e dytë është zbatimi i veprës, pra projekt zbatimi i veprës. Atje nxirren kostot reale. Në ofertë jepen vetëm çmimet maksimale, bazuar në referenca të manualit së çmimeve. Duhet të kuptojmë një gjë. Rrugët kanë një parim, kanë parametra teknikë ku thuhet ka kaq milionë metër kub beton, asfalt, kjo është sipërfaqja, kaq janë struktura metalike e të gjitha janë të matshme. Do të thotë aty anash tyre ka edhe një çmim që është çmimi i referencës që bazohet Buxheti i Shtetit i parashikuar për investime publike.

Nuk janë çmimet, erdha unë dhe e kam ofertën këtu. Jo! Çmimet janë të caktuara. Dihet sa është kosto e asfaltit, dihet sa është kosto e bitumit, sa është e zhavorrit, sa është e tubit dhe janë të matshme, janë volume që shikohen me sy dhe maten në çdo kohë. Çdo kush mund të shkojë edhe nesër ti kontrollojë, ti vërë metrin kur thotë populli.  Sa e gjerë është rruga, çfarë strukture betoni ka, sa shtresa asfalti etj?! Vërtet mund të ketë ndodhur në Shqipëri dhe po ka një element në Shqipëri që ka çaluar shumë ka qenë supervizimi. Po pikërisht ne për ta adresuar edhe këtë merak tek rrugët me Partneritet Publik-Privat kemi bërë një gjë, do të marrim kompani inxhinierike të huaja ndërkombëtare. Ai është arbitri i vetëm që përcakton sa asfalt është hedhur, sa është trupi i rrugës, a është brenda parametrave dhe cilësia e punimeve të cilat gjithmonë kanë një faturë mbrapa.

Për rrugën e Arbrit e kemi filluar, është marrë një kompani gjermane, një nga kompanitë më të mëdha në botë që operon në të gjithë botën në infrastrukturë. Shumë shpejt do të përzgjedhim supervizorin e pavarur apo inxhinierin e pavarur edhe për rrugët e tjera që janë hapur me Partneritet Publik-Privat, gjithmonë kushti kompani e njohur ndërkombëtare e cila vë fytyrën e saj atje, ka reputacionin e saj. Nuk mund ta blejë një kontraktor shqiptar, sepse në fund të fundit ngrihet mbi disa parime çdo gjë. Problemi është që ti do të marrësh përsipër të marrësh një kompani me reputacion i cili i del për zot këtij projekti dhe ne këtë po bëjmë, në mënyrë që të gjitha këto që ngrihen për kostot e rrugëve të certifikohen në çdo kohë. Qoftë nga audite të pavarura, por mbi të gjitha, nga inxhinierë të pavarur, se rrugët nuk janë bisedë për tu bërë në politikë, sa kushton kjo, sa kushton ajo. Ato janë punë profesionistësh, le t’ia lëmë atyre. Projektet kalojnë në Institutin e Ndërtimit, kalojnë Këshillin Teknik të ARRSH-së dhe kostot reale dalin pasi vjen projekt zbatimi dhe asnjëherë brenda tavanit të cilët ata kanë dhënë ofertën. Çdo risk tjetër ndryshe nga prokurimi publik apo mënyra klasike e kontraktimit të rrugëve i mbetet privatit.

Çfarë ka ndodhur me kontraktimin me prokurim publik që e dimë shumë mirë?  Rrugët kanë vajtur me kosto shumë më të larta. Dua të them edhe këtë fakt, kontratat me institucionet e huaja dhe ka disa rrugë të hapura të cilat janë hapur nga e para, si rruga e Elbasanit apo disa rrugë të tjera siç është dhe rruga Qafë Plloçë-Qukës janë që të gjitha risqet i merr shteti, kontraktori është ai ka që ka gjithmonë të drejtë sipas këtyre kontratave. Prandaj rruga e Elbasanit nga 300 milionë ka vajtur 450 milionë dollarë.